Gara etnike për Kërçovën

15 Mars 2013 - 10:59      

Në zgjedhjet lokale të 24 marsit, për herë të parë një kandidat shqiptar ka gjasa reale që ta fitojë garën zgjedhore në Kërçovë dhe të marrë drejtimin e këtij qyteti me mbi 60 mijë banorë.

Kërçovë, 15 mars - Në zgjedhjet lokale të 24 marsit, për herë të parë një kandidat shqiptar ka gjasa reale që ta fitojë garën zgjedhore në Kërçovë dhe të marrë drejtimin e këtij qyteti me mbi 60 mijë banorë. 
Fitorja e kandidatit shqiptar pritet të ndodhë për shkak të ndarjes së re territoriale qytetit të Kërçovës, të cilit i janë bashkangjitur katër komuna rurale me shumicë shqiptare.

Kjo gjë ka ndryshuar strukturën etnike të këtij qyteti, ku tani shumicën e popullsisë e përbërjnë shqiptarët.

Fatmir Dehari është kandiduar në garën zgjedhore në Kërçovë nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ai, në këtë garë ka marrë mbështetjen edhe të dy partive shqiptare PDSH dhe RDK.  Dehari është optimist për fitore ndërsa thotë se do t’i përmirësojë padrejtësitë që me vite i janë bërë shqiptarëve të Kërçovës, transmeton Top Channel.

”Është një moment i rëndësishëm i një kthese historike i një padrejtësie të madhe që i është bërë qytetarëve të Komunës së Kërçovës. Ne jemi të përgatitur të tejkalojmë paragjykimet dhe të ngadhënjejnë projektet tona për një Kërçovë europian që merr frymë shqip”, deklaroi Dehari.

Gara në këtë Kërçovë do të jetë etnike. Edhe partitë maqedonase kanë dalë vetëm me një kandidat për të mos lejuar që qyteti të kalojë në duar të një shqiptari.

Madje, subjektet maqedonase do të garojnë listë unike edhe për këshillin bashkiak, gjë që nuk ndodh tek shqiptarët, pasi tre subjektet shqiptare kanë dalë me lista të veçanta për këshilltarët.

”Kandidaturën time e kanë mbështetur gjithë qytetarët shqiptarë. Vlen të theksoj se edhe përqindja më e madhe e komuniteteve tjera jo shumicë që jetojnë në komunën e Kërçovës, sidomos ai turk dhe rom, mbështesin kandidaturën time. Kjo e madhështon kuptimin demokratik të kësaj ngjarje këtu në Kërçovë, përkundër faktit që partitë maqedonase kanë dal me listë dhe
kandidat të përbashkët, pra një garë e pastër etnike. Nga ana tjetër, ne shqiptarët, po demonstrojmë parime dhe vlera demokratike. Pavarësisht asaj që dalim me tre lista shpresoj që të ngadhënjejë lista e BDI-së për shumë arsye”, u shpreh Dehari.

Për shkak të rëndësisë së kësaj gare, për shqiptarët pritet që të kthehen në vendlindje shumë mërgimtarë për të votuar. Zgjedhjet lokale në Maqedoni zhvillohen në 80 komuna dhe qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë administrative.



comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...