Më quajnë Gjirokastra… vij nga Gjakova…

26 Mars 2013 - 11:37      

Ekspozita “Emri im, qyteti i tyre” e artistit kosovar Alban Muja, që u çel dy ditë më parë në Tiranë në galerinë “Muza”, përfshin një cikël fotografish me 7 personazhe djem dhe vajza nga Kosova që kanë emra qytetesh shqiptare. Muja trajton fenomenin përmes fotografive dhe tregon historinë që fshihet pas secilit.

Tiranë, 26 mars -  Ekspozita “Emri im, qyteti i tyre” e artistit kosovar Alban Muja, që u çel dy ditë më parë në Tiranë në galerinë “Muza”, përfshin një cikël fotografish me 7 personazhe djem dhe vajza nga Kosova që kanë emra qytetesh shqiptare. Muja trajton fenomenin përmes fotografive dhe tregon historinë që fshihet pas secilit.

Ato quhen Saranda, Gjirokastra e Vlora. Na vijnë menjëherë pamje të secilit prej qyteteve, por asnjëherë, nëse përmendet ndonjëri nga emrat, nuk mund të të vijë në parafytyrim portreti i një vajze… Janë 7 personazhe në 7 fotografi, djem dhe vajza nga Kosova me emra të pazakontë. Emra që na tingëllojnë të pazakontë ne shqiptarëve të Shqipërisë, apo që nuk do të zgjidhnim t’i thërrisnim fëmijët tanë kështu, por që janë fare të zakonshëm për shqiptarët e Kosovës. “Ka qenë një komunikim në distancë, në një kohë kur Shqipëria ishte mit për Kosovën. Komunikimi mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë i pamundshëm në komunizëm dhe i vetmi komunikim që ishte ndërtuar në trurin e prindërve ka qenë një farë besimi mitologjik mbi Shqipërinë si një vend super. Por kur e kemi vizituar Shqipërinë gjatë luftës, e kemi parë se nuk ishte ashtu. Ende edhe sot në Kosovë vihen emra që lidhen me ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit. P.sh, shumë djem të lindur pas viteve ’99 kanë marrë emrin Toni, si një falënderim nga ana e prindërve për kontributin e Toni Blerit gjatë luftës në Kosovë”,- shpjegon artisti nga Kosova, Alban Muja, i cili ka kërkuar në çdo qytet të Kosovës dhe ka zbuluar arsyen pse secili prej tyre e mban atë emër. Ky projekt ka nisur që në vitin 2004, së pari duke gjetur emrat e fëmijëve të dikurshëm, të cilëve prindërit u vinin emra qytetesh shqiptare. Gjatë kërkimeve zbuloi edhe fëmijët e sotëm me emra artistësh të show-biz-it e liderësh të politikës botërore… Por, njohja me ta është pjesë e një tjetër projekti të tij. Kësaj radhe në Tiranë, në galerinë “Miza”, ai sjell të parën ekspozitë- pjesë e projektit të tij kërkimor për emrat e pazakontë që ai ka hasur në Kosovë. “My name, their city” (Emri im, qyteti i tyre) titullohet ekspozita që vjen me një cikël fotografish me 7 personazhe, ku secili mban emrin e një qyteti shqiptar: Milot, Berat, Shkodran, Butrint, Saranda, Gjirokastra e Vlora. Është historia e emrave të dhjetëra fëmijëve kosovarë të viteve ’80-’90, që Muja i rrëfen përmes fotove.

Secili personazh identifikohet lehtësisht me emrin e qytetit, fotografinë e të cilit mban në dorë. “Fenomeni i emërtimit të fëmijëve sipas qyteteve të Shqipërisë, në Kosovë lindi si pasojë e ndikimit të politikave të identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Emërtimi i fëmijëve sipas qyteteve të Shqipërisë lindi si pasojë e pamundësisë së shqiptarëve të Kosovës që të udhëtonin drejt atij që ndienin si mëmëdhe, atje ku kishin etninë e përbashkët, çka edhe ushqente ndjenjën e nostalgjisë për Shqipërinë. Për shembull, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ka ndodhur që motrat dhe vëllezërit të ndahen, duke ngecur në dy anët e kufirit në kohën e “mbylljes” menjëherë pas kësaj lufte. Nuk kishin mundësi të takoheshin deri në periudhën e rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90. Gjatë kësaj periudhe, moskomunikimi ishte bërë zakon që fëmijët të quheshin Berat, Milot, Saranda, Gjirokastra, Shkodran, Butrint, Vlora, një gjë e pazakonshme për banorët e këtyre vendeve”, – shpjegon idenë e kësaj ekspozitë artisti Alban Muja, i cili ka takuar të gjithë personazhet me emra jo fort të zakonshëm, por që mbajnë një pjesë të historisë së fatit të tyre.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...