Fushata zgjedhore lë në harresë turizmin

31 Maj 2013 - 10:04      

Sezoni turistik ka nisur prej ditësh, me problematikat e tij, që duket se nuk ndryshojnë aspak nga ato të një viti më parë dhe viteve të tjera paraardhëse, shkruan sot në “Shqip” Vasil Bedini, kryetar i Shoqatës së Turizmit Shqiptar për Jugun.
Mungesa e infrastrukturës së duhur rrugore, veçanërisht ajo e pikave dhe qendrave me interes historik, arkeologjik e natyror, mungesa e mbështetjes me politika stimuluese ndaj sektorit të turizmit, injorimi i shqetësimeve me të cilat përballen operatorët. Këto janë vetëm pak nga moria e problemeve që ndeshin çdo ditë, ata që po sfidojnë dhe po sakrifikojnë në një sektor, ku, potencialet janë të mëdha, por produkti është ende i limituar.

Tiranë, 31 maj -  Sezoni turistik ka nisur prej ditësh, me problematikat e tij, që duket se nuk ndryshojnë aspak nga ato të një viti më parë dhe viteve të tjera paraardhëse, shkruan sot në “Shqip” Vasil Bedini, kryetar i Shoqatës së Turizmit Shqiptar për Jugun.

Mungesa e infrastrukturës së duhur rrugore, veçanërisht ajo e pikave dhe qendrave me interes historik, arkeologjik e natyror, mungesa e mbështetjes me politika stimuluese ndaj sektorit të turizmit, injorimi i shqetësimeve me të cilat përballen operatorët. Këto janë vetëm pak nga moria e problemeve që ndeshin çdo ditë, ata që po sfidojnë dhe po sakrifikojnë në një sektor, ku, potencialet janë të mëdha, por produkti është ende i limituar.

Për të gjithë ne, që punojmë në fushën e turizmit, për të gjitha ato subjekte që kanë krijuar një emër dhe një profil të caktuar, sezoni aktual ka një specifikë të veçantë: zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Dhe kjo, për arsyen e vetme, se, kjo ngjarje e rëndësishme, përcaktuese për të ardhmen e vendit dhe perspektivën europiane, ka eklipsuar faqen tjetër të problematikës së ditës, ka eklipsuar fillimperiudhën e sezonit turistik dhe vazhdimësinë e tij. Ky risk, që duket se është mjaft i dukshëm, bëhet edhe më shqetësues, po të kihet parasysh fakti se, dita e zhvillimit të zgjedhjeve, përkon me kulmin e sezonit, në pikëpamjen kalendarike, ndërkohë që efektet e procesit zgjedhor, dihet se do të vazhdojnë gjatë, shumë më gjatë.

Kjo është shqetësuese, me të vërtetë mjaft shqetësuese, nëse do të shprehesha me një gjuhë të butë. Askush nuk e ka mendjen tek sezoni që tashmë ka filluar, askush nuk do t’ia dijë se, në sektorin e turizmit, aktualisht jemi kaq të limituar sa, është për të ardhur keq. Bëhen premtime për uljen e TVSH-së deri në 10 për qind, por vetëm në kohë fushate. Por, nga ana tjetër, është kjo fushatë që po rrit në mënyrë të ndjeshme dukurinë e zaptimit të bregdetit dhe kioskëzimit të tij, për shkak të paralizimit të plotë të punës së administratës shtetërore. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe moratoriumi i skafeve që ka pushuar efektet e tij, nuk po duket aq efektiv sa mund të pritej. Plazhet janë të papastruara, veçanërisht në pjesën e bregdetit që administron Bashkia e Orikumit.

Jemi të kushtëzuar në paketat turistike, që hartojmë me partnerët tanë të huaj, sepse e tillë është gjendja. E ku, mund të dërgohen turistët e huaj, pavarësisht potencialeve tona të jashtëzakonshme. Sikundër përmenda më lart, infrastruktura rrugore që lidh pikat me interes historik, arkeologjik, natyror etj., është lënë në mëshirë të fatit. Me përjashtim të ndonjërës prej tyre, siç është p.sh. Manastiri i Zvërnecit, të tjerat as mund të mendohet se mund të shfrytëzohen. Kalaja e Kaninës, aq e mrekullueshme për vlerat që ka, Kalaja e Tragjasit, sarajet e Dervish Aliut, në Dukat, apo më keq akoma, qyteza antike e Amantias, nuk mund të përfshihen kurrsesi në paketat tona turistike, për shkak të mungesës, apo të gjendjes së rëndë të rrugëve që të çojnë tek to. Po ashtu, qyteza antike e Orikut, për shkak të problematikës së njohur prej vitesh, është jashtë çdo imagjinate për ta bërë pjesë efektive të resurseve tona të turizmit kulturor edhe për shumë vite të tjera.

