Mbi (keq)kuptimin dhe (keq)përdorimin e religjionit

8 Mars 2013 - 20:01      

E dhimbshmja është se shpesh në situata dhe shoqëri në transicion, si kjo e jona, dalin në sipërfaqe individë e grupe njerëzish që synojnë pa skrupuj përmbushjen e agjendave personale duke gjetur hapësirë në përkushtimin e sinqertë të të tjerëve. Radikalizmi religjioz, pa dyshim, do të jetë një problem me të cilin shoqëria kosovare pashmangshëm do të duhej të ballafaqohej, në mënyrë që të mos jetë vonë dikur vonë

“RELIGJIONI DHE nacionalizmi kanë shkaktuar luftërat e vdekjet më të mëdha të njerëzimit e njerëzit vazhdojnë t'i mbajnë si të shenjta!”

Ishte kjo një cicërimë që lëshova një ditë në rrjetin social Twitter teksa shikoja lajmet në CNN. Dhe, duke qenë të gjithë ne viktima dhe dëshmitarë të ideve të mëdha nacionaliste që çuan në luftën në Kosovë e edhe në shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë, menjëherë u përgatita që të merrja reagime në stilin “vetëm nacionalizmi i shpëton shqiptarët”.

Mirëpo, ajo që ndodhi, më befasoi jo pak. Asnjë reagim fare për nacionalizmin. Hiç. Por, plot, dhe me plot urrejtje, lidhur me – religjionin.

Me automatizëm përmendja e religjionit u ndërlidh me vetëm një religjion: islamin. Dhe, ndërlidhja e dytë, me luftërat dhe vdekjet që kanë shkaktuar “ateistët”, si Hitleri, Stalini e Mao Ce Duni.

Për mirësjellje, lëshova edhe një cicërimë tjetër: “Ta qartësojmë: 1) Kur them religjion, mendoj krejt fetë pa dallim. 2) Përveç religjionit e nacionalizmit, edhe ideologjitë kanë vrarë miliona.”

Sidoqoftë, si në shumë raste deri më tash, sa herë që dikush e thotë një mendim të pavarur lidhur me religjionin, vazhdojnë akuzat me gjuhë të urrejtjes.

E për nacionalizmin e ideologjinë asnjë reagim fare.

SI SHPJEGOHET KJO?

Nuk besoj se kam një shpjegim të qartë. Më tepër kjo qasje thërret në reflektim të përgjithshëm shoqëror.

Si ndodhi që në një vend të shkatërruar nga një luftë e nisur nga idetë e mëdha nacionaliste, të ketë më tepër tolerancë ndaj pikëpamjeve problematike liberale, sesa ndaj një vlere të cilën me mburrje e kishim thënë gjithnjë që e kishim, e që ka të bëjë pikërisht me tolerancën fetare?

Kam përshtypjen se me fokusimin e shoqërisë që të mos mbesim pre e atyre që ndodhën në luftë, hakmarrjes e urrejtjes, dhe të shikojmë nga e ardhmja, është shpenzuar shumë energji e para në atë që në gjuhën e organizatave joqeveritare është quajtur edukim mbi “marrëdhëniet ndëretnike” dhe “parandalimin e konflikteve”.

Mirëpo, gjatë kësaj kohe, shumë grupe të tjera interesi kanë shfrytëzuar mrekullisht mjerimin, varfërinë dhe traumën shoqërore të pasluftës për të imponuar agjenda të tyre, sidomos në fushën e religjionit.

Së këndejmi, në Kosovë kemi qenë dëshmitarë të përhapjes së sekteve të ndryshme të krishterimit, të panjohura më herët në vend, si dhe devijim nga ajo që është shquar gjithmonë si islam tradicional i shqiptarëve.

Tash, sigurisht për arsye se popullata shqiptare në Kosovë është në përqindjen më të madhe myslimane, prania e pikëpamjeve të ndryshme, shpesh radikale brenda këtij religjioni, ka filluar të bëhet gjithnjë e më dominuese.

Në anën tjetër, besoj se e tëra që duhet të bëhet në këtë aspekt është përpjekja e institucioneve të shtetit tonë, i cili është laik, me grupet që ngrenë zërin për çështje të religjionit.

Gjithsesi se me anë të edukimit dhe diskutimit të hapur do të mund të adresohen edhe pikëpamjet ndryshe, por asgjë nuk do të mund të arrihet në qoftë se problemet në rritje do të mbahen nën tepih.

Deri më tash, fatkeqësisht, kemi parë kalkulime të tmerrshme dhe qyqare të subjekteve tona politike kur bëhet fjalë për diskutimin e çështjeve të fesë - me ndonjë përjashtim të rrallë – domosdoshmërisht të lidhura me frikën e tyre se këto qasje jopopuliste do t’u hakmerren me vota në zgjedhje.

Mirëpo, mjafton që dikush të hyjë të hulumtojë së paku nëpër forumet e ndryshme në internet, ku shkruajnë pa dorëza shumë njerëz të përkushtuar të fesë, dhe të shihet se sa pak tolerancë dhe gjuhë të urrejtjes ndaj të gjithëve që mendojnë ndryshe ka nga disa aty.

Së fundi, edhe njerëz që kanë dështuar të arrijnë pushtetin edhe gjatë kohës së luftës, e edhe pas saj, me angazhimet nëpër parti të ndryshme, tash duket se kanë gjetur hapësirë për depërtim përfundimtar, duke (sh)përdorur për nevoja të veta zërin e frustruar të disa grupeve që ndihen të nëpërkëmbura në aspektin e të drejtave fetare.

E dhimbshmja është se shpesh në situata dhe shoqëri në transicion, si kjo e jona, dalin në sipërfaqe individë e grupe njerëzish, që synojnë përmbushjen e agjendave personale duke gjetur hapësirë në përkushtimin e sinqertë të të tjerëve.

Radikalizmi religjioz, pa dyshim, do të jetë një problem me të cilën shoqëria kosovare pashmangshëm do të duhej të ballafaqohej, në mënyrë që të mos jetë dikur vonë.

Jo me injorim, por me edukim, thirrje për tolerancë e mirëkuptim.

Apo, s’janë këto virtyte me të cilat gjithmonë jemi krenuar si popull?

GABIMET DHE PASOJAT e pariparueshme për një shtet dhe për një shoqëri shpesh ndodhin edhe nga individë dhe grupe që mendojnë se po përpiqen për të mirën e përgjithshme. Por, që shpesh harrojnë se liria e tyre për çfarëdo angazhimi mund të cenojë lirinë e tjetrit, e kjo të hyjë në spirale të paparashikueshme.

Apo, siç e ka thënë Slavoj Zhizhek, filozofi slloven me renome botërore:

“Njerëzit e këqij bëjnë gjëra të këqija, dhe gjithmonë i kanë bërë. Mirëpo, janë njerëzit e mirë ata që bëjnë gjëra të tmerrshme, duke menduar se po bëjnë diçka të mirë”.

Sigurisht se Zhizhek e ka pasur fjalën edhe për ata "njerëz të mirë" që kanë përdorur nacionalizmin, religjionin e ideologjinë për të bërë diçka të mirë, por që fatkeqësisht kanë përfunduar në nxitjen e luftërave dhe vdekjeve më të mëdha të njerëzimit.



adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...