Familja kërkon varrimin e ministrit Krasniqi në Kosovë (II)

26 Mars 2013 - 08:14      

Ahmet Krasniqi, ish-ministër i parë i Mbrojtjes së Kosovës, ekzekutuar më 21 shtator 1998 në Tiranë në moshën 50-vjeçare, prehet në varrezat e Sharrës, shumë pranë mikut të tij Azem Hajdari. Aziz Krasniqi, kushëriri i parë i ministrit, në intervistën dhënë për "Gazetën Shqiptare", shprehet se në këtë 15-vjetor të përkujtimit të tij do kërkojnë që eshtrat e Ahmet Krasniqit të kthehen në Kosovë dhe të vendosen në varrezat e dëshmorëve. Por si ka qenë jeta e ish-ministrit në fëmijëri, rritja e tij jetim e sa ka ndikuar familja e krijuar me serben Sllobodanka në përcaktimet e ndryshme që i kanë bërë qenies së tij pas vrasjes...

Tiranë, 26 mars Ahmet Krasniqi, ish-ministër i parë i Mbrojtjes së Kosovës, ekzekutuar më 21 shtator 1998 në Tiranë në moshën 50-vjeçare, prehet në varrezat e Sharrës, shumë pranë mikut të tij Azem Hajdari. Aziz Krasniqi, kushëriri i parë i ministrit, në intervistën dhënë për "Gazetën Shqiptare", shprehet se në këtë 15-vjetor të përkujtimit të tij do kërkojnë që eshtrat e Ahmet Krasniqit të kthehen në Kosovë dhe të vendosen në varrezat e dëshmorëve.

Por si ka qenë jeta e ish-ministrit në fëmijëri, rritja e tij jetim e sa ka ndikuar familja e krijuar me serben Sllobodanka në përcaktimet e ndryshme që i kanë bërë qenies së tij pas vrasjes...
Keni qenë ndonjë herë në shtëpinë e tij në Tiranë?

Sa di unë dhe jam i sigurt, Ahmet Krasniqi nuk ka pasur shtëpi personale në Tiranë. Ai ishte në Tiranë përkohësisht, por edhe në Tropojë, derisa të futej në Kosovë me batalionin "Skënderbeu".
Pas vrasjes së Krasniqit, pati më ofensiva serbe?

Pas vrasjes së tij në Tiranë, më 21 shtator 1998, në mëngjesin e 22 shtatorit, forcat serbe e bënë Zhilivodën (vendlindjen e Ahmet Krasniqit) rrafsh me tokë. Popull dhe ushtarë ishim të strehuar në Qyqavicë, pikërisht familja ime u gjind në vendin e quajtur Qeshmja e Djefci.

Pse nuk i interesonte politikës kosovare të kishte në qeveri një burrë si Ahmet Krasniqi?
Sepse ishte lufta për pushtet, sepse ishin përçarjet pikërisht sikur në kohën e Jusuf Gërvallës. Sepse gjatë luftës mbretëronte një atmosferë vëllavrasëse mu sikur pas Mbledhjes së Mukjes dhe kjo gjendje vazhdoi edhe pas luftës që gjithashtu janë të dhimbshme.

Vrasësit e tij janë identifikuar dy shqiptarë që përdorin dialektin e Kosovës, dini gjë për fatin e tyre, njërin kemi lexuar se është vrarë?

Besoj që për këtë pyetje jam përgjigjur në pyetjen e mësipërme. Sikur të dinim dhe të ishim të sigurt nga ajo që thuhet në net, sigurisht që do t'iu bënim padinë në gjyq. Emri dhe mbiemri i të vrarit gjendet në faqen e (FB) të Ahmet Krasniqit. Por, atë emër e shkroi nofka Arvan Arvanitas. Sa mund t'i besohet një nofke!?

E kë akuzoni për vrasjen e tij?
Kjo çështje është aq shumë e koklavitur sa s'mund t'i vesh gishtin askujt. Për këtë kemi kërkuar nga drejtësia shqiptare të hapë dosjen e Ahmet Krasniqit për t'u gjetur vrasësit, ose të na thonë nëse kjo është vazhdimësi e persekutimit të fisit tonë nga ai rrjeti enverist si Haziz Xhelivodës e ministrit Krasniqi. Është thënë se 3 vetë në atë atentat kanë qenë nga Shqipëria e pesë nga Kosova. Pse nuk jepen emrat e tyre, të dënohen, por i duhet të mbajë në ndërgjegje peshën e vrasjes së Ahmetit.

