Kusari - Lila: Në Kosovë ka burokraci

1 Qershor 2013 - 10:14      

Ambientin e të bërit biznes po e pengon burokracia nga agjenci të ndryshme qeveritare. Pengesa paraqet niveli lokal, ndërsa investimet e huaja nuk i sjellin ligjet dhe rregulloret, por një përvojë e mirë e tyre, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Kusari- Lila, zëvendëskryeministre, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Prishtinë, 1 qershor - Ambientin e të bërit biznes po e pengon burokracia nga agjenci të ndryshme qeveritare. Pengesa paraqet niveli lokal, ndërsa investimet e huaja nuk i sjellin ligjet dhe rregulloret, por një përvojë e mirë e tyre, thotë në një intervistë për  Radion Evropa e Lirë, Mimoza Kusari- Lila, zëvendëskryeministre, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

RADIO EVROPA E LIRË

Zonja ministre, pavarësisht përparimit në raportin e Bankës Botërore, në “Të bërit Biznes”, përfaqësues të komunitetit të biznesit ankohen për ambient jo të favorshëm në këtë fushë. Po ju si e vlerësoni?

MIMOZA KUSARI - LILA

Natyrisht, se ka shumë punë për të bërë, për të përmirësuar ambientin e biznesit dhe për të ardhur në fazën e një shteti të zhvilluar, duhet që të gjitha segmentet e shoqërisë të jenë të zhvilluara. Pengesat që aktualisht janë identifikuar dhe për të cilat jemi duke punuar dhe kemi punuar më herët që të eliminohen, janë në raport të politikave fiskale, gjegjësisht përmirësimi i tyre në mënyrë që sektori i prodhimit të ketë një avancim, përkatësisht importi i lëndës së parë dhe makinerisë të bëhet me kushte të favorshme.

Ndërsa, në anën tjetër, në raport me sektorin privat jemi duke punuar me programe konkrete, në mënyrë që të ngrihen kapacitet e ndërmarrësisë në Kosovë.

Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, vërejmë shumë rrugë për të bërë edhe te ndërmarrësit, në mënyrë që të arrihet një nivel dhe një standard i operimit, i standardeve të kualitetit të produkteve, i përgjegjësisë shoqërore të korporatave, të gjitha këto janë pjesë e ambientit të biznesit. Prandaj, nuk mund të merret vetëm një segment i shoqërisë me përmirësimin e kushteve.

Një diskrepancë  tjetër që ka ekzistuar dhe ekziston me vite të tëra në Kosovë, është në mes niveleve, gjegjësisht shtyllave qeverisëse, asaj lokale dhe asaj qendrore.

Ndërsa, shpeshherë ka raste kur edhe në Kuvendin e Kosovës dalin nga konteksti tema të caktuara që kanë të bëjnë me ambientin e biznesit, ligjet e caktuara.

Unë vetë kam qenë dëshmitare, disa herë, kur ka tendencë të politizimit apo tej politizimit të një akti ligjor, në mënyrë  që të përfitohet apo të arrihen pikë politike, por që drejtpërdrejt kanë ndikuar ose në vonesa, ose jo në përmirësim të ambientit të biznesit.

Prandaj, për të përmirësuar tërë ambientin e biznesit, për të pasur Kosovën të zhvilluar ekonomikisht, konsideroj se është i domosdoshëm një koordinim dhe sinkronizim i të gjithë akterëve që merren me biznes.

RADIO EVROPA E LIRË

Do të thotë ka raste kur niveli lokal nuk i respekton ligjet e miratuara?

MIMOZA KUSARI- LILA

Po, në fakt, ka dy vjet e gjysme që ne jemi në kontest me disa komuna të Kosovës, sidomos ato për zbatimin e ligjeve që kalojnë edhe në Parlament dhe kanë të bëjnë me shkëmbim ose transfer të kompetencave. Është rasti i Ligjit të Inspektoratit, mbikëqyrja e tregut është një komponentë tepër e rëndësishme për ekonominë dhe konsumatorin, për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë kushte të mirëfillta në treg.

Dhe, me ligjin të cilin e kam gjetur, në fakt është i trashëguar nga qeverisja e kaluar, parashihet që Inspektorati, me rekomandim të Bashkimit Evropian, të jetë i organizuar vertikalisht, gjegjësisht nga ministria të koordinohen inspektorët në nivelet komunale. Transferi, shkëmbimi i tyre nga një komunë në komunën tjetër që të rritet transparenca, në mënyrë që mos ketë mundësi të lidhjes së inspektorëve me operatorë të caktuar ekonomikë. Por, ka një rezistencë shumë të madhe nga komunat, edhe pse kemi arritur që një numër të pajtohet me zbatimin e ligjit, por që një numër prapë refuzon.

Besoj se në pjesën e dytë të këtij viti, me rishikimin buxhetor, do të transferohen edhe pagat dhe linjat tjera buxhetore për inspektorët komunalë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe atëherë mund të kemi një funksionim më të mirë.

