Konsumojmë mish, s’e dimë sa është i sigurt

27 Mars 2013 - 18:25      

Shtetet përtej oqeanit, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbesin eksportuesit më zëmëdhenj të mishit në Kosovë. Derisa Brazili e mbanë primatin për mish gjedhi, SHBA-ja është e dyta për eksport të mishit të shpezëve.
Ky mish për konsumatorët kosovarë konsiderohet relativisht i dyshimtë, edhe pse zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) thonë se mishi që hyn në Kosovë është i sigurt për konsum.

27 mars - Shtetet përtej oqeanit, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbesin eksportuesit më zëmëdhenj të mishit në Kosovë. Derisa Brazili e mbanë primatin për mish gjedhi, SHBA-ja është e dyta për eksport të mishit të shpezëve.

Ky mish për konsumatorët kosovarë konsiderohet relativisht i dyshimtë, edhe pse zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) thonë se mishi që hyn në Kosovë është i sigurt për konsum.

Nevojat konsumuese për kokë banori në Kosovë sillen mesatarisht prej 40-46 kg mish në vit, derisa me prodhimtarinë e brendshme vlerësohet se përmbushen vetëm rreth 50 për qind të këtyre nevojave.

Në Kosovë, sipas të dhënave nga numri i përgjithshëm i gjedheve, gjatë një viti theren 105 -120 mijë krerë, prej të cilave 80 – 85 për qind janë viça dhe kategori tjera dhe 12 - 15 për qind janë lopë të shkarkuara nga prodhimtaria e qumështit.

Boshllëkun për konsum të mishit e plotësojnë importet nga shtetet përtej oqeanit. Sipas të përditshmes “Zëri”, e cila thirret në statistikat e Doganave të Kosovës, gjatë vitit 2012 nga Brazili janë importuar 9.5 milionë kg mish, baza doganore e të cilit është 18 milionë euro.

Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se një kilogram mish nga Brazili është vlerësuar më pak se 2 euro.

Për dallim nga Brazili, nga SHBA-ja importohet sasi më e madhe e mishit, ndonëse baza doganore është më e ulët, pasi që kryesisht importohet mish pule. Gjatë vitit të kaluar nga SHBA-ja janë importuar 16.4 milionë kg mish, baza doganore e të cilit është 17.8 milionë euro.

Nga shtetet e Evropës më së shumti mish importohet nga Holanda, përkatësisht 1.8 milionë kg, me vlerë të përgjithshme prej 2.5 milionë euro, 1.5 milionë kg janë importuar nga Italia, baza doganore e së cilit është 1.1 milionë euro, 1.3 milionë kg nga Gjermania, me bazë doganore 1.1 milionë euro.

“Gjatë gjithë vitit 2012 janë importuar në Kosovë rreth 38.5 milionë kg mish, baza doganore e të cilit arrin në 52 milionë euro”, ka pohuar Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave.

“Bazuar në konsumimin total të mishit, të dhënat tregojnë se mishi i shpezëve është kategori kryesore me rreth 47 për qind, i përcjellë me mish viçi rreth 46 për qind, mish derri 5 për qind dhe mish të dhenve rreth 1 për qind të konsumimit të përgjithshëm të mishit”, ka thënë Adil Behramaj, zëdhënës në Ministrinë e Bujqësisë.

Ndërkaq, industria prodhuese dhe përpunuese e mishit në vendin tonë numëron 30 përpunues të mishit dhe 37 thertore për therjen e kafshëve.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” kanë thënë se i gjithë mishi për industri, por edhe një sasi e konsiderueshme e mishit që përdoret nëpër lokale hoteliere ka origjinë nga Brazili.

Po ashtu, sipas të njëjtave burime edhe një sasi e konsiderueshme e mishit që shitet si proshutë vendore ka origjinë nga Brazili, por ajo është vetëm e paketuar në vendin tonë.

Edhe zyrtarë të Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit alarmojnë se në Kosovë konsumohet mish i pasigurt dhe thuajse se i pakontrolluar nga organet përgjegjëse.

Selatin Kaçaniku nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit thotë se mishi në Kosovë është jashtë kontrollit institucional për vetë faktin se kontrabanda si me kafshë të gjalla ashtu edhe me mish nuk ka të ndalur. Ai thotë se përpos kësaj konsumatorëve në Kosovë iu servohet mishi i dyshimtë nga kompanitë importuese.

Sipas tij, një sasi e madhe e mishit që hyn në Kosovë është nga rezervat shtetërore dhe ushtarake të Brazilit, por edhe shteteve tjera.

Kaçaniku thotë se ditë më parë prodhuesi i njohur “Lijanoviq” ka eksportuar drejt Rusisë një kontingjent me “pashteta”, por, sipas tij, ato janë kthyer pasi është konfirmuar se lënda e parë për prodhimin e tyre ka qenë në Kosovë, ndërkaq kompanitë kosovare të mishit e kanë importuar nga Brazili.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...