“Chopin Piano Fest”, në kujtim të Verdit

4 Prill 2013 - 09:38      

Dyqind vjet më parë, bota fitoi krijuesin i cili do të merrte epitetin trashëgimi universale e njerëzimit. Këtë vit, bota muzikore do ta mbajë mend si “Vitin e Verdit”. Festivali i vetëm pianistik që mbahet në vend, ka vendosur t’u bashkohet aktiviteteve botërore që do të nderojnë krijuesin e kryeveprave operistike. “Chopin Piano Fest - Prishtina 2013”, edicionin e katërt do t’ia dedikojë kompozitorit italian, Giuseppe Verdi. Tri ditë para se të nisë maratona prej nëntë mbrëmjesh muzikore, organizatorët kanë paralajmëruar se festivali do t’i japë përparësi literaturës së Verdit. “Chopin...” sivjet mbahet mes datave 6 dhe 28 prill.

Prishtinë, 4 prill - Dyqind vjet më parë, bota fitoi krijuesin i cili do të merrte epitetin trashëgimi universale e njerëzimit. Këtë vit, bota muzikore do ta mbajë mend si “Vitin e Verdit”. Festivali i vetëm pianistik që mbahet në vend, ka vendosur t’u bashkohet aktiviteteve botërore që do të nderojnë krijuesin e kryeveprave operistike. “Chopin Piano Fest - Prishtina 2013”, edicionin e katërt do t’ia dedikojë kompozitorit italian, Giuseppe Verdi. Tri ditë para se të nisë maratona prej nëntë mbrëmjesh muzikore, organizatorët kanë paralajmëruar se festivali do t’i japë përparësi literaturës së Verdit. “Chopin...” sivjet mbahet mes datave 6 dhe 28 prill.

Besa Luzha, drejtoreshë artistike e festivalit, ka thënë se pavarësisht se Verdi është i njohur për literaturë operistike dhe “Chopin...” i dedikohet veprave pianistike, programi është përzgjedhur në atë mënyrë që të bëhet gërshetim i të dyja gjinive muzikore.

“Ajo që ia shton sharmin edicionit të sivjetmë është se kemi më shumë vepra vokale, meqë Verdi është kompozitor i operave. Por të gjitha shoqërohen nga piano”, ka thënë Luzha.

“E veçanta e festivalit të sivjetmë është se i dedikohet 200-vjetorit të Verdit”, ka shtuar ajo. Përveç se programi i “Chopin...” do të reflektojë veprimtarinë e Verdit, festivali mbrëmjen e parafundit (më 25 prill), e ka titulluar “Mbrëmje vokale kushtuar 200-vjetorit të kompozitorit italian Verdi” dhe aty do të performojnë muzikantë nga Shqipëria dhe Kosova.

Sipas Luzhës, “Chopin...” do të hapet me performancën e një formacioni të veçantë që nuk është parë më herët.

“Festivali do të nisë me sekstetin ballkanik ‘Pro Arte’, me muzikantë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria”, ka thënë ajo.

Luzha ka shtuar se edhe sivjet, sikur edicionin e kaluar, organizatorët janë përballur me telashe gjatë organizimit. Vitin e kaluar, mbajtja e “Chopin...” kishte qenë në pikëpyetje për shkak të mungesës së sallës për koncerte.

“Edhe sivjet kemi pasur vështirësi. Salla e Kuqe prapë ka qenë e zënë dhe vetëm tri mbrëmjet e fundit do të mbahen aty. Të tjerat do të mbahen në sallën e një hoteli”, ka thënë ajo.

Adhuruesit e muzikës klasike edhe sivjet do të paguajnë nga tre euro për të përcjellë koncertet e “Chopin Piano Fest”.

Në festival sivjet do të performojnë muzikantë vendorë e ndërkombëtarë. Ndër ta pianisti çek Martin Kasik, pianistja amerikane Claire Huangci, pianisti nga Britania e Madhe Peter Donohoe, sopranoja nga ShBA-ja, Dorothy Stone, pianistja kosovare Alberta Troni, mexosopranoja nga Kosova Sanije Matoshi etj. Festivali përmbyllet më 28 prill me koncert të Filarmonisë - Opera e Kosovës dhe solistë, duke përfshirë Gotlieb Wallisch nga Austria, Lejla Haxhiu - Pula nga Kosova dhe Rene Gulikers, dirigjent nga Holanda.

Edicioni i sivjetmë i festivalit është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe nga Komuna e Prishtinës.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...