Komandanti ka lënë gruan, Sllobodankën, vajzën Teutën e një djalë, Florentin. Ku jetojnë ata tani, me se merren, sa shpesh i takoni?
Gruaja jeton në Rovinje ndërsa fëmijët në Zagreb. Djali vjen shpeshherë në Kosovë d.m.th takohemi 4 apo 5 herë në vit.

Po bashkëshortja e Ahmetit, Sllobodanka është kroate?
Është serbe, por dihet fakti që në atë kohë me kryerjen akademinë ushtarake dhe me marrë gruan shqiptare ka qenë shumë vështirë.

Ka ndikuar gruaja e tij që disa e quajnë jugosllav?
Po çfarë lidhje ka gruaja. Edhe Ismail Qemali gruan e kishte bullgare, por vetë ishte shqiptar. Vrasja e Ahmet Krasniqit ka qenë vrasja më e madhe pas Hasan Prishtinës dhe e ngjashme me vrasjen e anëtarit të qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Pashë Durrahi. Fatkeqësisht këtu përsëritet historia, për shkak se ende ka njerëz që kanë propaganduar e propagandojnë kundër popullit shqiptar.

Mund të na tregoni copëza kujtimesh tuajat personale me të ndjerin ministër?
Viti nuk më kujtohet kur ka qenë në familje, por besoj diku rreth vitit 1989-1990, po në atë kohë isha në shoqërinë kulturo- artistike "Jusuf Gervalla" dhe Ahmeti më tha: Këndoja Bacit një këngë me çifteli. Ja këndova këngën "Moj Serbi shtrig e vjetër" kur përfundova më tha: Të këndoftë zemra e rrofsh Aziz Zhilivoda i vogël.

Kur ia këndove këngën, Ahmeti erdhi në shtëpinë tuaj?
Ishim në odën e axhës Ragip, kështu që shtëpia jonë ka qenë e përbashkët.
Po gjyshi juaj, ku jetonte dhe pse u dënua?

Jetonte në Elbasan dhe u dënua me 10 vite burg me akuzën se kishte bërë propagandë kundër pushtetit të atëhershëm Enverist dhe mbronte shokët e tij patriotë nga Kosova.
Ahmet Krasniqi është varrosur afër Azem Hajdarit në Tiranë, njihej me të?

Po, Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi njiheshin mirë, sepse Azem Hajdari ka qenë mbështetës i fortë i çlirimit të Kosovës.
Mos kanë lidhje dy vrasjet bashkë?

Mund të kenë lidhje, por ne nuk dimë asgjë në këtë drejtim. Sipas asaj që dihet, pas një darke pune në restorantin "Nëna mbretëreshë" nga restoranti dalin 3 automjete dhe rrugës i ndal policia shqiptare e maskuar, dy i lëshon por ua ndërron drejtimin, ndërsa automjeti ku gjendej Ahmet Krasniqi niset në drejtim të banesës ku banonte.

Me kë ka qenë Ahmet Krasniqi kur është vrarë?
Drejtues i automjetit ka qenë Naim Geci dhe një gazetar-oficer Rifat Haxhijaj, të dy jetojnë në Zvicër. Vrasjen nuk e kanë shpjeguar asnjëherë publikisht.

Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë pasur njohje me Ahmetin?
Hashim Thaçin e di se ka pasur njohje, ndërsa për Ramushin s'mund të them, se nuk e di.
Pse u rrit në shtëpinë tuaj Ahmet Krasniqi?

I ati i Ahmet Krasniqit vdiq pas torturave serbe rrugës për në spital, ndërsa e ëma i vdiq pak kohë pas lindjes së Ahmetit. Në kohë që ai do lindte, 36 anëtarë të familjes sonë kanë qenë në burg në Vushtre. Kur i erdhi koha me lind, nanën e Ahmetit e nxorën prej burgut e ajo shkoi te vëllezërit e vet në Bushnicë. Ai u rrit jetim e deri tre vjeç ka nejt te dajat. Më pa Shehidja, gjyshja ime, gruaja e Haziz Xhilivodës e rriti atë e Bexhetin deri sa u shkolluan.

