Revolucionistët

24 Mars 2013 - 17:12      

...të cilët tërheqin vëmendjen nga fakti se durimi i njerëzve është në kufi dhe se Kosova nuk ka merituar të katandiset në këtë formë, për shkak se udhëhiqet nga një kastë njerëzish që pushtetin e konsiderojnë të garantuar për shkak se janë ekspertë për vjedhje votash. E me këtë, edhe për vjedhje të së tashmes, e edhe së ardhmes

Vërshimet katastrofale në Dukagjin, posaçërisht në Komunën e Klinës, i zunë në gjumë të gjithë zyrtarët komunalë të emergjencës, e edhe FSK-në. Përderisa pamjet televizive tregonin për dëmin që kishte shkaktuar uji i lumenjve të dalë nga rrjedha dhe përderisa gazetarët rrëfenin për kundërmimin që kishte shkaktuar ndotja e bunarëve nga ujërat e zeza, banorët e fshatrave të prekura ankoheshin se vetëm duke iu falënderuar gjindshmërisë së fqinjëve, ia kishin dalë të shpëtonin, duke e humbur gjithë fondin e shtazëve që nuk mundën t’i iknin ujit të rrëmbyeshëm.Nuk di nëse dikush nga zyrtarët komunalë apo qeveritarë do t’u ketë premtuar gjë ndihmë këtyre banorëve, e as nuk e di nëse do të kompensohen për dëmet që ua shkaktoi fatkeqësia natyrore. Por atë që e di nga raportet televizive ishte se për një kohë nuk pati kush t’ua sillte as ujin me cisternë, e as me bidonë – porse këta ishin detyruar që atë ta blinin, me siguri me çmim të fryrë. Rastet me zjarrin, e tash edhe ky me ujin kanë dëshmuar se Kosova ka kapacitet shumë të kufizuar reagimi në raste emergjence, e nuk do të duhej të ishte ashtu – posaçërisht kur të merren parasysh sasitë marramendëse të hollash që shpenzohen për lukset ushqimore të zyrtarëve që, nuk e di a e keni vërejtur, posa bëhen me pozita fillojnë të shtojnë peshë.

Sido që të jetë, uji mori një viktimë njerëzore dhe duket se ishim me fat që numri i viktimave të mos kishte qenë më i madh. Por, me degradimin e lumenjve dhe prishjes së shtratit të tyre me nxjerrjen e pakontrolluar të rërës lumore, kush garanton se vërshime të tilla nuk do të përsëriten dhe se dëmet mund të jenë edhe më të mëdha e më serioze. Është problem për të cilin nuk ka nevojë për politikë të lartë, por vetëm pak më shumë pragmatizëm dhe ndjesi ndaj nevojave reale të qytetarëve.

Uverturën e lagësht e pasoi me shpejtësi, për mua, lajmi i javës – Kuvendi kishte hequr dorë nga formimi i komisionit ad-hoc për shqyrtimin e vendimit të plotfuqishëm gjyqësor për rastin “Kiçina” (vrasja e familjes Hajra menjëherë pas luftës, përfshirë edhe një fëmijë të moshës së njomë). Nuk ka asnjë dyshim të vetëm se presioni, në këtë rast, shumë parimor i Ambasadës amerikane e bëri të vetën: kuvendarët e sollën veten në situatë kur tjetërkush duhej t’ua ngrinte veshët për t’u treguar se pushtetet nuk përzihen dhe se secili do të duhej të vepronte në formë të pavarur. Për t’u treguar se nuk duhet shumë shkollë për të kuptuar se Kuvendi nuk mund të jetë mbi të gjithë, ani që është përfaqësuesi i sovranit, dhe se duhet ta kontrollojë e udhëzojë Qeverinë, e jo t’ia ndërrojë vendimet gjykatës së pavarur. Për t’u treguar se Kuvendi, sikurse edhe Qeveria duhet të merren me zbatimin e ligjshmërisë, që për rezultat do të duhej të kishte përmirësimin e kushteve të jetesës së popullit të një shteti, i cili ka hyrë në krizë të thellë ekonomike, por që vetes ia bën qejfin me statistika të paqëndrueshme.