Sheshi i Flamurit, për arsye objektive, vazhdon të mbetet i pashfrytëzueshëm, për shkak të punimeve të rikonceptimit të tij.

Pasoja… merret lehtë me mend… Për të bërë efektive paketën turistike, ne duhet të mendojmë dhe të shfrytëzojmë resurse të tjera që janë larg Vlorës. Pra, duhet të mendojmë për t’i dërguar turistët e huaj, në rrethe e qarqe të tjera. Por, a është me efektivitet kjo? Çfarë humbet dhe fiton Vlora nga ky realitet? Për të fituar, fiton pak, ose më saktë shumë më pak, krahasuar me mundësitë dhe kapacitetet reale të turizmit. Për të humbur, humbet shumë.

Nuk është e vështirë të bëhen llogaritë. Bilanci është i qartë. Me paketa të limituara, në kushtet e mungesës së kushteve të përshtatshme, të cilat i përmendëm pjesërisht më lart, edhe të ardhurat janë të limituara. Sepse, sot turistët e huaj, nuk kanë nevojë vetëm për detin dhe plazhin, por shumë më tepër se kaq. Ky fakt është i njohur tashmë. Aq më tepër, po të kemi parasysh se, aktualisht, fluksi i turistëve të huaj përbëhet kryesisht nga moshat e dyta dhe të treta, për të cilat janë parësore vlera të tjera të resurseve turistike, sikundër janë kultura, historia, arkeologjia. Këto vlera, ne i kemi, madje në dimensione të konsiderueshme dhe mund të krenohemi me to. Mund të krenohemi me historinë që evokon kalaja e famshme e Kaninës, që lidhet me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Mund të krenohemi me vlerat e jashtëzakonshme të Amantias, që shtyn në mijëra vjet identitetin tonë kombëtar, origjinën tonë të lashtë. Mund të krenohemi me Orikun, ku ndërthuren emra dhe ngjarje me rëndësi botërore të lashtësisë, ndaj të cilave bota është mjaft e ndjeshme. Mund të krenohemi gjithashtu me dhjetëra e dhjetëra objekte të tjera, të cilat do të ishin dinjitioze për çdo vend. Por, vetëm kaq. Për fat të keq, ato nuk mund t’i shfrytëzojmë për arsyet që thamë më lart. Dhe ky është problemi, një problem madhor që duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt të jetë e humbur. Në të kundërt, shifrat e milionave të turistëve, jo vetëm që nuk mund të qëndrojnë në statistikat që mbyllim çdo vit në finish të sezonit, por, përkundrazi. Ne, rrezikojmë për perspektivën. Në mjedisin turistik rajonal, ne mund të mbijetojmë dhe të krijojmë aksesin tonë, vetëm përmes identitetit tonë. Përmes vlerave tona tipike.

Çfarë duhet bërë? Në radhë të parë, strukturat shtetërore, vetë politika, duhet të jenë të ndjeshme ndaj këtij realiteti. Nuk ka rëndësi është periudhë fushate zgjedhore, apo një periudhë normale. Sektori i turizmit, si dega bazë e ekonomisë shqiptare, duhet të trajtohet me përparësi edhe në periudha të tilla, si kjo aktuale. Objektivi respektiv i zgjedhjeve për çdo subjekt politik, nuk duhet të eklipsojë interesat madhore të vendit, që kanë në bazë edhe sektorin dhe sezonin turistik. Prandaj, vëmendja duhet të jetë këtu, po aq, madje më shumë se fushata zgjedhore. Alarmi ka rënë. Dhe politika, nuk duhet të vazhdojë të jetë indiferente, ashtu siç po shfaqet deri tani. Kam hedhur një ide dhe kam ngritur një shqetësim mjaft real, në diskutimet e mia. “Apartamentizimi” i turizmit, si një dukuri mjaft e dëmshme në këtë sektor, me pasoja për të tashmen dhe, më shumë akoma, për të ardhmen. Por, kjo dukuri, aktualisht po shfaqet në të gjitha dimensionet e veta dhe po rrezikon të dëmtojë seriozisht, një tendencë pozitive, të krijuar me mundime dhe vështirësi, nga operatorët dinjitozë turistikë. Indiferenca dhe, pse jo, nxitja qoftë edhe përmes mosveprimit nga klasa politike, nga strukturat shtetërore, po i krijon kësaj dukurie, hapësirat e mjaftueshme që ajo të zgjerohet edhe më tej. Prandaj, nuk ka kohë për indiferencë. Turizmi, nuk është pronë e operatorëve që operojnë në këtë sektor, por i të gjithëve.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...