Po jeta e vëllait të vet?
Më 1981 Bexheti u dënua për mbajtje të librave të ndaluar dhe u burgos. Më pas iku në Gjermani, aty ku ende jeton.
Ekziston shtëpia juaj e vjetër?

Jo, ajo u kall nga lufta e gërmadhë ka mbet.
Shumë njerëz kanë marrë tituj, por duket se emri i Ahmet Krasniqit është lënë pak në hije?
Ahmet Krasniqi është shpallur Hero i Kombit e për sa i përkeq asaj çështjes së lënë në hije, po jua përsëris që, me u hap dosja e Ahmetit, dalin në shesh shumë të palara, e kjo kuti e Pandorës s'i intereson politikës me e hap.

Po rrugë me emrin e tij a ka?
Po, ka një rrugë në Prishtinë, që më parë njihej si rruga "Dragodan", ka në Prizren në lagjen "Artakall" dhe në Mitrovicë.
Tani, meqë bëhen 15 vjet nga vdekja e tij, do i kërkoni eshtrat e tij për t'i bërë në rivarrim siç i takon?

Sigurisht që ne dëshirojmë shumë që t'i kthejmë eshtrat e Ahmet Krasniqit në Kosovë, por duam ta bëjmë këtë institucionalisht, sepse ashtu i takon. Kemi kërkuar për një vend në Varrezat e Dëshmorëve nga Isa Mustafa dhe ai ka premtuar se do e bëjë të mundur, por ka thënë që kjo do punë. Por ne do kërkojmë 'non stop' të sillen eshtrat e tij në Kosovë ashtu siç i takon. Ndërkaq, duam të sjellim në Kosovë edhe eshtrat e gjyshit, Haziz Xhilivodës, i cili ndodhet i varrosur në Elbasan.

U jeni drejtuar institucioneve shqiptare për hapjen e dosjes?
Po, Bexhet Krasniqi, vëllai i Ahmetit, ka kërkuar të hapet dosja dhe i kanë thënë që të gjejë një avokat të fortë për të ndjekur këtë çështje. Por s'e kuptojmë pse për një vrasje të një niveli kaq të lartë duhet të merremi ne me avokatë, dhe shteti shqiptar ku u krye vrasja nuk përpiqet me zbardhë çështjen e me gjet fajtorët.

15 vjet nga vrasja  e ministrit Ahmet Krasniqi, flet kushëriri i parë (1)

Tiranë, 25 mars - Ahmet Krasniqi, ish- ministri i parë i Mbrojtjes në Kosovë, u vra në mes të Tiranës, diku në zonën e ish-shtëpisë së Partisë në 21 shtator të vitit 1998 pak para mesnate. Sivjet bëhen 15 vjet nga vdekja e tij e familjarët kërkojnë përgjegjësit e atentatit mafioz. Aziz Krasniqi kushëriri i parë i Ahmet Krasniqit, përmes një interviste për "Gazetën Shqiptare", rrëfen detaje nga jeta e themeluesit të UCK dhe përplasjet brenda politikës kosovare në ato vite.

GSH: Sivjet bëhen 15 vjet nga vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes Z. Ahmet Krasniqi i ekzekutuar në Tiranë, sa ju ka lënduar vdekja e tij?

Krasniqi: Vrasja e tij na ka lënduar shumë për faktin se është vrarë në shtetin amë, siç e kemi ditur dhe shumica e shqiptarëve të Kosovës të tillë e dinë ende. Në Tiranë Ahmeti nuk ishte ilegalisht, të gjitha institucionet e shtetit shqiptar e kanë ditur, pasi ai banonte në Tiranë dhe ajo banesë kishte adresë. Aty ishte me mision dhe ai mision ishte çlirimi i Kosovës.

GSH: Si e kujtoni momentin e vrasjes se tij, kush jua tha e ku ndodheshit?

