Prezantohej si oficer i Interpolit, merrte para nga shoferët

31 Maj 2013 - 20:59      

Një 25-vjeçar, i cili hiqej si agjent i Interpolit, është ndaluar nga Policia e Tiranës pasi akuzohet se u bënte presion drejtuesve të automjeteve, në mënyrë që t’iu merrte para.

Tiranë, 31 maj - Një 25-vjeçar, i cili hiqej si agjent i Interpolit, është ndaluar nga Policia e Tiranës pasi akuzohet se u bënte presion drejtuesve të automjeteve, në mënyrë që t’iu merrte para. I dyshuari është Luftar Hoxha, nga Mati, banues në kryeqytet, të cilit iu gjet edhe një dokument i falsifikuar me siglën “Interpol”, të cilën e përdorte për të bindur shoferët që ishte punonjës policie. Dyshohet se ai ndalonte automjetet me targa të huaja, duke pretenduar se i kishte nën hetim si të trafikuara nga jashtë dhe në rast se nuk donin t’ua bllokonte, atëherë duhej t’i jepnin një ryshfet, që varionte nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë të rinj. Identifikimi i tij u bë në bazë të një kallëzimi që ishte bërë disa ditë më parë në Policinë e Tiranës nga një qytetar, i cili deklaroi se kishte rënë pre e mashtrimit të oficerit të rremë të Interpolit. Si raporton gazeta Panorama, burime nga Policia thanë se i dëmtuari është shtetasi Rikel B., 23 vjeç, banues në zonën e Saukut të Vjetër. Ai ka bërë kallëzim se disa ditë më parë, pas mesnatës, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij me targa të huaja në afërsi të 15-katëshit në qendër të Tiranës dhe personi në fjalë i ka bërë shenjë që të ndalonte. Sipas tij, një automjet tip “BMW”, me targë angleze RY 51 LVJ i është afruar shumë pranë dhe drejtuesi i mjetit, që rezultoi të ishte “oficeri” Luftar Hoxha i ka kërkuar të ndalonte. Por, duke e parë si të dyshimtë këtë veprim dhe për shkak se nuk e njihte personin e veturës tjetër, 23-vjeçari ka vazhduar rrugën në drejtim të Saukut, për të shkuar në shtëpi. Pas një ore është ritakuar sërish me veturën e Hoxhës dhe kësaj herë ka ndaluar. I dyshuari i ka treguar një dokument me mbishkrimin “Interpol” dhe i ka thënë se ishte oficer i kësaj zyre, duke pretenduar se vetura e të riut rezultonte e trafikuar nga jashtë dhe për këtë arsye duhej ta bllokonte. Hoxha i ka kërkuar dokumentet e automjetit, por i ka propozuar edhe një marrëveshje, në mënyrë që të vazhdonte rrugën për në shtëpi. Ai i ka kërkuar 10 mijë lekë të rinj në mënyrë që ta linte të shkonte dhe të mos i bllokonte automjetin.

Pas këtij kallëzimi, policia e Tiranës ka arritur ta identifikojë dhe më pas ka ndaluar të dyshuarin Luftar Hoxha, të cilit në makinën që drejtonte i është gjetur edhe një dokument me siglën “Interpol”, me emrin e tij. Më pas ka treguar se dokumenti ishte i falsifikuar dhe e kishte blerë në Greqi. Burimet thanë se i ndaluari dyshohet ta ketë përdorur këtë dokument edhe në raste të tjera, si në rastin që është denoncuar, dhe për këtë arsye kanë nisur verifikimet.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...