Wiegand: Pavarësia e BQK-së është shumë e rëndësishme

22 Mars 2013 - 17:35      

Udhëheqësi i misionit të Fodnit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Johannes Wiegand i dha një intervistë Adriatik kelmendit në emisionin Rubikon të KTV-së, të cilën po e sjellim të plotë.

Udhëheqësi i misionit të Fodnit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Johannes Wiegand i dha një intervistë Adriatik kelmendit në emisionin Rubikon të KTV-së, të cilën po e sjellim të plotë.

–    Le të fillojmë me krizën në Evropë, a mund të bëjmë ndonjë parashikim se sa do të zgjasë kriza? Jemi duke folur për të një kohë të gjatë.

Wiegand: Mendoj se është shumë e vështirë të bëhen parashikime koncize, sepse parametrat ndryshojnë tërë kohën sa i përket krizës në zonën e euros. Mendoj se në këtë fazë jemi në pozitë më të mirë sesa gjashtë muaj më parë, në të njëjtën kohë, sigurisht që shumë ekonomi në zonën e euros janë ende në vështirësi, janë duke u tkurrur, janë duke iu përshtatur mjedisit të ri, dhe ky proces ende nuk ka përfunduar.

–    Gjashtë apo nëntë muaj më parë ju kishit parashikuar se do të habiteshit nëse Kosova nuk do të prekej sivjet nga eurokriza. Si i shihni zhvillimet këtu?

Wiegand: Mendoj se Kosova relativisht është prekur pak nga kriza e zonës së euros. Ne në Kosovë kemi parë një ngadalësim të rritjes ekonomike. Ne kishim vlerësuar që rritja ekonomike në Kosovë në vitin 2011 ishte pesë për qind, kurse për vitin e kaluar ishte rreth dy për qind, kështu që ka pasur një zvogëlim të rritjes, por në të njëjtën kohë, rritja për dy për qind është diçka që shumë shtete evropiane do të ishin shumë të kënaqura ta kishin në ditët e sotme. Kështu që Kosova vazhdon të performojë më mirë sesa shumë fqinjë dhe shtete të rajonit. Arsyeja kryesore që unë mendoj se Kosova nuk është ekspozuar direkt në krizën e vendeve të zonës së euros do të vinte në shprehje vetëm nëse Kosova do të ishte ekspozuar ndaj ndonjë vendi tjetër. Kjo është arsyeja, sepse në ato vende jeton diaspora kosovare, veçanërisht në Gjermani dhe Zvicër, kurse këto ekonomi kanë kaluar relativisht mirë gjatë krizës në zonën e euros. Mendoj se Kosova në një farë shkalle ka përfituar nga kjo, pasi diaspora vazhdon të kthehet në Kosovë dhe të financojë aktivitete ekonomike.

Viti 2012 pa rënien e rritjes ekonomike edhe në Kosovë

-    Por paratë që vijnë nga diaspora nuk janë të njëjta, krahasuar me disa vite më parë, për shkak të krizës, pra a do të ketë kjo ndikim në ekonomi?

Wiegand: Po, thash se tashmë e ka prekur ekonominë, ju kishit rritje ekonomike prej pesë përqindësh në vitin 2011, kur Gjermania dhe Zvicra ishin shumë mirë, kur frangu zviceran kishte më shumë vlerë dhe kjo do të thotë se kur njerëzit që jetojnë në Zvicër dërgojnë para në Kosovë në franga zvicerane, vlera e tyre rritej në euro. Në vitin 2012 nuk kanë ndodhur këto gjëra. Dhe konsekuencat e kësaj janë zvogëlimi i rritjes ekonomike në Kosovë, gjithashtu. Ne presim që në njëfarë shkalle ky trend të vazhdojë edhe në vitin 2013, megjithëse, nuk presim zvogëlim të mëtutjeshëm, por një rritje prej tre përqindësh në vitin 2013, që është nën mesataren afatgjate për ekonominë kosovare. Siç e thash, këtu është pak më mirë sesa në disa vende të tjera të rajonit.

