Mbeturinat pushtojnë plazhin e Semanit dhe Darëzezës

1 Qershor 2013 - 09:49      

Në prag të sezonit turistik, vija bregdetare e rrethit të Fierit ndodhet në kushte skandaloze, me një nivel ndotjeje tejet të lartë. Më problematike paraqitet gjendja në plazhin e Semanit dhe të Darëzezës.

Fier, 1 qershor - Në prag të sezonit turistik, vija bregdetare e rrethit të Fierit ndodhet në kushte skandaloze, me një nivel ndotjeje tejet të lartë. Më problematike paraqitet gjendja në plazhin e Semanit dhe të Darëzezës. Këto plazhe janë mbushur nga mbetje urbane dhe kimikate të ndryshme të fabrikave që derdhen në lumin Gjanicë e atë Seman, dhe më pas, nëpërmjet tyre derdhen në bregdetin e Semanit. Ndërkohë që edhe përmbytjet e herëpashershme të shënuara gjatë stinës së dimrit kanë pasuar me grumbullimin e mbeturinave në këto zona bregdetare. Mësohet se sasia e madhe e reshjeve të rëna ka penguar punën e komunave përkatëse për t'i mirëmbajtur këto zona. 

Aktualisht, Agjencia Rajonale e Mjedisit në Fier ka shtuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare, ndërsa u ka kërkuar krerëve të njësive vendore që të pastrojnë brenda një kohe të shkurtër plazhet e mbuluara nga mbeturinat. Drejtori i agjencisë në fjalë, Sajmir Hoxha deklaroi për "Gazeta Shqiptare" se situata paraqitet më problematike në komunat Seman dhe Ndërmënas, pasi edhe ndotja në këtë vijë bregdetare është më e madhe. "Ata e kanë anashkaluar këtë problem, pasi edhe reshjet e shiut në këtë periudhë kanë qenë më të mëdha se vitet e tjera. Ne po ushtrojmë kontrolle dhe kemi lënë detyra konkrete për vendorët, me qëllim normalizimin e situatës në bregdet", tha Hoxha.

Ndërkaq, nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier nuk është ushtruar asnjë kontroll për kushtet higjienike, kryesisht në subjekte që shërbejnë si restorante apo vend pushimi për turistët. Këto tri vitet e fundit, plazhet e Semanit dhe të Darëzezës kanë qenë shumë të frekuentuara, jo vetëm nga banorë të zonës, por edhe nga banorë të Fierit, Patosit, Ballshit, Roskovecit, Beratit etj. Numri i pushuesve në ditë arrinte nga pesë deri në gjashtë mijë, ndërsa në fundjavë i kalonte të dhjetë mijë.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...