Mijëra protestues në marshin “Kundër hajnisë – për zhvillimin e shtetit”

13 Mars 2013 - 13:11      

(E plotësuar) - Mijëra protestues iu përgjigjën sot organizatorëve të marshit “Kundër hajnisë - për zhvillimin e shtetit", që u mbajt në kryeqytet. Ata, ashtu siç ishte paralajmëruar, u mblodhën pikërisht në orën 12 para zyrave të KEK-ut, prej nga marshuan paqësisht nëpër Sheshin “Nënë Tereza” deri para godinës Qeverisë, e cila bashkakuzohet nga qytetarët për fryrje faturash për energjinë. Protestuesit në fakt manifestuan pakënaqësinë përgjithësisht ndaj gjendjes në të cilën është katandisur vendi, ndaj varfërisë, korrupsionit dhe papërgjegjësisë.

Prishtinë, 13 mars – (E plotësuar)  - Mijëra protestues iu përgjigjën sot organizatorëve të marshit “Kundër hajnisë - për zhvillimin e shtetit", që u mbajt në kryeqytet. Ata, ashtu siç ishte paralajmëruar, u mblodhën pikërisht në orën 12 para zyrave të KEK-ut, prej nga marshuan paqësisht nëpër Sheshin “Nënë Tereza” deri para godinës Qeverisë, e cila bashkakuzohet nga qytetarët për fryrje faturash për energjinë. Protestuesit në fakt manifestuan pakënaqësinë përgjithësisht ndaj gjendjes në të cilën është katandisur vendi, ndaj varfërisë, korrupsionit dhe papërgjegjësisë.


Aktorja me famë ndërkombëtare, Arta Dobroshi, e cila iu bashkua organizatorëve,  kur u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protestë, përmendi se “mbi 40 për qind e popullit tim janë të papunë dhe krejt kjo si pasojë e keqqeverisjes”.


Yll Rugova, nga Grupi i qytetarëve të organizuar, kishte bërë thirrje që kësaj proteste paqësore t’i bashkohen të gjitha institucionet dhe organizatat, qofshin ato politike apo joqeveritare, në mënyrë që të ndihmojnë protestën me pjesëmarrje sa më të madhe, kurse Ilir Deda nga Instituti “KIPRED”, tha se ky është marshi i parë i këtij viti kundër së keqes.


Ndër protestues ishte edhe deputetja e AAK-së Donika Kada – Bujupi, drejtuesja e Grupit Koha, Flaka Surroi dhe shumë emra të jetës publike e politike.

Në komunikatën e Grupit të Qytetarëve të Organizuar rreth organizimit të protestës së sotme thuhet se mijëra qytetarë sot protestuan me moton “NDALOJE HAJNINË – ZHVILLOJE SHTETIN!”.


Pas 6 protestash kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike për muajt e parë të vitit, pasi u kërkua përgjegjësi institucionale për vjedhjen nga KEK-u, duke mos e parë asnjë reagim serioz të institucioneve përgjegjëse, u bë e qartë që ka një problem më të thellë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. KEK-u është vetëm sipërfaqja e këtij korruptimi të thellë të kuptimit të institucioneve dhe vartësve të tyre.

Vjedhja e KEK-ut, nuk ka sesi të luftohet nga institucione poashtu me hajni të instaluar brenda tyre, të korruptuara e të shantazhuara nga krerët e hajnisë. Mosreagimi i Prokurorisë, Kuvendit, ZrrE-së, MZHE-së konform kërkesave të qytetarëve tregon për shpërndarjen e kësaj dukurie në të gjitha këto institucione, thuhet në komunikatë.

Sot u protestua për të 7-ën herë, tashmë me mijëra qytetarë u bashkuan. U protestua kundër hajnisë dhe për zhvillimin e shtetit të Kosovës. Kjo është veç protesta e parë e nisur nga Grupi i Qytetarëve të Organizuar në bashkëpunim me OJQ-të, organizimet politike e jopolitike si dhe me organizatat studentore numri i të cilave do të rritet në vazhdimësi.

Kërkesat e sotme ishin:

- Ndalimi i shkyçjeve dhe vënia e përgjegjësve para drejtësisë.
- Thellimi i hetimeve në çështjen e KEK-ut, sqarimi i çështjes së njehsorëve digjital
- Të mos rriten çmimet e energjisë elektrike në të ardhmen dhe të ndryshohet mënyra e tanishme e tarifimit
- Fillimi i hetimeve për të gjitha rastet e korrupsionit në të gjitha institucionet dhe vënia e fajtorëve për vjedhje para drejtësisë, pa marrë parasysh pozitën e tyre politike.
- Të ndalohet hajnia dhe korrupcioni që po e pengon zhvillimin e shtetit

Grupi i Qytetarëve të Organizuar thërret qytetarët e Kosovës që nesër t’i bashkohen protestës së Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së.
Ndërkohë përmes mediave do të informohen të gjithë qytetarët për protestën e radhës kundër hajnisë.

