Thirrje Prishtinës e Beogradit të arrijnë marrëveshje

27 Mars 2013 - 15:25      

Kosova dhe Serbia nuk duhet të lëshojnë rastin e arritjes së një marrëveshje politike në kuadër të dialogut aktual që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për bashkëpunim rajonal me seli në Sarajevë, Goran Svilanoviq.

Prishtinë, 27 mars - Kosova dhe Serbia nuk duhet të lëshojnë rastin e arritjes së një marrëveshje politike në kuadër të dialogut aktual që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për bashkëpunim rajonal me seli në Sarajevë, Goran Svilanoviq.

Ish-ministri i Jashtëm Jugosllav, mori pjesë në një debat lidhur me bashkëpunimin rajonal dhe integrimet të organizuar nga Zyra e BE-së në Prishtinë.

Me këtë rast, Svilanoviq inkurajoi të dyja palët që të arrijnë deri te marrëveshja.

“Serbia që nga viti 2000 është duke ecur përpara në rrugën drejt BE-së, por në vazhdimësi çështja e Kosovës e ka penguar në këtë rrugëtim”, ka thënë Svilanoviq, transmeton REL.

Sipas tij, një marrëveshje eventuale midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte qenësore për rrugën e saj drejt integrimeve.

Svilanoviq ka thënë po ashtu se marrëveshja që do të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë e lehtë për asnjërën nga palët.

Mirëpo, sipas tij, pikërisht momenti i arritjes së marrëveshjes do të mund të ishte shembull për të gjitha vendet e rajonit.

“Përreth nesh në rajon ka pasur disa mundësi që janë lëshuar dhe zakonisht pastaj kërkohen vite që të arrihet sërish në pikën ku palët të jenë në gjendje të flasin sërish me njëra tjetrën dhe të bëjnë marrëveshje. Prandaj shpresoj që nuk do të humbet ky rast”,  ka deklaruar Svilanoviq.

Ndërkohë, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar tha se marrëveshja për fusnotën e arritur në dialogun teknik midis Prishtinës dhe Beogradit i ka mundësuar Kosovës që të anëtarësohet në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal.

Sipas tij, bashkëpunimi ndër-fqinjësor është një prej standardeve që kërkohet në kuadër të integrimeve.

“Bashkëpunimi rajonal është edhe si gur-themel i integrimit evropian apo çfarëdo integrimi tjetër, është pikërisht aty ku fillon çdo gjë dhe mbi të cilën ndërtohet çdo gjë. Prandaj është faktorë kyç për stabilitetin politik për siguri për  prosperitet ekonomik dhe social”, ka thënë Zbogar.

Ky bashkëpunim, vijoi ai, është katalizator për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndihmojë për tejkalimin e problemeve nga e kaluara. 

Bashkëpunimi rajonal është pjesë e politikave integruese evropiane.

Në rastin e Kosovës, dialogu me Serbinë ka sjellë deri te një marrëveshje sipas të cilës, Kosova përfaqësohet në nisma e konferenca rajonale, por përmes një fusnote poshtë emrit të saj.

Fusnota, ishte pasojë e kundërshtimeve të vazhdueshme të Serbisë rreth pranisë së Kosovës të cilën nuk e njeh si shtet.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...