Krasniqi: Ishte 22 shtatori 1998, ishim në një ofensivë serbe, që e kishte kapluar tërë rrezen e Qyqavicës. Kanë qenë lajmet e orës 13:00, kur morëm lajmin e vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, ishte një lajm shumë i kobshëm për ne si familje dhe një ndër ligësitë më të rënda që mund t'i bëheshin familjes sonë, kur dihet fakti sa ka dhënë kontribut familja jonë për një Shqipëri të Madhe dhe ku ishte vrarë.

Po familja e të ndjerit si e mësoi lajmin?

Familja e Ahmet Krasniqit nuk e di si e mësoi lajmin e vrasjes, sepse në atë kohë nuk kemi pasur mundësi komunikimi, por mendoj që ka qenë lajmi më i rëndë që mund të prisnin.

GSH: Kemi dëgjuar se në varrimin e z. Krasniqi nuk ishin prezentë krerët e UÇK-së, madje kishte pak pjesëmarrje, pse kështu?

Krasniqi: Për krerët e UÇK-së që rrinin në Tiranë nuk di, por di se Komandanti i UÇK-së të Shtabit të Qyqavicës (Shtab i dytë në Kosovë, pas atij të Likofcit) Hashim Krasniqi nga Zhilivoda kishte biseduar disa herë me Ahmetin në telefon nga Qyqavica në Tiranë: Hashimi në varrim nuk ka mundur t'i shkojë, sepse atëherë ishte ende luftë, por për ta nderuar te varri i ka shkuar në disa përvjetorë. Herën e fundit ka qenë më 21 shtator 2012. Besoj shumë që për 15-vjetorin, nëse jo të gjithë, shumica e ushtarëve të UÇK-së së vendlindjes së Ahmet Krasniqit, me në krye komandantin e atëhershëm, Hashim Krasniqin, do t'i shkojmë për t'i bërë homazhe aty ku është i varrosur, te varrezat e Sharrës, në Tiranë.

GSH: Çfarë kontributi real ka pasur z. Ahmet Krasniqi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?
Krasniqi: Atëherë nuk e kam ditur, sepse nuk kam pasur kohë të hulumtoj, pasi edhe vetë kam qenë ushtar i UÇK-së, por më vonë nga shkrime dhe dëshmi të ndryshme kam mësuar se kontributi i tij ishte i madh. Ahmet Krasniqi e ka furnizuar UÇK-në me armatime, me para për nevoja të luftës dhe me shumë ushtarë.

Në kohën që u vra Ahmet Krasniqi në Tiranë u përfol edhe varianti që ekzekutimi kishte shkak tregtimin e paligjshëm të armëve me të cilën ai merrej?
Nuk është e vërtetë, ajo është disinformatë e propagandë e njerëzve dhe politikave pro serbe.

GSH: Në lundrimet tona përmes informacionit kemi lexuar se disa e quanin z.Ahmet tradhtar, pse e gjithë ajo luftë kundër tij?

Krasniqi: I kam lexuar edhe unë dhe të gjithë anëtarët e familjes. Këto akuza na kanë goditur shumë, po aq sa edhe vrasja e tij. Të gjithë atyre zë korbave, që me shpalljen e Ahmet Krasniqit tradhtar mundohen ta arsyetojnë vrasjen e tij, le t'u mbetet për turp një cilësim i tillë. Atyre Ahmeti ende po u shërben si kurban, për luftën politike, siç u ka shërbyer titistëve familja e Aziz Zhilivodës. Si ka mundur të ishte tradhtar Ahmet Krasniqi, i biri i Hajriz Krasniqit, të cilin titistët ia kishin mbytur babën duke e rrahur me dru?

Si mund të jetë tradhtar Ahmet Krasniqi, nipi i Aziz Zhilivodës, i cili me luftën e tij u kishte shkaktuar titistëve probleme për një Shqipëri etnike. Si ka mundur të ishte tradhtar Ahmet Krasniqi, kur i vëllai, me rastin e demonstratave të famshme të vitit 1981, u burgos dhe u dënua me burg nga UDB-të e devotshëm titistë? Dhe në fund, si mund të ishte tradhtar Ahmet Krasniqi, pjesëtari i Lëvizjes Kombëtare të patriotit Metush Krasniqi, ku bënin pjesë edhe Sabri Maxhuni (Novosela), Jusuf Gërvalla, Shefqet Jashari-Strofci, etj.