–    Çfarë zhvillimi mund të presim nëse vazhdojmë të kemi rritje ekonomike dy deri në tre për qind, kur ekspertët e ekonomisë thonë se neve do të na duhen 10 vjet me 10 për qind rritje për të arritur nivelin e vendeve fqinje, për shembull, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Wiegand: Për mendimin tim, rritja prej 10 përqindësh është shifër shumë e lartë dhe ndoshta jo krejtësisht joreale. FMN-ja vlerëson se rritja potenciale e Kosovës është midis katër dhe pesë për qind, dhe ju keni të drejtë se dy për qind është goxha më pak sesa kjo. Kjo do të thotë, siç e përmendët edhe ju, se procesi i arritjes së nivelit të vendeve fqinje do të jetë më i ngadalshëm sesa ishte parashikuar më parë. Por ne duhet t’i ndajmë dy gjëra. Rritja prej dy deri në tre për qind që ka ndodhur vjet dhe pritet të ndodhë sivjet, janë ngadalësime ciklike. Të gjitha vendet dhe ekonomitë botërore kalojnë nëpër ciklet biznesi dhe viti 2011 ishte një vit i mirë, kurse vitet 2012 dhe 2013 do të jenë më pak të mira, por ne presim që rritja ekonomike ta marrë veten në vitet 2014, 2015 dhe në vitet pasuese, pjesërisht pasi ne nuk parashikojmë ndikime të tjera nga kriza në zonën e euros në Kosovë dhe në vendet e tjera në rajon. Vlerësimi ynë për rritjen potenciale të ekonomisë së Kosovës me katër dhe pesë për qind nuk ka ndryshuar, pavarësisht ngadalësimeve të fundit. 

–    Çfarë duhet të bëhet nga autoritetet e Kosovës për ta tejkaluar këtë hendek të krijuar nga kriza në Evropë, sepse e përmendëm që po ngelim shumë prapa vendeve të tjera të rajonit dhe tani e kemi krizën? A ka ndonjë alternativë për ta tejkaluar këtë?

Wiegand: Mendoj se për ta bërë një gjë të tillë nuk mund të bëjnë shumë qeveria dhe politikëbërësit e Kosovës. Kjo ka të bëjë më shumë me faktorë që janë jashtë kontrollit të Kosovës, sepse ju nuk mund ta kontrolloni ekonominë në Gjermani dhe Zvicër dhe si konsekuencë e kësaj sa para do të dërgohen në Kosovë. Një çështje tjetër është se nëse politikbërësit në Kosovë mund të bëjnë diçka më shumë për të rritur rritjen potenciale ekonomike, dhe mendoj që në këtë fushë mund të bëjnë diçka.

–    Çfarë duhet të bëhet?

Wiegand: Mendoj se në Kosovë ajo që është me rëndësi në periudhën afatgjatë është zhvillimi i asaj që në ekonomi e quajmë sektori tregtar. Dhe në këtë sektor, ekonomia e Kosovës për një shkallë domethënëse përfiton nga paratë që vijnë nga diaspora kosovare dhe ato para konsumohen duke u investuar nëpër shtëpi dhe biznese të vogla. Për të zhvilluar një ekonomi të qëndrueshme dhe afatgjate do të ishte e rëndësishme që Kosova të nisë të prodhojë edhe eksporte. Sigurisht, Kosova është vend i ri dhe tradita në këtë fushë është e limituar, kështu që është e kuptueshme që sektori tregtar nuk ekziston në një shkallë të gjerë deri tani. Por ka diçka që qeveria dhe politikbërësit mund ta bëjnë për ta promovuar zhvillimin e sektorit tregtar. Njëra është përmirësimi i klimës për biznes dhe ne i kemi vërejtur disa iniciativa që janë duke u zhvilluar në Kosovë dhe synojnë pikërisht këtë gjë, sigurisht ka pasur edhe disa suksese, për shembull, në raportin e të bërit biznes të vitit të kaluar, mendoj se Kosova u ngrit për 20 vende.

–    A është kjo e mjaftueshme për këtë kohë?

Wiegand: Nuk jam i sigurt që jam personi i duhur për ta vlerësuar një gjë të tillë.

–    Por unë po kërkoj analizën tuaj për këtë.

