Bayerni sonte ndjek trofeun e tretë të sezonit

1 Qershor 2013 - 09:04      

Mesfushori i Bayernit, Bastian Schweinsteiger thotë se skuadra e tij është e motivuar maksimalisht që të fitojë Kupën e Gjermanisë të shtunën mbrëma, pasi dëshiron të përcjellë në mënyrën më të mirë trajnerin Jupp Heynckes.

Berlin, 1 qershor - Mesfushori i Bayernit, Bastian Schweinsteiger thotë se skuadra e tij është e motivuar maksimalisht që të fitojë Kupën e Gjermanisë të shtunën mbrëma, pasi dëshiron të përcjellë në mënyrën më të mirë trajnerin Jupp Heynckes. Heynckes sonte (20:00) në finalen e Kupës së Gjermanisë në Berlin kundër Stuttgartit do ta ketë ndeshjen e fundit në postin e trajnerit të Bayernit. Pas tij postin e trajnerit te skuadra bavareze do ta marrë Pep Guardiola.

"Do të jetë ndeshja e fundit për ne nën urdhrin e trajnerit Heynckes dhe ky është një faktor tjetër motivues për të fituar sfidën. Duam t'i japim një lamtumirë të veçantë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe jemi shumë të motivuar", ka thënë Schweinsteiger për faqen zyrtare të klubit, transmeton Koha Ditore.

Bayerni ka gjasa të futet në histori si skuadra e parë gjermane që fiton ligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve. Titullin e Bundesligës e ka fituar bindshëm, me një epërsi rekorde prej 25 pikëve ndaj Borussia Dortmundit. Po ashtu, ka vendosur edhe disa rekorde tjera, përfshirë edhe atë për më së shumti pikë të mbledhura brenda një stinori - 91 sish. Po ashtu, e ka fituar edhe Ligën e Kampionëve, duke e mposhtur në finalen e zhvilluar fundjavën e kaluar në Wembley, Borussia Dortmundin, me rezultatin 2:1. 

"Ne kemi rast të arrijmë atë që nuk ka arritur asnjë skuadër në futbollin gjerman. Po vërehet në skuadër se jemi të gjithë të uritur për sukses. Po vërehet se dëshira është e madhe për të fituar trofe. Duam të vazhdojmë dhe të fitojmë titullin e radhës", ka thënë kapiteni i Bayernit, Philipp Lahm.

Edhe trajneri Heynckes do që nga Bayerni të përshëndetet me trofeun e tretë sezonal.

"Të gjithë jemi ende të etur dhe shumë të motivuar që të fitojmë titullin e tretë këtë vit. Jemi të koncentruar maksimalisht për sfidën", ka thënë Heynckes.

Bayerni në këtë ndeshje do të jetë pa dy brazilianët Dante e Luiz Gustavo që i janë bashkuar Përfaqësueses së Brazilit në përgatitje për Kupën e Konfederatave.

Ndërkohë te Stuttgarti është duke u shpresuar për një befasi të madhe në finalen e së shtunës.

"Bayerni qartë se është skuadër favorite, por edhe ne do të kemi rastin tonë. Ne duam të tregojmë se mund të matemi. Jemi të relaksuar dhe optimist. Duhet të sigurohemi që ata të mos luajnë ndeshjen e tyre. Duhet të ndjekim shembullin e Borussia Dortmundit, si luajti në 20 minutat e parë të ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve. Bayerni u detyrua të luante me topa të gjatë pas presionit të Dortmundit", ka thënë mbrojtësi i Stuttgartit, Arthur Boka, përcjellin mediumet gjermane. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...