GSH: Krasniqi ka qenë kolonel i APJ, mos ka ndikuar kjo në përcaktim?
Krasniqi: Të gjithë oficerët e UÇK-së kanë qenë oficerë karriere të APJ-së, madje edhe dy komandantët e saj; Bislim Zurapi e Agim Çeku. Nëse të qënurit oficer i APJ-së ka qenë referenca për tradhtar, atëherë qenka dashur të pushkatohen edhe këta që i përmenda dhe të gjithë tjerët. Haptas, deri sot, asnjë institucion as i Kosovës, as i Shqipërisë nuk e ka cilësuar Ahmet Krasniqin tradhtar. Nuk kam lexuar asnjë herë që me ndonjë komunikatë, as Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ta ketë shpallur Ahmet Krasniqin tradhtar. Përkundrazi, ish-kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka shpallur hero të Kosovës.

Pas këtij akti, në shtyp u paraqitën dy zë korba që krrokatën kundër Ahmetit. Njëri nuk po ndalet ende, e ai është Ibrahim Kelmendi. Vitin e kaluar, pasi Milaim Zeka, në faqen e internetit "Presheva Jonë" thotë se të gjithë krerët e atëhershëm dhe të tashëm të Shqipërisë i dinë emrat e atyre që e vranë Ahmet Krasniqin, jep edhe një informacion tjetër kur thotë: "Në fund të fundit kemi edhe informacione e dëshmi të tjera rreth kësaj vrasjeje, ku autori Ibrahim Kelmendi në librin e tij të fundit shpjegon, duke thënë se "unë kam intervistuar ushtarin i cili ka ekzekutuar Ahmet Krasniqin...".

Kur në FB në faqen e Ahmet Krasniqit, Iliriani, nipi i Aziz Zhilivodës, në cilësinë e administratorit të faqes, e postoi këtë informacion, papritmas u kyçën të dy edhe Milaim Zeka edhe Ibrahim Kelmendi, pas sharjesh e fyerjesh reciproke, Ibrahim Kelmendi vazhdoi me fyerje duke thënë, se "i vinte keq që nuk e ka pasur atë privilegj të vriste vetë Ahmet Krasniqin dhe sikur ta dinte vrasësin, si atëherë edhe sot, do t'ia bënte tapi tokën e babës".

Në këtë reagim të Ibrahim Kelmendit reagoi një nofkë, që e shënoi emrin dhe mbiemrin e vrasësit të mundshëm, i cili, sipas një artikulli që ekziston në faqen e Ylli Polovinës, ky atentator qenka vrarë pas shpine nga të vetët! Ja se si e përshkruan Ylli Polovina atentatorin e mundshëm: "Ky ishte nga një qytet me emër të mirë nga Kosova. Deri atëherë njihej si njeri i mirë, por që më pas iu dha shumë pijes.

Shumë muaj më pas nga mesnata e 21 shtatorit 1998 do të vritej. Gjendej në një betejë me milicinë e ushtrinë serbe, por plumbin e mori në shpinë". (http://www. yllipolovina. com/index. php? page= news & news=504 ). Cili është ushtari i dytë, i gjallë? Ne familja e Ahmetit nuk e dimë. Ndoshta e di Ibrahim Kelmendi, pasi sipas Milaim Zekës, ai e paska bërë edhe një intervistë me atë ushtar dhe figuruaka në një nga librat e tij.

GSH: T'u kthehemi pak viteve në kohë. Në vitin 1991, z.Krasniqi dezertoi nga APJ dhe iu bashkua Gardës Kombëtare Kroate. A është e vërtetë që komandanti furnizoi me armë kroatët për të mbrojtur çështjen e tyre për çlirim?

Krasniqi: Nga ajo intervistë, edhe ne familjarët e Ahmetit kemi mësuar shumë gjëra, - nëse e keni fjalën për intervistën që e ka përkthyer nga kroatishtja Sefedin Krasniqi... Pra në vitin 1991, siç dihet tashmë botërisht, ai kishte dezertuar, në fakt ishte burgosur në Rjekë të Kroacisë dhe ishte dërguar në burg në Beograd.