Ka raste të tjera kur komunat në vazhdimësi synojnë në marrjen e kompetencave apo në shtimin e lejeve dhe licencave, të cilat hiqen nga niveli qendror, shfrytëzojnë Ligjin për financimin e pushtetit lokal, duke i dhënë vetes të drejtë, edhe pse  kanë të drejtë, por duke mos qenë të vetëdijshëm se me atë po e ngarkojnë ambientin e biznesit dhe po i vështirësojnë kushtet e të bërit biznes në atë komunë.

RADIO EVROPA E LIRË

A ekziston burokracia dhe neglizhenca në institucionet kompetente?

MIMOZA KUSARI- LILA

Burokraci ka në Kosovë, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror. Kushdo që thotë se nuk ka, nuk është e vërtetë. Për shkak se ka raste që ne, edhe në agjenci të ndryshme që i raportojnë Kuvendit, duhet të intervenojmë për përshpejtim të procedurave. Ka raste kur ato bllokohen, për interesa personale apo qëllime tjera që janë të sanksionuara me ligj. Por, që pavarësisht insistimit tonë, që të përshpejtohet procedura ose të shkojë në procedurë të rregullt, ka kokëfortësi apo rezistencë nga institucione të caktuara.

Megjithatë, nuk duhet të anashkalohen përpjekjet dhe suksesi në shkurtimin e numrit të madh të burokracive të procedurave. Janë bërë përmirësime në regjistrimin e biznesit, janë bërë reduktime në dokumente sa i përket importit dhe eksportit të mallrave. Ndërsa, tani në këtë javë, presim në qeveri që të kalojë ligji ombrellë për leje dhe licenca, ligj ky që do të shkurtojë mbi 40 për qind të lejeve dhe licencave aktuale në Kosovë, në mënyrë që këto burokraci që po flasim, këto procedura të jenë më të pakta dhe më të shkurta. Ky është një hap i drejtpërdrejtë dhe konkret në luftimin e korrupsionit dhe dukurive, të cilat e dëmtojnë ambientin e biznesit.

RADIO EVROPA E LIRË

A konsideroni se këto dukuri kanë penguar edhe ardhjen e investitorëve  të huaj në Kosovë?

MIMOZA KUSARI-LILA

Unë besoj se investitorët e huaj do të vijnë në Kosovë, kur në vazhdimësi, vit pas viti shohin përmirësim. Vetëm një ligj, ose vetëm një rregullore nuk sjell investime, sjell një përvojë të mirë, sjell investime të suksesshme të pioniereve, gjegjësisht atyre të parëve që vijnë për të investuar.  Dhe, besoj se përmirësimi i Kosovës në indeksin e Bankës Botërore, për të bërë biznes vit pas viti, dhe konsistenca e ndryshimeve është ajo që i sjell investitorët.

Ne, në investimet e huaja nuk mund të anashkalojmë faktin se kemi të bëjmë me situata që ndikohen edhe nga shtetet e jashtme, ekonomitë e zhvilluara.

Jemi të vetëdijshëm se ekonomitë e zhvilluara, përfshirë këtu vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur një ngadalësim në rritjen ekonomike dhe tashmë shihet se ka filluar një përmirësim. Parashihet që gjatë vitit 2013-  2014 ekonomia e këtyre vendeve të stabilizohet dhe kjo ndikon drejtpërdrejt te ne.

Ajo çka neve na intereson është se ata pjesëtarë të komunitetit kosovar që jetojnë në këto vende, t'i sjellim dhe të jenë storie të suksesit, që promovohen edhe për investitorët tjerë. Diaspora e Kosovës parashihet që në momentin kur ata  kthehen në masë të madhe për të investuar në Kosovë, ajo do të jetë kthesa pozitive edhe për investitorët e huaj. Ne kemi bërë disa përpjekje që me Ligjin për investimet e huaja, jo vetëm të shtojmë garanci, por edhe të dërgojmë mesazh për përkushtimin e Kosovës për këto investime.

Kemi pasur disa debate, komente. Ligji është kthyer dy herë nga Kuvendi i Kosovës, por tani besoj se kemi arritur në pikën ku në ligj do të përfshihen dhe do të konsiderohen për t'u mbrojtur si investime të huaja edhe investimet e diasporës. Çka konsideroj se është një siguri shtesë për kosovarët që jetojnë jashtë, kanë nënshtetësi të huaj, me ligj do të parashihet që secili investim nga ndonjë  kosovar që ka një vendbanim tjetër, konsiderohet si investim i huaj, që shton garanci dhe ne besojmë se kemi një kthesë pozitive në këtë aspekt.

