Ngecje në zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme

20 Prill 2013 - 22:32      

Sa herë që përmendet zhvillimi i përgjithshëm ekonomik, thuhet se rol kryesor në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në strukturimin ekonomik, e kanë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NMV). Edhe autoritetet kompetente vazhdimisht kanë thënë se kanë krijuar kushte për operimin e këtyre kompanive, por që në realitet duket ndryshe, thonë ekspertë të ekonomisë.

Prishtinë, 20 prill - Sa herë që përmendet zhvillimi i përgjithshëm ekonomik, thuhet se rol kryesor në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në strukturimin ekonomik, e kanë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NMV). Edhe autoritetet kompetente vazhdimisht kanë thënë se kanë krijuar kushte për operimin e këtyre kompanive, por që në realitet duket ndryshe, thonë ekspertë të ekonomisë.

Së fundi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka paraqitur një dokument “Strategjia e Zhvillimit Ekonomik të NMV-ve, në Kosovë 2012-2016 me vizion 2020”.

Ekspertë të ekonomisë thonë se dokumentet dhe strategjitë janë të domosdoshme për zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, por që këto dokumente nuk duhet të mbesin vetëm në letër.

Naser Garçevci, njohës i kësaj fushe, thotë për Radio Evropa e Lirë se për të përmirësuar gjendjen e sektorit privat në Kosovë, duhet të zbatohen strategjitë e miratuara.  

“Parashikimet strategjike që janë bërë, Qeveria t'u përmbahet dhe t'i realizojë në një përqindje të madhe. Në rast se ekziston ky variant, sigurisht se dokumenti sjell rezultate, e  në rast se kemi bërë vetëm dokument që të themi se kemi strategji, apo ndoshta vetëm për të dalë në opinion, atëherë dokumenti në vete nuk është një mjet, i cili nxit zhvillimin ekonomik apo përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme”, vlerëson Graiçevci.

Ai shpreh shqetësimin se në dy vitet e fundit, ka pasur në rikthim mbrapa të gjendjes së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Kosovë.

“Të krijojmë biznese të krijojmë ambient, nga bizneset mikro të shkojmë në biznese të vogla, nga të voglat në të mesme, nga të mesmet në të mëdha. Fatkeqësisht, me gjithë këtë përqindje të ulët, me 0.6 për qind të bizneseve që kanë më shumë se 250 punëtorë, edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës është jo në një qëndrueshmëri, edhe në një pozicion që mundëson krijimin e vendeve të reja të punës, krijimin e një bazë të mirë për burime buxhetore dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik”, thekson Graiçevci.

Sidoqoftë, në “Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të NMV-ve, në Kosovë 2012-2016 me vizion 2020”, thuhet se 98 për qind e bizneseve janë mikro-ndërmarrje, që do të thotë se kanë më pak se 10 punëtorë, 1.35  për qind  janë biznese të vogla, me më pak se 49 punëtorë, 0.22 për qind janë ndërmarrje të mesme, deri në 250 punëtorë, ndërsa biznese të mëdha paraqiten 0.06 për qind që kanë mbi 250 punëtorë.

Nga këto ndërmarrje, mbi 50 për qind janë të përqendruara në tregti më pakicë, transport deponim dhe distribucion, 14 për qind produkte ushqimore, ndërkaq 9 për qind, si hotele dhe restorante.

Lidhur me këtë, Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, thotë se autoritetet kompetente duhet që të krijojnë politika favorizuese për rritjen e ndërmarrjeve të mëdha në vend, në mënyrë që të rritet numri i të punësuarve.

Ai, madje, konsideron se problemet në sektorin privat fillojnë që nga regjistrimi i tyre, e pastaj edhe me mungesën e furnizimit të rregullt me energji elektrike dhe ujë.

“Këto janë problemet, me të cilat përballen Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme dhe nuk ka ndonjë plan nga ana e Qeverisë, edhe pse ekziston një strategji e miratuar para dy vjetësh, nuk është bërë asgjë konkrete për të pasur një plan për mbështetjeje, qoftë  iniciativa të reja, qoftë nga ndërmarrjet ekzistuese, të cilat janë të regjistruara, ku shumica prej tyre pas një kohe të shkurtër shuajnë edhe aktivitetin e tyre”, konsideron Demi.

Ekspertë për çështje ekonomike thonë se ekziston nevojë urgjente për zhvillimin dhe krijimin e ndërmarrjeve më konkurrente, të cilat mund të prodhojnë produkte që mund të konkurrojnë me ato të importuara dhe të konkurrojnë në rrafshin ndërkombëtar.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...