Gazeta Shqip: Kazani i koalicionit po zien

15 Prill 2013 - 22:15      

Zhvillimet e ditëve të fundit në politikën shqiptare treguan dukshëm se demokracia reale nuk është dhe nuk mund të jetë e njëjtë me një demokraci ideale. Demokracia elektorale rrjedh dhe trajtësohet nga ndërveprimi i forcave politike, në mes të idealeve që ato mbartin dhe realiteteve politike që lindin në procesin e përsosjes të koalicioneve, që do të realizohen në pragzgjedhjet e 23 qershorit.

Partia Socialiste, me një elektorat të majtë të admirueshëm, deri në xhelozues për të djathtën, ndryshe nga herët e tjera, e mbyllur në një filozofi konservatore elitare, në këto zgjedhje, e ka kuptuar gabimin, se beteja fitohet duke i rreshtuar të gjitha forcat progresive në një front të përbashkët, për të përmbysur kundërshtarin. Paqartësisht, pakuptimisht dhe padrejtësisht, politika shqiptare etiketohet nga shumë pseudopolitikanë, pseudoanalistë, oportunistë të sëmurë, se ka një moral të ndryshëm midis së majtës dhe së djathtës. Çarjet, përçarjet, fyerjet, lëvizjet e lavjerrësve politikë të deputetëve nga e majta tek e djathta dhe anasjelltas, në ekstremet morale, nuk kanë munguar gjatë jetës parlamentare të mbi dy dekadave nën demokraci. Ka ardhur koha që t’i jepet fund dhe të korrigjohet prostitucioni politik i deputetëve pa moral, që me votat e elektoratit të majtë, shkojnë e flirtojnë tek e djathta, për të mbajtur në pushtet regjimin e Berishës. Ajo që harrohet dhe që është një politikë reale shqiptare, e provuar gjatë periudhës së pluralizmit, është se në Shqipëri nuk u arrit të instalohet një e djathtë potenciale, por luhet me parulla bajate në emër të së djathtës ideale. Po të kujtojmë dhe evokojmë fjalorin banal të liderëve, të djathtë e të majtë, konstatojmë se vokabulari i tyre është pasuruar me zhargone të reja, por jo me përmbajtje që shënojnë progres shoqëror. Jeta politike, në tërë rotacionin e pushteteve që kanë qarkulluar këto vite, ka provuar se kanë ndryshime esenciale në filozofinë e qeverisjes, midis asaj të ashtuquajtur e djathtë dhe të majtës shqiptare (kuptohet që në Shqipëri, nuk ka të djathtë, përderisa Partia Demokratike është ekstremisht kundër njohjes së pronës së ish-pronarëve legjitimë). E majta shqiptare ka provuar se është më tepër progresive dhe demokratike në qeverisjen e saj, me anë të meritokracisë dhe gjithëpërfshirjes të forcave politike progresive. Ndërsa “e djathta”, dukshëm është shpërfaqur si një kamp i grupuar në godinën që qëndron në këmbë, mbi katër shtylla të fuqishme që janë: “militantizmi, nepotizmi, klientelizmi dhe krahinarizmi”. Parimi i meritokracisë dhe bashkëqeverisjes është përjashtuar.Qëndrimi destruktiv i Partisë Demokratike, për heqjen e komisionerit të LSI-së nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është një provë tjetër që dëshmon se Berisha nuk ka hequr dorë nga marifetet e vjetra për manipulimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Reagimi i institucioneve ndërkombëtare, europiane dhe SHBA-së, për të mos e cenuar strukturën e Komisionit të Zgjedhjeve, janë një ogur i mirë, por që nuk duhet t’i besohet “ariut të kuq”, Berishës, që qimen e ndërron, por zakonin s’e harron.

E majta ka qëndruar në opozitë gjatë, për mungesë të moralit të liderëve të saj, që ia kanë dhuruar pushtetin të “djathtës”, për afera korruptive, të kësaj klase politike të degjeneruar. Koston dhe pasojat e privacioneve i ka vuajtur dhe po i vuan elektorati i majtë, që është hedhur në rrugët e papunësisë, i shpërfillur nga administrata e pushtetit të pushtimit, të qeverisë “Berisha”. Ky refleksion politik i së majtës, duke u grumbulluar në familjen e tyre politike, është një vetëkorrigjim i atyre aventurave që kanë kryer në kurriz të elektoratit për tetë vjet rresht, pa shfaqur as më të voglin pendim. Me sa duket Rama dhe Meta e kuptuan, apo i mësuan ta “kuptojnë”, se lufta brenda llojit është një vetëvrasje gladiatorësh politikë. Grumbullimi i partive dhe partiçkave, që kanë vetëm kryetar pa anëtarë, në vathën e së majtës, ishte një sinjal reflektimi, që Partia Socialiste e bëri publike në opinionin shoqëror. Ardhja e LSI-së në koalicionin e majtë, natyrshëm ka ngjallur debat për moralin e saj të dobët që manifestoi gjatë zgjedhjeve të kaluara. Por, duhet të harrohet e kaluara, si një ëndërr e keqe, e shëmtuar. Në politikë, nuk ka as dashuri e as armiqësi të përjetshme, por norma e parime, që korrigjojnë e rregullojnë funksionimin e një organizmi politik vital. Ftesa publike më e freskët, që bëri Edi Rama, mediatikisht, ishte oferta ndaj Partisë së Aleancës Kuqezi, për t’u bërë pjesë e koalicionit të frontit, për të rrëzuar pushtetin e pushtimit të shqiptarëve. Personalisht, këtë ftesë e quaj të motivuar, për vetë faktin se na bashkojnë idealet e shembjes së pushtetit vrastar të Berishës, që lideri ynë Kreshnik Spahiu, e ka vënë në shënjestër të strategjisë të gjithë luftës politike dhe misionit kombëtar, që ka kjo forcë e re progresive. Edhe protesta e 7 prillit ishte një manifestim mbarëkombëtar paqësor, popullor, që kishte në shënjestër rrëzimin e këtij pushteti vrastar, të korruptuar, që u ka zënë frymën shqiptarëve. Kazani i koalicionit të majtë po zien dhe është i hapur të pranojë të gjitha ato forca politike me profil kombëtar, që duan ta rilindin Shqipërinë me një fytyrë të re, për një të ardhme të shëndetshme.

Koha do të tregojë, sesa afër dhe larg jemi me njëri-tjetrin.



 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...