Wiegand: Ambiciet duhet të jenë për të bërë avancime të mëtutjeshme dhe mendoj se ky është edhe synimi i njerëzve të këtushëm. E dyta është investimi në infrastrukturë, po përmendi dy fusha: energjia dhe sektori i transportit, të cilat janë fusha ku infrastruktura duhet të përmirësohet. Fusha e tretë që është e rëndësishme ka të bëjë me mbajtjen e nivelit konkurrues të pagave, që të bëhet atraktive për bizneset e huaja që bëjnë biznes në Kosovë. Sidoqoftë, ky është një proces i ngadaltë, nuk mund të presim avancime të mëdha nga njëri vit në tjetrin, ky është një proces gradual. Por nëse mendojmë për periudha prej 10 apo 15 vjetësh, atëherë, këto gjëra mund të bëjnë dallime.

Duhet pasur kujdes në disa sektorë për mbarëvajtje të buxhetit

–    Gjithashtu në intervistën që e përmenda të “Kohës Ditore” ju kishit paralajmëruar një vit të vështirë për Kosovën, me shumë kursime nga buxheti i shtetit, ju patët përmendur se s’duhej të kishte ngritje të pagave dhe pensioneve dhe i kishit thënë jo autostradës së re.

Wiegand: Mendoj se shumë prej tyre janë thjeshtësuar, a t’ia nisim nga pagat?

–    Sigurisht, nga pagat...

Wiegand: Sa u përket pagave mendoj se ka pasur rritje të madhe të tyre në sektorin publik në vitin 2011, me rritje të pagave prej 30 deri në 40 për qind për shërbyesit civilë. Dhe pavarësisht nëse njerëzit e kanë merituar apo jo rritjen e pagave, ata mund t’i kenë merituar, ky ishte një zgjerim i madh për buxhetin publik dhe është e qartë se kështu zhvillimi nuk është i qëndrueshëm, ju nuk mund t’i rrisni pagat çdo vit nga 30-40 për qind. Nëse bëhet kjo, qeveria shumë shpejt mbetet pa para dhe pastaj nuk mund t’i paguajë faturat e saj. Kështu që ajo që është e rëndësishme për momentin për ta mbajtur stabilitetin e financave publike, pas këtyre rritjeve të mëdha të pagave, ishte përmbajtja nga rritjet e mëtutjeshme në vitet pasuese, për t’u siguruar që qeveria të ishte në gjendje t’i kryente pagesat. Dhe është e vërtetë, në dy vjetët e fundit nuk ka pasur rritje të nivelit të pagave në Kosovë, sidoqoftë, edhe kjo mund të mos jetë pa ndërprerë, sepse mund të pritet që pagat në sektorin publik të vazhdojnë të rriten, por në mënyrë graduale, në përputhje me kapacitetet ekonomike.

–    Cila është mënyra graduale që ju do të rekomandonit?

Wiegand: Mendoj se është e vështirë të vihet me një numër magjik, por si pikë referimi mund të jetë që rritja e pagave në kushte normale të mund të kompensohet. Por me rritjen ekonomike mund të ketë rritje të pagave nga prodhimi i brendshëm i vendit.

–    Kjo mund të jetë dy për qind, apo pesë deri në shtatë për qind, nëse e marrim në konsideratë inflacionin. Pak a shumë.

Wiegand: Po, por sërish po them, duhet të shikohet me shumë kujdes buxheti i ri.

–    Por jo 30 deri në 50 për qind.

Wiegand: Mendoj se kjo është një magnitudë që shumica e kolegëve të mi do ta konsideronin të arsyeshme. Dhe çështja e dytë ishin pensionet. Nuk është absolutisht e vërtetë që FMN-ja është kundër rritjes së pensioneve. Mendoj se fillimisht duhet të bëj një deklaratë më të përgjithshme, me fjalë më të përgjithshme. Nuk është punë e FMN-së që t’i tregojë Qeverisë së Kosovës se ku duhet t’i shpenzojë paratë e ku s’duhet. Mendoj se këto çështje i përkasin thelbit të sovranitetit kombëtar dhe janë gjëra që duhet të vijnë nga procesi kombëtar politik, sepse nuk do të ishte e përshtatshme për një organizatë ndërkombëtare, si kjo jona, që t’i tregojë Qeverisë dhe shoqërisë së Kosovës se çfarë duhet të bëjë. Ne kërkojmë që korniza mikroekonomike të jetë më e qëndrueshme. Rritja e pagave në sektorin publik nga 30 deri në 50 për qind nuk është e qëndrueshme, kurse sa u përket pensioneve është një ligj për pensionet në Kuvend, i cili është atje tash e një kohë dhe parasheh rritje të nivelit të pensioneve dhe ne jemi krejtësisht në rregull me këtë, për aq kohë sa është në përputhje me buxhetin, dhe për sa kohë qeveria mund t’i paguajë këto rritje të pensioneve, unë mendoj se nuk ka arsye nga ana jonë që të themi se Qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë këtë. Dhe çështje e tretë ishte...

