Ndërroi jetë prof. Vahide Hoxha, nesër varrimi

31 Maj 2013 - 12:17      

Pas një sëmundjeje të shkurtër, sot në Prishtinë ndërroi jetë prof. Vahide Hoxha, kryetare e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës, punëtore shumëvjeçare e arsimit dhe bashkëshorte e komandantit të Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Aradheve Partizane të Kosovës, Fadil Hoxhës, bën të ditur Kryesia e Shoqatës së Veteranëve të LANÇ të Kosovës.

Prishtinë, 31  maj - Pas një sëmundjeje të shkurtër, sot në Prishtinë ndërroi jetë prof. Vahide Hoxha, kryetare e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës, punëtore shumëvjeçare e arsimit dhe bashkëshorte e komandantit të Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Aradheve Partizane të Kosovës, Fadil Hoxhës, bën të ditur Kryesia e Shoqatës së Veteranëve të LANÇ të Kosovës.   



E lindur më 26 qershor të vitit 1926 në Prizren, në një familje atdhetare arsimdashëse, Vahide Kabashi – Hoxha ishte  një ndër vajzat e rralla shqiptare të Prizrenit që, në kohën e Jugosllavisë mbretërore, arriti ta kryente semimaturën në Gjimnazin e Prizrenit në gjuhën serbokroate. Pas kapitullimit të Jugosllavisë dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë atëherë të okupuar nga Italia fashiste dhe çlirimit të vendit kreu gjimnazin në Shkodër e Prishtinë dhe Fakultetin Filozofik - Degën e Historisë në Shkup e Beograd. Pasi shërbeu një kohë si profesoreshë e historisë në Gjimnazin dhe Shkollën Normale të Prishtinës, ishte edhe drejtoreshë e Muzeut dhe e Institutit të Historisë së Kosovës, kryetare e Bashkësisë së Kulturës së Kosovës, deputete dhe delegate në Kuvendin e Serbisë e të Jugosllavisë dhe anëtare e Këshillit Ekzekutiv (Qeverisë) së Kosovës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si shumë e re dhe gjimnaziste iu bashkua rinisë antifashiste dhe mori pjesë në demonstrata e aktivitete të tjera  antifashiste në Prizren dhe Prishtinë. Në nëntor të vitit 1944 merr pjesë në Konferencën Themeluese të Lidhjes së Rinisë Antifashiste të Kosovës në Gjakovë si anëtare e delegacionit të Rinisë antifashiste të Prizrenit. Ishte kryetare e Komitetit të Vendit e të Rrethit të Prizrenit e të Prishtinës, anëtare e Kryesisë së Frontit të Gruas Antifashiste të Kosovës dhe ushtroi edhe funksione të tjera në jetën shoqërore, politike, kulturore e arsimore.

Dha lëndën e historisë për disa vite në Shkollën Normale të Prishtinës.

Gjatë rezistencës paqësore të popullit shqiptar të Kosovës kundër regjimit okupues serb në vitet ’90 dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krah për krah me bashkëshortin e vet, ishte në anën e popullit të vet liridashës duke mos u larguar për asnjë moment nga qyteti dhe pragu i vet.

Në qershor të vitit 2005 u zgjodh kryetare e Kryesisë së Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës, të cilën e udhëhoqi me shumë përkushtim e sukses deri në momentet e fundit.

Mbledhja komemorative për të ndjerën mbahet të shtunën në orën 11.00 në sallën e kinemasë ABC në Prishtinë. Kortezhi funeral niset nga shtëpia e së ndjerës në Prishtinë, rruga “Nazim Gafurri” nr. 145 në orën 13.oo kurse ceremoniali i varrimit bëhet në orën 15.00 në varrezat e qytetit të Gjakovës, pranë varrit të bashkëshortit të saj, Fadil Hoxhës, thuhet në njoftim.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...