Qendra Kinematografike e Kosovës kërkon producentë “pasanikë”

27 Mars 2013 - 09:47      

Qendra Kinematografike e Kosovës nuk do të subvencionojë më vetëm ato projekte filmike që vlerësohen për skenar të mirë. Nga producentët filmikë do të kërkohet edhe qëndrueshmëri financiare për krejt projektin. Gjasa më të mëdha për të marrë para nga shteti, nga buxheti i këtij viti për mbështetje të filmit do të kenë edhe ata që kanë ekip më të mirë, përfshirë kastën e aktorëve, regjisorin e skenaristin. Prej 2008-s në adresë të QKK-së nuk ka pasur rast kur regjisorët e filmave të m

Prishtinë, 27 mars - Qendra Kinematografike e Kosovës nuk do të subvencionojë më vetëm ato projekte filmike që vlerësohen për skenar të mirë. Nga producentët filmikë do të kërkohet edhe qëndrueshmëri financiare për krejt projektin. Gjasa më të mëdha për të marrë para nga shteti, nga buxheti i këtij viti për mbështetje të filmit do të kenë edhe ata që kanë ekip më të mirë, përfshirë kastën e aktorëve, regjisorin e skenaristin. Prej 2008-s në adresë të QKK-së nuk ka pasur rast kur regjisorët e filmave të metrazhit të gjatë nuk kanë kërkuar mjete shtesë.

Arben Zharku, kryetar i Këshillit Drejtues të QKK-së, ka treguar se tashmë është kryer rregullorja e brendshme, e cila do të vërë kornizat me të cilat do të gjykojë juria vlerësuese.

“Juria do të vlerësojë projektet në bazë të rregullores së re që pritet të dalë për subvencionimin edhe për mënyrën e punës dhe vlerësimit të jurisë. Rregullorja ka shkuar në zyrën ligjore, dhe në bazë të afatit ligjor, besojmë se për dy javë do të miratohet”, ka treguar Zharku, teksa ka shtuar se si ajo do të ndryshojë mënyrën e votimit.

“Përveç skenarit do të merret për bazë edhe ekipi i filmit, qëndrueshmëria financiare dhe mënyra e prezantimit të projektit. Nëse një projekt ka siguruar gjysmën e mjeteve, e dimë sigurt që projektin do ta kryejë me kohë”, ka thënë Zharku. “Dikush që ka emra në ekip, regjisorë të mirë, skenaristë të mirë dhe aktorë të mirë, kjo e rrit besueshmërinë ndaj projektit”, ka shtuar më tej ai.

Plot 100 mijë euro më shumë do të ketë në dispozicion për këtë vit Qendra Kinematografike e Kosovës, në krahasim me vitin e kaluar, kur Ministria e Kulturës kishte ndarë 500 mijë euro. Zharku thotë se ato do të shpërndahen për të gjitha kategoritë të cilat i mbështet ky institucion. Konkursi për film të metrazhit të gjatë, të metrazhit të shkurtër, për film dokumentar dhe film të animuar është bërë publik të martën, përmes faqes zyrtare të QKK-së.

“Kjo e rrit mundësinë për të subvencionuar më shumë filma. Do të ketë mundësi më të madhe për filmat e të gjitha kategorive”, ka thënë Zharku.

Por se sa filma, të secilës kategori do të subvencionohen këtë vit, Zharku ka thënë se do të vendoset pasi që të kenë parë “brumin” e skenarëve që kanë aplikuar për mbështetje.

“Juria i jep notë secilit skenar. Tek pas asaj ne si Këshill nxjerrim politikë se çka ia vlen të mbështesim për këtë vit”, ka thënë Zharku.

Me buxhetin e vitit të kaluar, rreth 100 mijë euro qenë ndarë për projekte të vogla ndërkombëtare, në formë të bashkëprodhimit me Kosovën, 100 mijë euro të tjera qenë ndarë për filma dokumentarë, animacion e filma të shkurtër. Pjesa tjetër - më shumë se gjysma e buxhetit total - është ndarë për projekte filmike të metrazhit të gjatë.

 

Në konkursin që është bërë publik të martën, për filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, është shkruar se “të drejtë aplikimi kanë të gjithë personat juridikë, vendës ose të huaj, të regjistruar në Kosovë si subjekt biznesi për prodhimtari filmike dhe paraprakisht të regjistruar në QKK dhe që i plotësojnë kushtet e kërkuara me këtë konkurs”.

 

Regjisori që i mësyn të marrë para nga shteti për të bërë film të metrazhit të gjatë duhet të këtë realizuar së paku dy filma të metrazhit të shkurtër ose një film të metrazhit të gjatë (më gjerësisht në “Kohën Ditore”).

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...