Nisja e autostradës sivjet është shumë e vështirë

–    Autostrada e re. Është planifikuar të nisë ndërtimi i autostradës së re në drejtim të Shkupit. Ne e dimë që ju nuk keni rekomanduar mënyrën se si u financua autostrada që e kemi drejt Shqipërisë, kështu që si e shihni këtë tani?

Wiegand: Para së gjithash, ekziston një shumë e caktuar në buxhetin e vitit 2013 për nisjen e ndërtimit të autostradës. Dhe buxheti është bërë së bashku me ne, kështu që ne nuk jemi kundër autostradës me Maqedoninë. Mendoj se parimi është i njëjtë me atë që e shpjegove më parë. Ne i pranojmë prioritetet e politikës së qeverisë. Ne e kuptojmë se zgjerimi i rrjetit të autostradave në Kosovë dhe integrimi në rrjetin e autostradave në juglindje të Evropës është prioritet për Qeverinë. Sidoqoftë, ajo që duhet të sigurohet, sipas mendimit tonë, është se ajo duhet të përshtatet me strukturën e qëndrueshme buxhetore. Dhe për një projekt të madh si Autostrada 6, kjo është shumë e rëndësishme. Autostrada 6 mund të kushtojë disa qindra miliona euro, kështu që ju duhet të jeni krejtësisht të sigurt se kjo mund të financohet, siç duhet dhe natyrisht se kjo do të sigurojë të ardhura të mira për Kosovën, dhe nuk është shpenzim i çuar dëm, për një projekt fitimprurës për vendin. Dhe këto janë kushtet që ne vazhdojmë t’i diskutojmë me qeverinë sa i përket financimit dhe, sipas mendimit tonë, qeveria duhet të ketë disa rezerva në para të gatshme, para se ta nisë një projekt kaq të madh. Niveli i rezervave të parave të gatshme për momentin është nën nivelin, për të cilin mendojmë se është i domosdoshëm, por ne e kuptojmë se nëse qeveria arrin sukses në privatizimin e Postës dhe Telekomit, atëherë rezervat do të ishin të mjaftueshme për ta nisur Autostradën 6.

–    Por nëse nuk ndodhë kjo? Pasi qeveria qe dy vjet po përpiqet ta privatizojë PTK-në dhe nuk po arrin të ketë sukses. Pra, a do të ketë hendek në buxhet?

Wiegand: Nëse nuk ka sukses, ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë sërish. Nga perspektiva jonë është e qartë që nisja e autostradës sivjet do të jetë shumë e vështirë, por nëse shtyhet për një gjysmëviti apo për 9 muaj dhe ndërkohë të ruhet alokimi i destinuar për autostradë në buxhet, atëherë kjo mund të bëhet e mundshme, por sërish po them se qeveria është shumë optimiste se do ta privatizojë PTK-në në javët e ardhshme dhe skenari ynë është që gjithçka të shkojë sipas planifikimit. Dua ta përmend edhe një tjetër kusht për autostradën, për t’u siguruar që paratë nuk po çohen dëm, dhe këtu, në fakt, ekspertiza e FMN-së është e limituar, dhe institucioni që e bën ekspertizën këtu është Banka Botërore. Banka Botërore në këtë vizitë që po e përfundojmë tani, në fakt, ka sjellë një ekip ekspertësh për transport, i cili ka diskutuar me qeverinë për zbatueshmërinë ekonomike të projektit dhe ata kanë ardhur me disa sugjerime. Ju mund të ndërtoni autostrada në mënyra të ndryshme. Ju mund t’i ndërtoni ato më lirë apo shumë shtrenjtë dhe sa i përket autostradës në drejtim të Maqedonisë, problemi është se në sektorin jugor të saj, autostrada kalon nëpër male dhe është shumë i shtrenjtë ndërtimi i autostradave të mira nëpër male dhe qeveria planifikon të ndërtojë tunele, e tunelet janë shumë të shtrenjta për t’u mirëmbajtur dhe pastaj ekziston rreziku i shpenzimeve të shumta që kemi hasur në shumë vende të tjera të rajonit. Dhe Banka Botërore sugjeron që qeveria dhe kompania e ndërtimit të autostradës të shikojnë për opsione alternative.