Sa i përket ngritjes apo rënies së investimeve, është e vërtetë se nivel i investimeve konsiderohet viti 2007, kur kemi pasur një hov të madh të procesit të privatizimit. Prandaj, aty ka pasur rrjedhë të drejtpërdrejtë të parasë një Kosovë. Do të thotë, pagesat që janë bërë për asetet në privatizim, ndërsa pastaj jemi ballafaquar edhe me krizën, por edhe numri i këtyre aseteve ka rënë. Për vitin që lamë pas, parashihet që investimet të arrijnë afërisht në nivelin e investimeve të vitit 2007, në vlerën prej 423 milionë euro, që është në përgatitje përmbyllja e raportit për vitin që lamë dhe shpresojmë që kemi një trend të rritjes, dhe të tejkalojmë nivelin e investimeve të vitit 2007.

Kosova ka nevojë për më tepër investime, por nuk janë vetëm investimet e huaja, është edhe stimulimi për investitorët kosovarë që të vazhdojnë në zgjerimin e aktiviteteve të tyre në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË

Zonja ministre, përfaqësues të komunitetit të biznesit kanë kërkuar që mos të bëhen ndryshime në Ligjin për investimet e huaja në Kosovë, pasi, sipas tyre, ky ligj diskriminon investitorët e brendshëm. Pse, sipas jush, nevojiten ndryshime?

MIMOZA KUSARI- LILA

Përveç asaj është edhe fakti, se kosovarët të cilët janë shtetas të Kosovës, kanë tjera perceptime dhe natyrisht se ata, si qytetarët të Kosovës, janë të vetëdijshëm për rregullimin dhe shtetin e Kosovës, përderisa për investitorët e huaj, nevojitet një garanci.

Në rastin konkret, ky ligj, çka nuk ka ligji i Kosovës, mbron investimet e huaja, nga nacionalizimi. Janë situata që kanë ndodhur vitin e kaluar edhe në vendet e Amerikës Latine, ku shteti vendos me një ligj, që të nacionalizojë pronat, të cilat njëherë ishin  privatizuar.

Ligji në Kosovë parandalon nacionalizimin e pronës. Në Kosovë e dimë se shpeshherë kemi pasur të bëjmë me eksplorimin, dhe deri sa është arritur marrëveshja në mes të palës, gjegjësisht një familje, ose biznesi dhe shtetit, nuk është kryer eksplorim. Do të thotë ne nuk kemi pasur një qasje, apo është qasje e dhunshme, apo është qasje që nuk është e paraparë në vendet demokratike, por për investitorin e huaj kjo duhet të jetë pjesë e ligjit.

Do të thotë parandalimi i nacionalizimit të pronës, e cila është investim drejtpërdrejt i huaj. Këto janë disa segmente që ofrojnë garanci dhe kushdo që e shikon këtë ligj, do të ndihet i sigurt për investime në Kosovë. Kosovarët e dinë ambientin në vend, por perceptimi për Kosovën është shumë më i keq jashtë sesa realiteti në të vërtetë. Ky është një fakt i pamohueshëm, Kosova ende mbahet në mendjet e qytetarëve evropianë, por edhe të investitorëve, si një vend që sapo ka dalë nga lufta, një vend ku shkelen të drejtat e njeriut.

Ka pasur një propagandë të madhe nga Serbia për të drejtat e pakicave dhe natyrisht se dikush mund të mendojë se ka të bëjë me një sistem që është i dhunshëm, gjë që nuk është e vërtetë, nuk është gjendje reale, por është një gjendje krejtësisht tjetër prej asaj. Ne kemi sfidat tona, por nuk kanë të bëjnë me sisteme të dhunshme, të cilat ekzistojnë në Kosovë. Ky është problemi esencial dhe ligji jep garanci që shteti respekton të drejtën e pronës, respekton pronën private, respekton ndërmarrësin dhe ajo vlen njëjtë edhe për investitorët e huaj.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa është legjitim nënshkrimi i marrëveshjes së autoriteteve serbe në Beograd, me konsorciumin amerikan “New Power Generation” për bashkëpunimin biznesor dhe teknik në Kombinatin “Trepça”, në veri të Mitrovicës?

MIMOZA KUSARI- LILA

Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë ndonjë vendim për "Trepçën", por dihet se ky kompleks është nën juridiksionin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ne, natyrisht se kemi reaguar në momentin kur është bërë publike informata që dikush tjetër po lidh marrëveshje për "Trepçën" në Serbi. Ajo është e jashtëligjshme dhe natyrisht se ajo nuk do të pranohet si e tillë në Kosovë.

Ekziston rruga ligjore në rast të një vendimi të tillë. Ne e dimë se ka pretendentë të tjerë për "Trepçën" nga periudha e sundimit të Millosheviqit në Kosovë. Por, të gjitha këto mbesin në sferën ligjore, që duhet të trajtohen. Por, përfundimisht "Trepça" duhet të zhvillohet dhe duhet të kthehet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe askujt tjetër, gjegjësisht të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...