Gjirokastra e Berati s’janë në “listën e trashëgimisë në rrezik”

18 Prill 2013 - 14:28      

Berati e Gjirokastra duket se i kanë shpëtuar përfshirjes në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, por kjo nuk do të thotë se në këto dy qytete-muze nuk ka probleme, shkruan sot “Panorama”. Këtë e pranojnë dhe dy nga zyrtarët më të lartë të trashëgimisë kulturore, drejtori i Trashëgimisë pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Arbër Kadia dhe drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe. Menjëherë pas publikimit në media të problematikave dhe orientimeve të

Tiranë, 18 prill - Berati e Gjirokastra duket se i kanë shpëtuar përfshirjes në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, por kjo nuk do të thotë se në këto dy qytete-muze nuk ka probleme, shkruan sot “Panorama”.  Këtë e pranojnë dhe dy nga zyrtarët më të lartë të trashëgimisë kulturore, drejtori i Trashëgimisë pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Arbër Kadia dhe drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe. Menjëherë pas publikimit në media të problematikave dhe orientimeve të propozuara nga një raport i ICOMOS-it, në lidhje me gjendjen në dy qytetet e shpallura pasuri botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s, në ambientet e IMK-së u zhvillua një konferencë për shtyp për të dhënë sqarime në lidhje me këtë raport. Gjithashtu u fol edhe për Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve dhe ekspozitën arkeologjike në Itali.

Sa i përket raportit të hartuar nga ekspertja e Organizatës Ndërkombëtare të Konservimit të Monumenteve, Eleni Maistrou, u tha se i rëndësishëm është fakti që përmes tij kumtohet që Gjirokastra dhe Berati i shpëtojnë listës së pasurisë botërore në rrezik. Drejtori i IMK-së pranoi se qyteti i Gjirokastrës paraqet probleme sa i takon braktisjes së shtëpive nga banorët në qendrën historike dhe, sipas orientimeve të ekspertëve, duhet të nxitet kthimi i tyre. Në lidhje me këtë çështje në raport thuhet se: “Shumica e pronarëve të këtyre shtëpive nuk kanë mundësi financiare për konservimin apo restaurimin e tyre. Si rrjedhojë, shumë shtëpi janë të braktisura dhe janë subjekt i rrënimit. Aq më tepër që disa shtëpi kanë shumë pronarë të shpërndarë në gjithë botën, të cilët është e vështirë të gjenden”. Edhe Baçe e vlerësoi këtë si problematikën kryesore të qytetit të gurtë. “Gjirokastra është një qytet që rrëshqet. Banorët po zhvendosen në pjesën e poshtme të qytetit, çka çon edhe në braktisjen e këtyre shtëpive. Përpjekjet tona kanë qenë të vazhdueshme, për të pasur një bashkëpunim me privatët, por në këtë pikë jemi ndeshur me palët e interesit”, u shpreh Baçe.

Raporti i ICOMOS-it i parashtronte një varg sugjerimesh qeverisë shqiptare, që lidheshin kryesisht me përmirësimin e Ligjit aktual për Trashëgiminë, fuqizimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës me specialistë, por edhe me para, duke propozuar që IMK të jetë përgjegjëse për të gjitha zhvillimet që ndodhin në këto qytete dhe drejtoritë rajonale të jenë zyra në varësi të këtij institucioni. Këto propozime janë parë pozitivisht nga pala shqiptare, pasi dëshmojnë për kapacitetet që ka ky institucion. Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në MTKRS, Arbër Kadia, u shpreh se tashmë po punohet për përmbushjen e propozimeve dhe se një pjesë e mirë e tyre tashmë janë vënë në jetë. Sa i përket problemit të ndërtimeve pa leje, që hasen më së shumti në Gjirokastër dhe klasifikimit të ndërtesave në qendrën historike, sipas propozimeve të ICOMOS-it, Kadia u shpreh se kjo çështje do të shqyrtohet nga një grup ekspertësh dhe është ende herët për të folur konkretisht mbi të.

Tashmë edhe në Shqipëri data 18 prill u kushtohet monumenteve të kulturës. Sipas drejtorit të Trashëgimisë pranë MTKRS-së, Arbër Kadia, aktivitetet që do të zhvillohen sot në të gjithë Shqipërinë, do të fokusohen kryesisht te sensibilizimi i popullsisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti të brezave të rinj. Në kuadër të kësaj dite, sot pranë Drejtorisë Rajonale të Tiranës apo, siç njihet ndryshe te Mozaiku i Tiranës, do të përurohet “Baraka Multimediale”, e cila do të jetë një pikë informacioni dhe edukimi për publikun e gjerë. Në ceremoninë e përurimit do të jetë i pranishëm dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti.

 

comments powered by Disqus

Rrjetet sociale

Të tjera

Loja me heronjtë

24 Maj 2015 - 07:01

Tri zhvarrimet e Isa Boletinit

24 Maj 2015 - 06:45

Lisi i shekujve

24 Maj 2015 - 06:42

Karikatura e ditës

Jeton Mikullovci
Galeria >

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...