Rritet përkrahja për marshin e sotshëm kundër korrupsionit

Prishtinë, 13 mars  - 08:19 - (E plotësuar)  Dy parti politike dhe më se 20 organizata joqeveritare të mërkurën do t’i bashkohen protestës që organizohet nga Grupi i Qytetarëve të Organizuar, në shenjë pakënaqësie ndaj parregullsive në faturimin e energjisë, por edhe ndaj të gjitha fenomeneve negative që janë produkt i qeverisjes qendrore dhe lokale. Protestuesit do të grumbullohen të mërkurën, në orën 12:00, para ndërtesës së KEK-ut.

E më pas marshi protestues do të vazhdojë deri tek Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Qeveria e Kosovës.

Teuta Hoxha, përfaqësuese e GQO-së, ka thënë se grupet e krijuara për faturimin e muajit janar nga institucionet të ndryshme nuk kanë prodhuar asnjë raport profesional, përveç raportit të ekspertëve të ZRRE-së që ka treguar për gjendjen reale në KEK. Hoxha dyshon se edhe ai raport real i ZRRE-së do të mbetet në letër dhe nuk do të ndërmerret asnjë veprim për ndëshkimin e përgjegjësve.

Ajo ka thënë se në marshin kundër korrupsionit janë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës duke përfshirë edhe partitë politike dhe organizatat joqeveritare. Hoxha ka thënë se reagimet e Kuvendit, të Qeverisë e institucioneve të tjera nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Ilir Deda, njëri nga organizatorët e protestës të së mërkurës, ka thënë të kenë marrë mbështetje nga organizatat studentore dhe nga 21 organizata joqeveritare. Kësaj radhe, sipas tij, nuk do të protestohet vetëm për faturat dhe hajninë në KEK, por edhe për hajninë në Qeveri e nëpër komuna.

“Ka ardhur koha që çdo njeri në Kosovë, duke e parë realitetin, me dalë dhe me marshu kundër korrupsionit. Marshi kundër korrupsionit për zhvillimin e shtetit. Pra nuk ka të bëjë vetëm me reagimin ndaj një të keqeje, por ka të bëjë edhe për diçka të mirë”, ka thënë ai, duke shtuar se korrupsioni është shkaktar i varfërisë në Kosovë dhe i nivelit të lartë të papunësisë.
Deda ka lënë të kuptohet që marshe të tilla kundër se keqes do të mbahen edhe në të ardhmen në Kosovë.

“Të fillojmë në marshin e parë kundër korrupsionit për vitin 2013”, ka thënë Deda. “Nuk munden me u vjedh votat, e mos me pas ndëshkim. Nuk munden me u vjedh 1.4 milionë euro në Qeveri, mos me pas ndëshkim. Nuk mundet KEK-u t’i bëjë këto e të mbetet pa ndëshkim. Nuk mund të hetohen të gjithë ata kryetarë të komunave pa ndëshkim dhe nuk munden me ikë investitorët prej Kosovës pa ndëshkim. Çka është më me rëndësi, nuk mundet me u vjedh e ardhmja e jonë dhe e fëmijëve tanë pa ndëshkim”, është shprehur ai

Deda ka thënë se përmes marsheve paqësore do të tentohet që të bëhet presion që të vijë deri te ndëshkimi i atyre që i bëjnë dëm shtetit.

“Me pas moral këta në politikë kishin me dhanë dorëheqje dhe kishin me u ndëshku shumë ma herët. Që trembëdhjetë vjet në Kosovë nuk është instaluar kultura e ndëshkimit... Nuk mundet popullata të varfërohet, 90 për qind e rinisë të largohet prej Kosovës e tjerët të vazhdojnë me vjedh. Pra të dokumentohet që po vidhet dhe mos me pas asnjë reagim të organeve kompetente”, ka thënë ai.

Yll Rugova, njëri nga përfaqësuesit e Grupit të Qytetarëve të Organizatave (GQO) ka thënë se indinjata e qytetarëve ndaj padrejtësive të KEK-ut është duke u rritur. Ai e ka kritikuar menaxhmentin e KEK-ut dhe bordin e saj që kanë ndërmarrë veprime sa për të thënë me rastin e suspendimit katërditor të katër menaxherëve në Distriktin e Prishtinës.

Edhe aktorja e njohur kosovare, Arta Dobroshi, ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen marshit kundër korrupsionit, pasi, sipas saj, ky fenomen është duke e dëmtuar imazhin e Kosovës, ekonominë dhe të ardhmen e të rinjve.

“Kur s’ka korrupsion, ka ekonomi të mirë dhe nuk ka papunësi...Ka ardhur momenti kur krejt populli i Kosovës të bëhet bashkë dhe të tregojë se ne jemi për Kosovë të bukur, me ekonomi të mirë dhe jemi kundër korrupsionit”, ka thënë ajo.

