“Travel Trip” nga Bullgaria më i miri në “Gjakova Film Fest”

26 Mars 2013 - 10:01      

Filmi “Travel Trip” i regjisores nga Bullgaria, Radostina Nejkov, ka dalë fitues në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Gjakovë. Në festivalin që është mbyllur të dielën mbrëma, më së shumti çmime ka marrë filmi “Motra” i Birol Urcanit. Atij i ka takuar çmimi i publikut, ndërsa aktorët kryesorë të këtij filmi, Loenora Muqaj dhe Ylber Bardhi, janë shpërblyer si më të mirët.

Gjakovë, 26 mars – Filmi “Travel Trip” i regjisores nga Bullgaria, Radostina Nejkov, ka dalë fitues në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Gjakovë. Në festivalin që është mbyllur të dielën mbrëma, më së shumti çmime ka marrë filmi “Motra” i Birol Urcanit. Atij i ka takuar çmimi i publikut, ndërsa aktorët kryesorë të këtij filmi, Loenora Muqaj dhe Ylber Bardhi, janë shpërblyer si më të mirët.

“Festivalet janë i vetmi vend që ne mund të prezantohemi dhe për më shumë, në këto festivale e marrim vullnetin për punë të mëtutjeshme”, ka thënë Urcan, me të përfunduar ceremonia e ndarjes së shpërblimeve. Kjo është hera e tretë që ky film merr çmime në festival. Ai më parë ishte shpërblyer për regjinë më të mirë në “Nine Eleven”. Ndërsa në “Tirana Film Festival” ishte shpallur filmi më i mirë shqip.

Për katër ditë sa ka zgjatur festivali ka pasur jo shumë publik. Frekuentimi në kinema gjatë festivalit të filmit të shkurtër në Gjakovë nuk e ka kënaqur aktorin veteran Sylejman Lokaj, që ka qenë anëtari më i vjetër i jurisë së Festivalit. Sipas Lokajt kjo është pasqyrë e gjendjes sonë reale kulturore. Atij më shumë i ka mbetur hatri me kolegët e tij aktorë, që po ashtu, sipas tij, kanë munguar gjatë katër netëve të festivalit.

“Kjo po më mërzit dhe po më habit”, ka thënë Lokaj, që thotë se megjithatë festivali për një kohë ka ngjallur jetën kulturore të heshtur në Komunën e Gjakovës.

“Jam i kënaqur me filma, por jo me gjendjen tonë kulturore, kjo është për të vajtuar. Është dashur mos me pas vend gjatë këtyre ditëve”, ka thënë Lokaj.

Aktori shqiptar, Timo Flloko, i cili për herë të dytë po bëhet pjesë e këtij festivali, tha se i vjen mirë që tashmë është krijuar një traditë e suksesshme.

“Këto janë aktivitete të rëndësishme për artdashësit. Filmi i shkurtër është një premtim për realizim të projekteve të mëdha”, ka thënë Flloko. Njëzet e katër filma nga 20 shtete të ndryshme të botës janë shfaqur gjatë këtij festivali.

Një qytetar nga Gjakova, Muharrem Kurti, ka thënë se rëndësi ka që po mbahet ky festival.

“Gjakova e meriton një festival të tillë. Nuk i kam parë të gjithë filmat, nuk e di kualitetin e filmave”, ka thënë Kurti.





 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...