Zbulohen foto të vitit 1903 nga Tropoja, Prizreni, Gjakova e Mirdita

5 Prill 2013 - 11:40      

Kulla, malësorë me qeleshe e me pushkë, lumenj që rrjedhin natyrshëm, priftërinj e kisha, vende e kohë të më shumë se 100 viteve më parë, që sot nuk i njohim më. Të harruar e të varfër, në luftë për mbijetesë, shqiptarët e 1903-it na shfaqen në një koleksion fotografish. Mirdita, Gjakova, Prizreni, Tropoja, Dibra, peizazhe, kulla të mbuluara me tjegulla, burra me mustaqe-burra nga ata të besës, Shqipëria tradicionale, larg Europës e modernizmit, është ende diku, e fshehur ndër arkiva, e ashpër dhe e trishtë, në pritje...

Tiranë, 5 prill - Kulla, malësorë me qeleshe e me pushkë, lumenj që rrjedhin natyrshëm, priftërinj e kisha, vende e kohë të më shumë se 100 viteve më parë, që sot nuk i njohim më. Të harruar e të varfër, në luftë për mbijetesë, shqiptarët e 1903-it na shfaqen në një koleksion fotografish. Mirdita, Gjakova, Prizreni, Tropoja, Dibra, peizazhe, kulla të mbuluara me tjegulla, burra me mustaqe-burra nga ata të besës, Shqipëria tradicionale, larg Europës e modernizmit, është ende diku, e fshehur ndër arkiva, e ashpër dhe e trishtë, në pritje...

Albanologu Robert Elsie ka rënë në gjurmët e një koleksioni të rrallë fotografish të shkrepura në Shqipërinë e Veriut në vitet 1903-1908, transmeton BW. Më shumë se një shekull më parë, eksploruesi dhe udhëpërshkruesi austro-hungarez, Karl Shtajnmec (Karl Steinmetz), inxhinier nga profesioni do të udhëtonte këtejpari. Elsie shënon se pas një vizite të gjatë në Amerikën e Jugut, ai udhëtoi disa here në Perandorinë Osmane para se të futej në pjesën më të panjohur dhe të egër të saj, malësia e Shqipërisë së Veriut. "Në vapën e gushtit 1903, Shtajnmeci u nis nga Shkodra nëpërmjet maleve të veriut për në Gjakovë dhe Prizren. Pas vajtjes në Shkup në shtator të atij viti, ai u kthye menjëherë në Shqipëri, me një avullore nga Selaniku për në Shëngjin, për të ndërmarrë një udhëtim të dytë dyjavor në Mirditë dhe në luginën e Drinit", - thotë Elsie.

Albanologu vëren se në gusht 1904, Shtajnmeci u kthye në Shqipëri dhe udhëtoi sërish përmes Malësisë së Madhe, kësaj radhe në Shkrel, Theth, Shalë dhe Mertur për në Gjakovë, duke qenë se malësorët e penguan të vazhdonte për në Guci. Ndërkaq, udhëtimi i tretë në vitin 1908 e çoi në Mat dhe në luginën e Drinit të Zi, pra në krahinën e Dibrës. "Udhëtimet e Shtajnmecit janë shënuar në të tre librat e tij botuar në gjermanisht: 'Eine Reise durch die Hochlwndergaue Nordalbaniens' (Udhëtim nëpërmjet Malësisë së Shqipërisë së Veriut), Vjenë 1904; 'Ein Vorstob in die nordalbanischen Alpen' (Depërtim në Bjeshkët e Shqipërisë së Veriut), Vjenë 1905 dhe 'Von der Adria zum Schwarzen Drin' (Nga Adriatiku për në Drinin e Zi), Sarajevë 1908", bën me dije albanologu, duke shtuar se Shtajnmeci së bashku me baronin Franc Nopça dhe me Edit Durhamin konsideroheshin njohësit më të mirë të Shqipërisë së Veriut të asaj kohe. Ai dinte shqip dhe ishte gjithashtu autor i një gramatike dhe një fjalori: "Albanische Grammatik: nordalbanische Mundart" (Gramatika e Shqipes: Dialekti i Shqipërisë së Veriut), Sarajevë 1913 dhe "Deutsch-albanesisches Feldwörterbuch" (Fjalori ushtarak gjermanisht-shqip), Sarajevë 1913. Fotografitë e këtij koleksioni janë marrë nga të tre librat e Shtajnmecit, botuar në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të njëzet.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...