–    Deri tani kemi dëgjuar përllogaritje, sipas të cilave, autostrada do të kushtojë rreth 800 milionë euro me tunele. Dhe nëse nuk do të privatizohet PTK-ja, ju nuk rekomandoni tani nisjen e kësaj autostrade.

Wiegand: Ne nuk rekomandojmë që ajo të  nisë sivjet, por kjo nuk do të thotë se nuk do të nisë fare, por ne do të ulemi me qeverinë dhe do të diskutojmë për planet alternative për financimin dhe pastaj për kohën e duhur për përgatitjen dhe ndërtimin e Autostradës 6 me Maqedoninë. 

Bashkëpunimi FMN - Qeveri është përmirësuar

–    A është duke i përmbushur Qeveria rekomandimet tuaja?

Wiegand: Sigurisht, gjatë këtij misioni arritëm marrëveshje me stafin për kompletimin e inspektimit të tretë dhe nëse nuk do të ishim pajtuar për të gjitha politikat e mëdha ne nuk do t’i përfundonim inspektimet, kështu që përgjigjja është po.

–    Por në të kaluarën kemi parë që jo gjithmonë ju keni gjetur gjuhë të përbashkët për çështjet e mëdha me qeverinë. Pra, a është kjo diçka që i takon së kaluarës?

Wiegand: Po. Historia e Kosovës me FMN-në është se Kosova iu bashkua FMN-së më 2009 si anëtare e plotë. Në vitin 2010, Kosova kërkoi aranzhmanin “Stand By”, që doli nga binarët relativisht shpejt dhe kjo kishte lidhje me fushatën parazgjedhore të vitit 2010-2011. Pas kësaj, sidoqoftë, qeveria tregoi interes për të vazhduar bashkëpunimin me FMN-në. Ne kishim një periudhë kur kishim një program pa para dhe pasi kjo periudhë përfundoi me sukses më 2011 dhe iu rikthyem programit të plotë më 2012, dhe këtë e quajmë aranzhmani “Stand By”, që shqyrtohen kohë pas kohe. Ne ishim këtu për shqyrtimin e tretë dhe mendojmë se edhe ai do të kompletohet. 

-    Ne shpesh kemi dëgjuar kritika nga partitë politike dhe ekspertët e pavarur të ekonomisë që thonë se Qeveria nuk po u kushton vëmendjen e duhur sektorëve të tjerë, siç janë arsimimi dhe shëndetësia. Si e vlerësoni këtë?

Wiegand: Mendoj se kjo reflekton atë që thashë më herët. Ne, vërtet, nuk duam t’i tregojmë qeverisë se ku t’i shpenzojë paratë e saj, dhe kjo gjithashtu ka lidhje me faktin që ne politikisht jemi neutralë, kështu që i respektojmë prioritetet e qeverisë për shpenzime, por kur në Kosovë vjen një qeveri e re me prioritete të tjera për shpenzime, ne do t’i respektojmë edhe ato, ne vetëm kërkojmë t’i integrojmë ato në një strukturë të qëndrueshme makroekonomike dhe fiskale. Mendoj se nëse doni të diskutoni se cila është mënyra me efikase për Kosovën për t’i shpenzuar paratë e saj, institucion më i mirë për të diskutuar për diçka të tillë është Banka Botërore, e cila më shumë merret me zhvillimin ekonomik, e më pak me stabilitetin makroekonomik.

– Nuk po shohim shumë investitorë të huaj që vijnë në Kosovë. Shumë vlerësojnë se kjo do ta ndihmonte buxhetin e Kosovës. Si e shihni ju këtë?

