Galeria “Qafa” aranzhon 9 ekspozita për 9 muajt e ardhshëm

26 Mars 2013 - 10:02      

Nëntë ekspozita janë përzgjedhur që të mbahen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, për nëntë muaj, sa kanë mbetur deri në fund të vitit kalendarik. Për shkak të rinovimit të hapësirë së galerisë, që ndryshe njihet si “Qafa”, tre muajt e parë aty nuk është hapur asnjë ekspozitë.

Prishtinë, 26 mars – Nëntë ekspozita janë përzgjedhur që të mbahen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, për nëntë muaj, sa kanë mbetur deri në fund të vitit kalendarik. Për shkak të rinovimit të hapësirë së galerisë, që ndryshe njihet si “Qafa”, tre muajt e parë aty nuk është hapur asnjë ekspozitë.

Mehmet Behluli, kryetar i Këshillit Artistik, ka arsyetuar se kanë vendosur që sivjet të kenë më pak ekspozita në emër të kualitetit.

“Secili këshill synon që të ketë kriteret më të larta, në krahasim me galeritë profesionale simotra. Kriteri bazë ka qenë kualiteti, aq sa ne kemi mundur të vlerësojmë kualitetin”, ka thënë Behluli.

Ai ka thënë se galeria “Qafa” po synon që të bëjë një program me më pak ekspozita, porse ato të jenë më të mëdha dhe me një program të qëndrueshëm.

“Si galeri ‘Qafa’ kemi pasur pak më shumë e pak më shpesh ekspozita. Këtu ka bërë gjithkush ekspozitë, e nuk ka pasur njëfarë programi të qëndrueshëm”, ka thënë Behluli.

Një komunikatë për media e lëshuar nga koordinatorja e kësaj hapësire, Dhurata Ramosaj – Shala, është bërë me dije se Këshilli Artistik i Galerisë së Ministrisë së Kulturës ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet nga konkursi publik për programin e vitit 2013 dhe vendosi që në galeri të hapen nëntë ekspozita.

Suzana Varvarica me një  ekspozitë kuratoriale, si dhe ekspozitat individuale Katharina Schendl, Mal Myrtaj, Dren Maliqi, Shpend Havolli, bashkë me ekspozitat individuale të fotografëve Arben Llapashtica dhe Petrit Ukëhajdaraj të bartura nga viti 2012, janë ekspozitat që do të zënë vend në muret e galerisë “Qafa”. Veç këtyre, Këshilli Artistik ka menduar se galeria “Qafa” mund të prodhojë vetë dy ekspozita.

“Komisioni e ka të drejtën e lirë për të vendosur, sepse ky është art dhe nuk ka kritere ekzakte. Sikur dikush tjetër të kish qenë në vendin tonë, me siguri kish me vendos ndryshe”, ka thënë Mehmeti, teksa ka arsyetuar përzgjedhjen e programit për këtë vit.

Ekspozitat që do të provojë vetë të prodhojë galeria “Qafa” janë një e cila lidhet me artistet femra të Kosovës, si ekspozitë tematike, si dhe një tjetër ekspozitë që do të provojë të sjellë në Kosovë artistë së paku nga regjioni, por mbase edhe më gjerë.

Dhjetë ditë më parë, “Koha Ditore” kishte shkruar për zvarritjet në punimet për rinovimin e hapësirës ekspozuese të galerisë “Qafa”, për të cilën është thënë se do të përfundojë qysh në vitin e kaluar. Ndonëse kishte pranuar se ka vonesë, koordinatorja Dhurata Ramosaj – Shala kishte thënë se pritja do t’ia vlejë.

“Kushdo që do të ekspozojë, do të ndihet më i nderuar në këtë hapësirë”, kishte thënë Ramosaj.

Në konkursin për programin e vitit 2013 të galerisë “Qafa” thuhej se të drejtë konkurrimi kanë krijuesit nga fusha e pikturës, skulpturës, dizajnit grafik, grafikës, instalacionit, fotografisë, videos, performancës dhe arkitekturës. Vitin e kaluar Ministria e Kulturës kishte ndarë 10 mijë euro për këtë institucion. Për 2013-n ka dyfishuar këtë shumë.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...