Maqedoni: OJQ-të njoftojnë për parregullsi në votime

7 Prill 2013 - 18:52      

Organizatat joqeveritare që po e ndjekin raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni në 29 komuna dhe në qytetin e Shkupit, kanë informuar për një varg parregullsish të regjistruara nga monitoruesit e tyre në terren. “Monitoruesit tonë në terren regjistrojnë një

Shkup, 7 prill - Organizatat joqeveritare që po e ndjekin raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni në 29 komuna dhe në qytetin e Shkupit, kanë informuar për një varg parregullsish të regjistruara nga monitoruesit e tyre në terren. “Monitoruesit tonë në terren regjistrojnë një atmosferë tejet të tensionuar të procesit të votimit. Më e tensionuar është situata është në Koçan, ku ka një prani të theksuar të policisë, posaçërisht pas arrestimeve të mbrëmshme të anëtarëve të një partie politike”.

“Derisa në Tetovë, vëzhguesit tonë kanë vërejtur se disa aktivistë të një partie politike para shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” kanë ofruar para për vota. Kurse, në Resnjë janë vërejtur vetura me targa të Shqipërisë, për të cilat supozohet se mbajnë votues nga Shqipëria. Monitoruesit tonë kanë regjistruar edhe shkelje të heshtjes zgjedhore me shpërndarjen e afisheve në interes të një partie politike, gjegjësisht kandidati, pastaj mospërdorim të UV llambës, votim pa dokumente adekuate, votim grupor, agjitim pranë kutive të votimit etj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Xhabir Deralla, drejtues i organizatës joqeveritare CIVIL.

Edhe organizata joqeveritare MOST ka kumtuar se janë vërejtur një varg parregullsish. “Gjatë orëve të paradites një votues ka thyer kapakun e kutisë, duke dashur të lëshojë fletën e votimit, në vendvotimin 1734 në Strumicë. Në Veleshtë afër Strugës janë regjistruar më shumë raste të votimit grupor. Vëzhguesit tanë në më shumë raste kanë regjistruar prani të personave të paautorizuar pranë kutive të votimit, si dhe raste kur një person ka votuar për dikë tjetër”, ka theksuar Darko Aleksov i kësaj OJQ-je.

Në anën tjetër, organet e rendit kanë bërë të ditur se personi që ka thyer kapakun e kutisë në vendvotimin në Strumicë është arrestuar, por sipas njohurive të para, ai këtë veprim e ka bërë pa qëllim, ndërkohë që kapaku është zëvendësuar dhe procesi ka vazhduar.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka njoftuar se deri në orën 13, në nivel republikan, pjesëmarrja e votuesve ka qenë 24.43 për qind, që krahasuar me raundin e parë të para dy javëve është 10 për qind më pak.

Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ, ka thënë se ky institucion është informuar për parregullsitë në terren por, siç ka theksuar ai, KSHZ-ja ka ndërmarrë të gjitha masat që të njëjtat të eliminohen në një afat të shkurtër kohor.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 24 marsit u zgjodhën 49 kryetarë të komunave. Sipas planit të decentralizimit, Maqedonia është e ndarë në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...