Wiegand: Para se gjithash, nuk më duket krejt e saktë që në Kosovë nuk ka investime të huaja. Ka investime që veçanërisht vijnë nga diaspora kosovare. Problemi është se shumica e këtyre parave shkojnë në ndërtime shtëpish, pastaj në sektorin e shërbimeve. Të gjitha këto i kanë rritur kapacitetet prodhuese dhe e kanë zhvilluar ekonominë. Mirëpo ekziston shpresa se dikur do të ketë ndryshime dhe do të ketë njerëz që do të nisin të ndërtojnë fabrika në Kosovë dhe gjëra të tilla. Dhe deri tani kjo ka ndodhur vetëm në një shkallë relativisht të vogël dhe mendoj se shpresa është që këto ndryshime të ecin përpara dhe diaspora kosovare të jetë e para për të qenë në gjendje të identifikojë mundësitë e tilla për biznes në Kosovë. Kështu, sipas mendimit tim, problemi ka të bëjë më pak me shumën e investimeve direkte dhe më shumë me llojin e aktiviteteve financuese.

–    A është stabil sistemi bankar në Kosovë?

Wiegand: Po, është shumë stabil. Në fakt, ne sapo kemi pasur një mision të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Unë nuk isha pjesë e atij misioni, por misioni kishte synim shikimin e stabilitetit të sektorit financiar dhe ka dhënë një vlerësim të fuqishëm për stabilitetin financiar në Kosovë. Kështu që në përgjithësi sektori financiar duket mjaft stabil, mbikëqyret mirë. Dhe sigurisht me ngadalësimin e ekonomisë kemi vërejtur rritje të kredive problematike, por niveli i tyre është më i ulët sesa në shumicën e vendeve fqinje, sistemi bankar është i kapitalizuar mirë. Kështu që në përgjithësi fotografia, sa i përket sistemit financiar, është mjaft e mirë.

Të ruhet Banka Qendrore, të mos ketë parime të dyfishta

–    Banka Qendrore e Kosovës ka një drejtor të ri, ai është Bedri Hamza, ish-ministër i Financave. Ai u votua nga parlamenti për këtë pozitë pavarësisht kundërshtive nga partitë opozitare. Ata e fajësojnë Qeverinë se po vendos figura politike, figura partiake, në pozita të pavarura. Si e komentoni ju këtë?

Wiegand: Kjo është një pyetje e mirë, sepse pavarësia e Bankës Qendrore është shumë e rëndësishme. Megjithatë, do të doja të thosha se Bedri Hamza nuk është rasti i parë që një person me sfond politik transferohet në Bankën Qendrore.

–    Por në këtë rast, gjithçka ishte shumë e shpejtë. Ai dha dorëheqjen nga pozita e ministrit të Financave dhe garoi për këtë post.

Wiegand: Kjo është e saktë. Por nëse shikoni për shembull në Shtetet e Bashkuara, guvernatori i tashëm i Rezervave Federale, Ben Bernanke, puna e tij e fundit para se të bëhej guvernator i Bankës Qendrore ishte këshilltar për ekonomi i presidentit Bush në Shtëpinë e Bardhë.

–    Ju faleminderit që e krahasoni Kosovën me Shtetet e Bashkuara, por a mendoni se kjo është e zbatueshme edhe në Kosovë?

Wiegand: Mendoj se me rëndësi janë parimet. Nëse e shikoni Gjermaninë, presidenti i tashëm i Bundesbankës ishte këshilltar për ekonomi i kancelares Merkel para se të bëhej president i Bundesbankës. Dhe ajo që dua të them është se në Kosovë nuk duhet të zbatohen standarde të dyfishta nga ato të vendeve të tjera. Transferimi i politikanëve në Banka Qendrore ka ndodhur edhe nëpër vende e tjera. Megjithatë, sipas mendimit tim, me rëndësi do të ishte që Bedri Hamza të demonstrojë pavarësinë e tij zëshëm dhe shpejt, sa është në Bankën Qendrore, sepse pavarësia e Bankës Qendrore është shumë e rëndësishme, është kritike për stabilitetin e sistemit financiar dhe mendoj se përparimet e mira që janë bërë në vitet e fundit në promovimin e stabilitetit financiar këtu në Kosovë duhet të vazhdojnë edhe më tutje.

–    Sa i përket mbipunësimit në sektorin publik, FMN-ja gjithmonë ka kërkuar që të kihet kujdes në këtë çështje, por nuk kemi parë shumë përparim, as me ndryshimin e qeverive gjatë viteve të fundit.

Wiegand: Nuk jam i sigurt nëse e kuptova mirë pyetjen! Çfarë doni të thoni me mbipunësim? Nëse numri i të punësuarve është shumë i lartë apo i ulët?