Statistika sikur ato për rritjen ekonomike që na e përmendin orë e çast herë ndonjë ministër, herë kryeministri. Na rrejtën për rritjen e vitit të shkuar, të cilën ua demantoi FMN-ja. Për sivjet nuk e di a na dhanë ndonjë parashikim rritjeje, meqë ministri i Financave u ngut me dhënë dorëheqje për të kandiduar për guvernator, por ajo që po më mbyt fare është një shënim, burimi i të cilit është Banka Botërore: nëse Shqipëria vazhdon me ritmin e njëjtë të zhvillimit, e nëse Kosova do që ta zërë brenda dhjetë vjetësh, Kosova duhet të ketë rritje ekonomike prej 8-10 % çdo vit (sic!)... Pra, paramendoni çfarë rritjeje do të na nevojitej po qe se do të donim ta ndiqnim ndonjë shtet evropianoperëndimor, kur na duhet i gjithë ky mund për ta zënë një nga shtetet më të varfra të Evropës.

Por, ai që dha parashikim për zhvillimin e Kosovës në vitin 2013, ishte përfaqësuesi i FMN-së, sipas të cilit Kosova do të kishte rritje prej vetëm 3%. Në kushtet kur Kosova që nga fillimi i vitit është duke lënguar seriozisht nga mungesa e parasë në qarkullim, me ç’gjë është duke ua bërë të pamundur bizneseve që të operojnë, nuk e di as si do të arrihet ky parashikim. Dhe as që pretendoj se kam ndonjë njohuri të thellë ekonomike, por logjika e shëndoshë më thotë se nëse bizneset nuk kanë para në dispozicion, do të detyrohen t’i shuajnë vendet e punës, për shkak se nuk mund t’ua sigurojnë kushtin themelor punëtorëve të vet: rrogën. Njëra nga arsyet shumë të mëdha se pse është situata e këtillë është pikërisht ndërtimi i autostradës për në Shqipëri – për shkak se paratë e gatshme nga buxheti në dy vjetët e fundit u janë paguar amerikanëve dhe turqve dhe ata ato para i kanë marrë me vete në shtëpi, e nuk i kanë lënë këtu. 

Dhe duke e pasur parasysh këtë punë dhe duke refuzuar të mësojnë nga përvoja, tash qeveritarët çohen e thonë sesi do ta ndërtojnë rrugën për në Shkup. FMN-ja u thotë se vështirë se do të mund ta ndërtonin atë po qe se nuk shitet PTK-ja, kurse Mujota thotë se u shit apo s’u shit posta, rruga do të nisë së ndërtuari. Normal, përgjigje tjetër nga ai edhe nuk do të mund të kishte, për shkak se ky është edhe një shans i mirë për t’i avulluar paratë e gatshme për të paguar nga 10 milionë euro për një kilometër rrugë. E gjithashtu sepse nuk duhet harruar detajin e imët të quajtur “zgjedhje lokale” – do të mbahen sivjet në vjeshtë, e një projekt i madh vlen, nëse jo shumë vota të ndershme, atëherë bile mjaft simpati.

Atë që nuk e kam të qartë është se nga do të mblidhen edhe paratë e tatimeve për t’i shpenzuar edhe në një projekt të shtrenjtë infrastrukture, nëse bizneset nuk kanë para... e kur ato nuk kanë para, nuk kanë as punëtorët e tyre; e kur nuk ka as buxheti para, as shërbyesit civilë e ata publikë nuk marrin rroga... A janë ndalur ndonjëherë këta zotërinj të mendohen se ka telashe shumë më të mëdha sesa të ndërtohen autostrada, që janë të rëndësishme, por që në këto kushte do të duhej të ishin prioriteti i fundit i kësaj Qeverie?

Është shumë irrituese të dëgjosh deklaratën e Qeverisë se nuk i ka 72 milionë për t’i mbuluar nevojat e përcaktuara me Ligjin e ri për dëshmorët, për invalidët, veteranët, pjesëtarët e UÇK-së, viktimat civile të luftës dhe familjarëve të tyre, e që tani i përfshin edhe viktimat e abuzimit seksual dhe të dhunimit. Është irrituese të kuptosh se “ato para do të mund të sigurohen vetëm më 2015, ngase nuk janë paraparë në kornizën afatmesme”. Nuk e di a i ka paraparë korniza afatmesme shpenzimet e benzinës e telefonave, dreka/darkave, mëditjeve e të biletave të aeroplanit për zyrtarët qeveritarë e edhe të atyre të Kuvendit, por nuk kam dëgjuar kurrë që një dokument nuk mund të ndryshojë në favor të përmbushjes së një obligimi që kjo shoqëri ka ndaj viktimave të luftës, posaçërisht civilëve, të cilët e mbijetuan luftën kryesisht të pambrojtur. Është turp që populli, e jo autostrada, të jetë i fundit në prioritetet e kësaj Qeverie.

