Qendra e Kompetencës në Malishevë, me rregullore të veçantë

11 Mars 2013 - 15:20      

Feim Hoxha, anëtar i Kuvendit të Malishevës, nga radhët e PDK-së, disa herë e ka ngritur në legjislativin komunal çështjen e hartimit dhe aprovimit të një rregulloreje të veçantë për Qendrën e Kompetencës (QK), e cila funksionon në këtë komunë si shkollë e mesme
profesionale.

Malishevë, 10 mars – Feim Hoxha, anëtar i Kuvendit të Malishevës, nga radhët e PDK-së, disa herë e ka ngritur në legjislativin komunal çështjen e hartimit dhe aprovimit të një rregulloreje të veçantë për Qendrën e Kompetencës (QK), e cila funksionon në këtë komunë si shkollë e mesme
profesionale.

“Duke marrë parasysh specifikat që i ka QK-ja dhe duke qenë vet për një kohë sekretar i kësaj shkolle, e kam vërejtur mungesën e një rregulloreje për të”, ka thënë Hoxha. Në QK, sipas tij, nuk duhet të ketë Këshill të Shkollës, por Bord. E Bordi, sipas Hoxhës, duhet të përbëhet, veç të tjerëve, edhe nga përfaqësues të biznesit, pasi puna praktike e shkollës lidhet direkt me bizneset. Ai ka tërhequr vëmendjen se në QK, për dallim prej shkollave të tjera, ka edhe udhëheqës të sektorëve, mandej kontabilistë, bibliotekistë si dhe menaxherë për edukim dhe biznes e komunikim me jashtë.

QK-ja mund të organizojë edhe kurse e trajnime të ndryshme, sipas kërkesave të tregut, mandej ajo mund t’i lëshojë me qira hapësirat shkollore prej të cilave mund të krijojë të hyra vetjake. Të gjitha këto dhe pika të tjera të ndryshueshme nga shkollat e tjera të mesme Hoxha vlerëson se duhet të futen në kornizë të një rregulloreje të veçantë dhe të dalin para legjislativit komunal për trajtim dhe aprovim. Drejtori i QK-së në Malishevë, Besim Dobruna, ka bërë me dije se shkolla tashmë e ka hartuar një draftrregullore, në të cilën janë harmonizuar Udhëzimi Administrativ i MASHTK- për QK-të i nxjerrë më 2012 dhe Rregullorja komunale për arsimin e mesëm të lartë.

“Rregulloren e re e kemi dorëzuar në Drejtorinë Komunale për Arsim dhe presim që ajo të shkojë në KK për aprovim”, ka thënë Dobruna. Ai duke kujtuar se QK-të si institucione nacionale në të ardhmen do të qeverisen nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional e Kosovës që është në themelim e sipër, ka theksuar se për momentin rregullorja e re do të duhej aprovuar në legjislativin komunal. “Derisa të themelohet agjencia puna jonë është e lidhur direkt me DKA-në dhe komunën prandaj do të duhej që organi më i lartë komunal ta aprovojë këtë rregullore me ndryshimet e bëra”, ka theksuar Dobruna.

“Ne si menaxhment mendojmë se, meqë komuna e ka një rregullore për shkollat e mesme dhe meqë një QK funksionon në Malishevë dhe meqë funksionet dhe procesi mësimor i kësaj qendre ndryshon nga shkollat tradicionale profesionale, duhet të ketë një rregullore të veçantë për të bazuar në Ligjin për Arsim Profesional dhe Udhëzimet që MASHTK i ka nxjerrë për QK-të”, është shprehur ai. Drejtori i DKA-së në Malishevë, Isuf Morina, ka pohuar se drejtoria e tij e ka marrë draftrregulloren nga QK-ja.

“Po e kemi marrë një draftrregullore e cila ka pak ndryshime dhe pasi të konsultohemi me ligjin ne do të shohim nëse është nevoja të nxirret para KK-së për aprovim”, ka thënë Morina. Në anën tjetër, kryesuesi i KK të Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se legjislativi komunal është i gatshëm ta trajtojë një draftrregullore eventuale nga QK-ja dhe DKA-ja. “Në rast se DKA-ja e sjell për shqyrtim një draftrregullore të tillë ne do ta bëjmë atë dhe pas debatit do të shihet nëse do të marrë vizën apo jo”, ka nënvizuar kryesuesi i KK të Malishevës.

QK-të janë institucione të reja arsimore në sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional të Kosovës, të cilat synojnë të ofrojnë punëtorë të kualifikuar për tregun e punës në Kosovë dhe në BE. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...