Tirana, qyteti më i zhurmshëm

24 Prill 2013 - 10:29      

Ndotja akustike në kryeqytet është disa herë më e lartë sesa standardi i Bashkimit Evropian. Në disa zona në kryeqytet dhe kryesisht tek sheshi "Ataturku", i cili njihet si kryqëzimi i '21 Dhjetorit' dhe 'Zogu i Zi', niveli i ndotjes shkon në 80 decibel, nga 35 deri në 50 decibel që është norma e lejuar evropiane. Ndotje të lartë akustike ka edhe në disa zona të tjera ku qarkullimi i automjeteve është i lartë.

Tiranë, 24 prill -Ndotja akustike në kryeqytet është disa herë më e lartë sesa standardi i Bashkimit Evropian. Në disa zona në kryeqytet dhe kryesisht tek sheshi "Ataturku", i cili njihet si kryqëzimi i '21 Dhjetorit' dhe 'Zogu i Zi', niveli i ndotjes shkon në 80 decibel, nga 35 deri në 50 decibel që është norma e lejuar evropiane. Ndotje të lartë akustike ka edhe në disa zona të tjera ku qarkullimi i automjeteve është i lartë.

Një element tjetër që rrit nivelin e ndotjes akustike janë lokalet e natës, të cilët jo vetëm që qëndrojnë hapur thuajse gjatë gjithë natës, por nuk respektojnë as parametrat e izolimit. Sipas specialistëve në Ministrisë së Mjedisit nga rreth 100 lokale nate që ka kryeqyteti me muzikë live vetëm 10 prej tyre respektojnë normat. Ndaj gjatë kontrolleve të ushtruara janë gjobitur rreth 50 lokale, ndërsa për 15 prej tyre është vendosur pezullim aktiviteti. Alfred Deshati kreu i Kontrolleve në Ministrinë e Mjedisit ka bërë të ditur se problemet më të madha përsa i përket ndotjes akustike janë në Tiranë, dhe kjo jo vetëm nga lokalet e natës, por edhe nga zhurmat që shkaktohen nga automjetet si dhe boritë e tyre. Ku zona më problematike për sa u përket zhurmave të mëdha është zona e ish-Bllokut, ku lokalet edhe gjatë orëve të vona të natës e mbajnë muzikën në "kup të qiellit".

Ndër të tjera ai ka sqaruar se janë me dhjetëra ankesa që vijnë nga qytetarët për problemet me zhurmat, të cilat shpesh nuk kanë të bëjnë vetëm me lokalet e natës, por edhe me zhurmat e gjeneruara nga lokalet apo dyqanet e ndryshme që janë poshtë pallateve, apo edhe nga klinikat private sidomos ato dentare që shkaktojnë ndotje të lartë për banorët e pallateve. "Në asnjë vend në Tiranë nuk ka një tabelë që të ndalohen boritë e makinave, të cilat shpesh janë aq të shumta sa janë të papërballueshme nga qytetarët. Por veç sinjalistikës rrugore duhet edhe një ndërgjegjësim i vetë drejtuesve të automjeteve",-sqaron Deshati. Sipas tij është turp që në kryqëzimin e spitaleve shoferët e automjeteve tu bien pafund borive, pasi aty ka pacientë që luftojnë me jetën.

Nga monitorimi më i fundit i zhurmave urbane në vend, Instituti i Shëndetit publik ka konstatuar se Tirana është një ndër qytetet më të zhurmshme, i cili ka zhurma jo vetëm ditën, por edhe natën. Matjet janë bërë në ato pjesë të qytetit ku ka kryqëzime të rëndësishme dhe zona të banuara, ku ka rezultuar se zhurmat arrijnë disa fish më të larta se normat e lejuara. Shkak, sipas studimit të Institutit të Shëndetit Publik, në këtë rast bëhet qarkullimi i mjeteve të rënda, sidomos betonieret që shërbejnë për transportin apo përpunimin e materialeve të ndërtimit, si dhe krijimi i trafikut. Në ketë rast rekordi i zhurmave krijohet në zonat e zhvilluara urbane.

Instituti i Shëndetit Publik e ka cilësuar Tiranën si metropoli i zhurmave, duke qenë se nga matjet që u janë bërë zhurmave, ka dalë se ndotja akustike në kryeqytet është rreth 15 herë më e lartë se standardet e vendeve të Evropës. Duke iu referuar monitorimit më të fundit të bërë në tetë qytete, konstatohet se Tirana është qyteti me ndotje të lartë akustike, me nivele që arrijnë deri në 74 dB (decibel) në kryqëzime të rëndësishme dhe se nga këto nivele janë prekur një pjesë e rëndësishme e popullatës. Në krahasim me qytetet e tjera, Tirana jo vetëm që renditet i para për sa i përket nivelit të lart të ndotjes akustike gjatë ditës, por edhe gjatë natës. Gjithashtu sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, Tirana vazhdon të jetë qyteti më i zhurmshëm dhe vlerat nuk shkojnë asnjëherë drejt rënies, por drejt rritjes. Sipas këtij studimi, faktorët që ndikojnë në rritjen e ndotjes akustike janë: lëvizje parazitare, mungesa e parkimeve, lëvizja e automjeteve të rënda pa kriter dhe mungesa e rrugëve dytësore, që të bëj lehtësimin e qarkullimit të automjeteve nëpër rrugët e kryeqytetit.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...