Dobroshi në përvojën e saj jashtë shtetit të Kosovës e ka parë se shtetit më të ri në Evropë iu është dëmtuar shumë imazhi nga fenomeni i korrupsionit.

“Thërrasim krejt popullin e Kosovës që me dal me neve dhe me tregu që ne nuk jemi për korrupsion, se ne jemi njerëz të mirë dhe nuk duam me pas fytyrë të keqe. Njerëzit që janë në pushtet veç çka po na e marrin fytyrën. Mua më vjen marre kur shkoj jashtë se vazhdimisht më flasin për korrupsion”, ka thënë ajo. “Nuk kemi me dalë vetëm për fatura kësaj radhe, por kundër korrupsionit, kësaj radhe është më e madhe.”

Kjo është protesta e shtatë me radhë që organizohet kundër hajnisë në KEK. Fillimisht konsumatorët e KEK-ut të irrituar me vlerën e faturave të energjisë elektrike e kishin organizuar spontanisht protestën para ndërtesës së KEK-ut.

Prishtinë, 12 mars - Grupi i Qytetarëve të Organizuar ka njoftuar se nesër, duke filluar nga ora 12.00, do të organizojnë një marshit paqësor kundër, siç thuhet, fryrjes së faturave të KEK-ut. Ata kanë ftuar qytetarët që janë të pakënaqur me faturat e KEK-ut dhe Qeverisjen aktuale t’i bashkohen këtij marshi paqësor.

Marshi do të fillojë nga ndërtesa e KEK-ut deri te Qeveria e Kosovës dhe përveç faturave të KEK-ut, ata do të ngrenë zërin edhe ndaj dukurive negative që po ndodhin në vend.

Grupit të Qytetarëve të Organizuar, të cilëve iu janë bashkangjitur shumë organizata joqeveritare dhe studentore, sot iu kanë bashkangjitur edhe Arta Dobroshi dhe Ilir Deda, të cilët kanë ftuar qytetarët që të bashkohen sikur në kohërat e vjetra kur organizoheshin marshe kundër parregullsive.

Në komunikatën e Grupit të qytetarëve të Organizuar rreth organizimit të protestës së sotme thuhet se “ditëve të fundit janë raportuar nëpër medie ankesa nga një numër i madh i qytetarëve të cilët ankohen për faturat e reja të fryra të muajit shkurt. Në anën tjetër, zyrtarë të KEK-ut po i quajnë normale vjedhjet dhe rritjen e faturave duke tentuar ta maskojnë vjedhjen me gabimin.

Ne ia bëjmë me dije KEK-ut dhe të gjitha institucioneve relevante për çështje të energjisë se vjedhja nëpër tërë territorin e Kosovës nuk mund të jetë lëshim dhe se faturat e ardhura kudo me fryrje dhe asnjëherë me zvogëlime vlerash tregon për vjedhje me paramendim dhe kurrsesi për gabime a lëshime punëtorësh”.

Protestuesit në protestën e fundit e kanë kundërshtuar ashpër përjashtimin e punëtorëve nga puna dhe masat tjera të marra ndaj tyre, duke shprehur sigurinë e tyre që fajtorët janë në majat e hierarkisë së KEK-ut dhe institucioneve të tjera relevante.

Ne kërkojmë shkarkimin zinxhiror të menaxhmentit qendror, hetimin nga prokuroria dhe futjen në burg të fajtorëve, me një fjalë ne kërkojmë sundim të drejtësisë dhe funksionim të institucioneve për të cilat ne qytetarët e Republikës së Kosovës paguajmë taksa.

Por, para të gjithë këtyre ne kërkojmë ndalimin e shkyçjeve pa u sqaruar krejt situata e krijuar pas hajnisë së KEK-ut e cila po vazhdon sipas dijenisë sonë për dy muaj rresht, ndërkaq dyshimet për hajni të tilla gjatë muajve të tjerë do të duheshin vërtetuar pas hetimeve të thella që institucionet përgjegjëse nuk po i bëjnë.

Grupi i Qytetarëve të Organizuar është në konsultim me të gjitha organizatat joqeveritare dhe grupe të ndryshme shoqërore për organizimin e një proteste masive gjatë javës që po vjen, në të cilën do të protestohet kundër hajnisë dhe kundër mosfunksionimit të institucioneve.

Grupi i Qytetarëve të Organizuar fton të gjitha organizatat dhe organizimet që ende s’janë bashkuar në thirrjen e përbashkët që të bashkohen në thirrjen e ardhshme që do t’i drejtohet qytetarëve të Kosovës për një protestë masive kundër hajnisë dhe kundër mosfunksionimit të institucioneve përgjegjëse për luftimin e saj.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...