Kur serbët e kishin dërguar në front në Kroaci, ai kishte dezertuar dhe ishte kthyer në Kosovë, pastaj ilegalisht në Shqipëri te axha i vet, apo gjyshi im, Aziz Zhilivoda në Elbasan. Derisa Gardës Kroate i kishte bërë shumë shërbime, nuk iu kishte bashkuar kurrë, sepse siç thashë, APJ e kishte burgosur; pikërisht gjenerali Çad, me kombësi sllovene, që kishte luftuar për ruajtjen e Jugosllavisë.

Të gjithë e dinë se Ahmet Krasniqi ishte kundër kyçjes së ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë në Gardën Kroate gjatë luftës. Me këdo që më ka rastisur të bisedoj, ai i kishte këshilluar ushtarët shqiptarë të dezertonin dhe të ruheshin për çlirimin e Kosovës.

GSH: A njihet në Kroaci ky nder le ta quajmë, që një shqiptar u bëri kroatëve?
Krasniqi: Sa di unë, ky nder nuk i njihet nga institucionet kroate, por nga komandantët e Gardës Kroate, me të cilët kishte bashkëpunuar dhe të cilëve u kishte ndihmuar. Në Gospiç dhe Likë, Ahmeti është shumë i respektuar. Këtu vlen të përmendet Dr. Drazhen Jerkoviq, i cili ishte tronditur kur kishte dëgjuar për vrasjen e tij në Tiranë. Kjo intervistë gjendet në shumë faqe interneti. http://agim. poeticforum. com/ t15357 - dr - drazhen - jerkovicsi - e - njoha-kolonel-ahmet-krasniqin

GSH: Në një intervistë të atyre viteve që kemi lexuar nga i ndjeri, ai shkruante se gjenerali çad që e arrestoi dhe burgosi, jetonte i lumtur në Rjekë, ndërsa z.Ahmet Krasniqi, për-veçse ia morën shtepinë në Gospiç me gjithë çka kishte, i morën dhe atë në Rjekë?

Krasniqi: Po, Ahmet Krasniqi, po edhe ne, si familje e Aziz Zhilivodës për të gjithë pushtetarët në ish-Jugosllavi, padyshim që kemi qenë kurban për qërimin e hesapeve në mes pushtetarëve. Besa edhe në Shqipëri, gjyshi im, ndjesë pastë, që para pak ditësh mbushi 19 vjet që u shua, nuk kaloi më mirë edhe me enveristët. Pasi babi im i ndjerë, Fak Krasniqi, e siguroi "Dosjen e Aziz Zhilivodës" dhe gjykimin e tij në Shqipëri, jam tronditur kur e kam lexuar se nëpër të njëjtën rrugë monstruoze kemi kaluar edhe ne pjesëtarët e tjerë në Kosovë.

Më besoni, ne fëmijët e familjes së Aziz Zhilivodës, kurrë nuk kemi guxuar të dalim e të luajmë me moshatarët tanë, sepse prindërit tanë kishin frikë se mos kalonte ndonjë patrullë e milicisë së asaj kohe dhe na pyeste apo provokonte diçka... Ndërsa gjenerali Çad ishte slloven, nuk mund të bëhej kurban aq lehtë sikur Ahmet Krasniqi dhe shumë oficerë e ushtarë shqiptarë nëpër ish-republikat jugosllave që ktheheshin në arkivole qysh nga viti 1981.

GSH: Mund të na flisni pak për vitet e emigrimit në Austri, me çfarë u mor atje?
Krasniqi: Ahmet Krasniqi nuk ka emigruar kurrë në Austri, atje ishte transit për Gjermani, pasi e kishte këshilluar Aziz Zhilivoda të shkonte atje dhe nga atje t'i fillonte përgatitjet për luftën çlirimtare të Kosovës. Pasi i kishte dështuar kalimi në Gjermani, kthehet në Kroaci dhe zhytet në varfëri e mjerim të thellë.

Vite të vështira pasuan jetën e ish-ministrit derisa ai u detyrua të shiste perime në Rovinj; a bisedonte me ju në atë kohë, si ndihej...?