–    Po, po, është thënë më parë se ka rreth 10% më shumë persona të punësuar në sektorin publik, sesa ka nevojë.

Wiegand: Kjo është interesante, më parë kam dëgjuar se FMN-ja ka thënë kështu, por sigurisht se nuk isha unë ai që e ka thënë një gjë të tillë, dhe nuk jam i sigurt prej nga ka ardhur kjo. Ne nuk kemi bërë ndonjë inspektim nëse ka apo jo numër të madh të të punësuarve në sektorin publik në Kosovë. Neve na intereson qëndrueshmëria e faturave të pagave në sektorin publik. Kjo sigurisht konsiston në dy gjëra: numri i të punësuarve dhe rritja e pagave që është bërë në sektorin publik. Në një farë shkalle këto dy gjëra janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Nëse keni një forcë më të vogël punëtore në sektorin publik mund të ketë rritje më të madhe të pagave, ndërsa nëse numri i punëtorëve në sektorin publik rritet, atëherë rritja e pagave do të ishte e vështirë, sepse përndryshe pagimi faturave për paga do të dilte nga kontrolli. Ajo që e di unë është se Banka Botërore në bashkëpunim me autoritetet kosovare, qe një kohë janë në përgatitje të reformës në sektorin e shërbimit civil. Kjo do të lejonte krijimin e vendeve të punës si në nivelin lokal të komunave, ashtu edhe në nivel qendror. Dhe kjo duket një reformë shumë e mirë. Sidoqoftë, ajo ende është në fazën e përgatitjes dhe nuk ka nisur të zbatohet.

–    A mendoni se Qeveria e Kosovës është qeveri e madhe? Ne kemi 6 zëvendëskryeministra, shumë zëvendësministra dhe shumë ministra.

Wiegand: Nuk dua të komentoj për këtë. Varet nga Qeveria se si dëshiron ta krijojë administratën publike dhe mënyrën se si do të operojë. Ajo që na intereson neve është fatura e pagave në sektorin publik që është rreth 8 për qind e GDP-së, që është në linjë me vendet fqinje.

–    Cila do të jetë mbështetja e FMN-së për Kosovën në periudhën e ardhshme?

Wiegand: Ekzistojnë tri mënyra se si FMN-ja bashkëpunon me shtetet, fillimisht e bëjmë vëzhgimin, kështu që disa përfaqësues vijnë në vend. Një herë apo dy herë në vit një mision vjen në vend dhe diskuton për politika të ndryshme, për politikat mikroekonomike, politikat fiskale, pastaj politikat e sektorit financiar dhe për të shkruar një raport. Kjo është ajo që ne bëjmë me çdo anëtar të FMN-së. Masa e dytë është që me FMN-në mund të keni programe, siç është dhënia e hua e parave nga FMN-ja për një vend për shkak të nevojave financiare dhe Qeveria me FMN-n pajtohen për një program ekonomik që do të mbështetet nga FMN-ja, ose Qeveria dhe FMN-ja e analizojnë situatën për të parë se cili program mund të financohet nga FMN-ja. Ky është tërësisht vendim i qeverisë nëse dëshiron të ketë një program të tillë, apo jo. Për aq kohë sa Qeveria e konsideron të dobishme të jetë në marrëdhënie programore me FMN-në, ne do të jemi me ta, ndoshta vjen një ditë që Qeveria nuk e sheh të dobishme, atëherë ne do t’i kthehemi modës normale të mbikëqyrjes që ne e kemi me shumicën e vendeve. E treta, që gjithashtu është shumë e rëndësishme, megjithëse, nuk është diskutuar shumë në publik, është asistenca teknike. FMN-ja ka ekspertë në shumë fusha dhe me kërkesë të qeverive dërgon ekspertë në vende të ndryshme për t’i ndihmuar lidhur me problemet specifike politike, ku Kosova e kishte pjesën e saj të duhur në asistencën teknike nga FMN-ja, në të kaluarën e afërt, që kishte të bënte me mbikëqyrjen e bankave, pastaj me sistemin e taksave, me administratën e doganave dhe pastaj me disa statistika kombëtare, pra janë disa fusha ku Kosova merr ndihmë teknike nga FMN-ja. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...