Në kërkim të vendit të vet në listën e prioriteteve është populli, apo më mirë me thënë një pjesë e tij, që po përpiqet të bëhet me vëmendjen dhe kujdesin e kësaj strukture të papërgjegjshme politike. Për të dytën javë me radhë, me një marshim dinjitoz prej KEK-ut e deri te ndërtesa e Qeverisë, parakaluan me mijëra njerëz për ta thënë publikisht fjalën e tyre kundër hajnisë dhe korrupsionit që po na e han qenien. Për të tërhequr vëmendjen nga fakti se durimi i njerëzve është në kufi dhe se Kosova nuk ka merituar të katandiset në këtë formë, për shkak se udhëhiqet nga një kastë njerëzish që pushtetin e konsiderojnë të garantuar për shkak se janë ekspertë për vjedhje votash. E me këtë, edhe për vjedhje të së tashmes, e edhe së ardhmes.

E se nuk kanë qejf që askush t’ua prishë qejfin e rehatinë, i nisin tellallët në mediumet që i kontrollojnë vetë, për të ndërtuar e elaboruar teori konspiracioni, sipas të cilave, gjithmonë e kudo do të gjenden njerëzit, të cilëve u përshkruhet një e kaluar e bile edhe e tashme e errët, një mungesë e theksuar patriotizmi dhe një dozë e shtuar tradhtie e spiunllëku, një lidhje e ngushtë me shërbimet sekrete sllave, e që kanë për të vetmin qëllim me e marrë pushtetin me dhunë.

Duke u marrë me konstruksione nga më të ndryshmet, shpikin madje edhe terme të reja për t’i identifikuar ata që besojnë se duke protestuar paqësisht, i bëjnë më shumë nder këtij shteti sesa ata që fshihen pas penxhereve të trasha e na shikojnë prej së larti, duke refuzuar të pranojnë se paaftësia e tyre për të punuar mbarë e mirë për popullin që i ngriti në një piedestal, e të cilin vetë e kanë përdhosur me hajninë institucionale, e ka sjellë krejt Kosovën në këtë derexhe. Termin më të ri ma përkushtoi, siç ma përcollën gazetarët e “KOHË”-s, kryeministri, kur i kishte pyetur se “Prej kurshit u bâ Flaka kaq revolucioniste?”, teksa supozoj se i komentonte protestat e vazhdueshme që nisën për faturat e KEK-ut.

T’jua them të drejtën, jam paksa e brengosur që kryeministri, në gjithë kaosin në të cilin e sundon këtë vend, ka kohë të merret me mua dhe me “revolucionizmin” tim, në vend se të merret me problemin e krizës që e ka kapluar Kosovën. Sepse po të kishte punuar për mirëqenien e popullit, e jo ekskluzivisht për të vetën, do të kishte shumë përkrahje, madje edhe do të lavdërohej.

Kështu, tash derisa e ledhatojnë dhe e lavdërojnë ata të cilët janë duke e përdorur për realizimin e dëshirave dhe planeve të veta politike, thuajse refuzon ta kuptojë se unë jam vetëm njëra nga shumë revolucionistësh që po i themi publikisht se dalja e vetme e këtij vendi nga kriza në të cilën e ka futur ai së bashku me krejt ekipin e tij të gjerë, është sundimi i ligjit dhe shkuarja pas grilave e atyre që kanë vjedhur. Për të dhe për përkrahësit e tij  gllabërues, përderisa je qytetar që hesht e “rrin te shpija” je super njeri, sepse nuk ke as fytyrë e as zë. E po qe se sorra t’i pi mendtë e del e proteston kundër krejt së keqes që e paraqet pushteti i tij, atëherë je puçist dhe “revolucionist”.

E shpjegova javën e kaluar se katër mijë veta nuk mund të bëjnë puç, pos nëse janë mafiozë. Ata që dje dolën në marshin e protestës mund të jenë çfarëdo pos njerëz të lidhur me krimin e organizuar. Kjo, për shkak se këta janë “revolucionistët” që e ngrenë zërin spontanisht kundër hajnisë së organizuar në të gjithë cepat e shoqërisë kosovare dhe të cilët mbase nuk mund të bëjnë më shumë sesa një trysni minore për ta ndalur hovin e rritjes së tarifave të rrymës. Por, megjithatë këta në asnjë mënyrë nuk duhet përçmuar për shkak të një fuqie shumë të madhe që e kanë: votën. Të cilën, pas “revolucionizmit” të dëshmuar, jam e bindur nuk do të lejojnë që t’u vidhet siç ndodhi herëve të shkuara.

flaka@koha.net

 

comments powered by Disqus

Rrjetet sociale

Karikatura e ditës

Jeton Mikullovci
Galeria >

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...