Unë në atë kohë kam qenë i ri, por nga shkrimet dhe shumë dëshmi kam mësuar që, nga viti 1994, Sefedin Krasniqi kishte ia kishte arritur të bënte një kontakt, dhe atë, me porosinë e babit tim, Faik Krasniqit dhe kushëririt, Shefqet Krasniqit. Ndërsa në vitin 1996, Ahmet Krasniqi, nga Gjermania, pasi e viziton të vëllain, Behxhetin, shkon në Zvicër te Sefedin Krasniqi, i cili e vë në kontakt me njeriun që Ahmetin e kishte anëtarësuar në Lëvizjen e Metush Krasniqit, pra Shefqet Jashari Strafci. Para se të kthehej për Kroaci, kontakton me ministrin e Informatave të Qeverisë "Bukoshi", Xhafer Shatrin, i shoqëruar nga Hilmi Nebihi.

GSH: Sa i lidhur ishte komandanti me Kosovën dhe cilat ishin përpjekjet e tij për të kontribuar në çlirimin e Kosovës?

Krasniqi: Komandanti ishte i lidhur me Kosovën gjithë jetën. Tani vonë kemi mësuar se kur dezertoi nga APJ dhe erdhi në Prishtinë, atë e kishte pritur në takim Dr. Fehmi Agani, pikërisht për organizimin e luftës në Kosovë. Ahmet Krasniqi, kurrë nuk e kishte harruar Kosovën, sepse në APJ e kishte udhëzuar të regjistrohej babai im, Faik Krasniqi dhe patrioti i madh, Metush Krasniqi. Jam i bindur se për atë periudhë, nga të gjallët, askush nuk di më mirë të flasë për Ahmet Krasniqin sesa Sabri Maxhuni- Novosella dhe Shefqet Jashari - Strofci.

GSH: Krasniqi u emërua ministër i Mbrojtjes së Kosovës në qeverinë e Bukoshit; si i erdhi ky emërim?

Krasniqi: Këtë pyetje duhet ta dijë Qeveria "Bukoshi" dhe vetë Bukoshi. Megjithatë, të gjithë kolegët e tij janë shprehur se Ahmet Krasniqi ishte ushtaraku më i zotë nga të gjithë ushtarakët shqiptarë që ishin shkolluar dhe kishin shërbyer në ish-APJ.

Si përfundoi në Tiranë Ahmet Krasniqi?

Në Tiranë kishte shkuar nga Zvicra për të organizuar ushtrinë e Kosovës dhe formoi Ministrinë e Mbrojtjes. Të gjitha brigadat që i përgatiti për luftë, dhanë betimin në Tropojë. Ka pasur një marrëveshje që njihet si Marrëveshja e Oslos, mes Ministrisë së Mbrojtjes, Adem Demaçit dhe Xhavit Halilit, për organizim të përbashkët të luftës. Aty u vendos nga Bukoshi që Krasniqi ta drejtonte luftën nga Tirana, për të bërë organizimin e luftës në bazë të Marrëveshjes së Oslos, ku prej andej bëri organizimin e ministrisë dhe tre brigadave, 134, 131 dhe 138.

Pas disa muajsh ndryshuan situatat; edhe pse ai vetë personalisht i ka dhënë ndihma Shtabit të Përgjithshëm, filluan gjërat të përkeqësohen për të, aq shumë, sa erdhi deri ekzekutimi i tij. Ahmeti pati edhe përplasje me Bukoshin, i cili ndërpreu furnizimin e ushtrisë me mjete, duke i thënë atij: "Nëse nuk m'i plotëson kushtet për luftë ku mos të ngelë më këmbë shkjau në Kosovë, unë s'do marr pjesë." Si çdo luftë e bërë në trojet shqiptare, edhe këtu pati përplasje mes forcave, ku Ahmet Krasniqi ishte vetëm viktimë.

GSH: Pra ju po thoni që ka pasur përplasje mes Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Bujar Bukoshit atëherë kryeministër?

Krasniqi: Po, ka pasur përplasje mes tyre, por këtu është ajo kutia e Pandorës, që me t'u hapur ajo, shumë sene do dalin në shesh.



 

comments powered by Disqus

Rrjetet sociale

Karikatura e ditës

Jeton Mikullovci
Galeria >

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...