“Trafiku Urban” i kryeqytetit përfiton nga komuna 2 milionë euro

7 Mars 2013 - 10:00      

Për të përmirësuar shërbimin e transportit publik, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur që “Trafikut Urban” t’ia ndajë 2 milionë euro për blerjen e autobusëve të rinj.
Zyrtarë komunalë thonë se me Ligjin e ri për ndërmarrjet publike, ata tani janë aksionarë qind për qind të “Trafikut Urban”.

Prishtinë, 7 mars - Për të përmirësuar shërbimin e transportit publik, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur që  “Trafikut Urban” t’ia ndajë 2 milionë euro për blerjen e autobusëve të rinj.

Zyrtarë komunalë thonë se me Ligjin e ri për ndërmarrjet publike, ata tani janë aksionarë qind për qind të “Trafikut Urban”.

“Ligji për ndërmarrjet publike, Komunën e Prishtinës, e bënë aksionare 100 për qind të ‘Trafikut Urban’. Komuna përkatësisht asambleja komunale ka zgjedhur aksionarët e kësaj ndërmarrjeje që vijnë nga radhët e këshilltarëve të Kuvendit, dhe këta të fundit e kanë zgjedhur bordin e drejtorëve. Pra, ndërmarrja ‘Trafiku Urban’, statusin e saj e ka të qartë, është ndërmarrje publike lokale që ofron shërbimin e transportit të udhëtarëve në Prishtinë”, ka thënë për gazetën zëdhënësi i Komunës, Asdren Osaj. Ai më tej ka shtuar se, subvencionimi i ndërmarrjeve publike lokale është i rregulluar me ligj, ndërsa vendimin për ndarjen ose jo të mjeteve e merr Kuvendi Komunal. Në bazë të vendimit të Komunës për dhënien e 2 milionë eurove, “Trafiku Urban” obligohet që të blejë autobusë të rinj. “Asambleja komunale e Prishtinës ka votuar pro dhënies se 2 milionë eurove për “Trafikun Urban”, me destimin për blerjen e autobusëve të rinj. ‘Trafiku Urban’, në bazë të këtij vendimi të Kuvendit Komunal, obligohet që të blejë autobusë të rinj e jo të përdorur. Çmimi i tregut është ai që përcakton numrin e autobusëve që do të blihen”, është shprehur Osaj.

Me gjithë shumën e ndarë këto nuk i plotësojnë nevojat e “Trafikut Urban”, pasi me dy milionë euro nuk mund të blihen më shumë se 20 autobus, nëse për një komunë do të paguajë 100 mijë euro, aq as vlerësohet që kushton një autobus i ri. “Jo vetëm për numrin e autobusëve që do të blihen me këto mjete, por vetëm për linjat 3 dhe 4 për t’i mbajtur në rregull, Prishtinës i nevojiten mbi 200 autobus, prandaj ndarja e këtyre mjeteve është vetëm një ndihmës e vogël që i bëhet kësaj kompanie, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve për qytetarë”, ka thënë Osaj. Dhënia e këtij subvencioni për “Trafikun Urban” i paraprin ndihmës së premtuar nga JICA japoneze, e cila ka premtuar dhënien e një ndihme për “Trafikun Urban”, por me kusht që edhe Komuna ta zgjatë dorën me në këtë drejtim. Edhe pse më herët është thënë që japonezët do t’i dhurojnë rreth 50 autobusë, kjo ende nuk dihet. Zyrtarë komunalë thanë se ende nuk kanë ndonjë përgjigje përfundimtare nga JICA japoneze për dhënien donacion të autobusëve.

Ndërkaq, zyrtarë të “Trafikut Urban”, i thanë gazetës se e mirëpresin këtë ndihmesë të Komunës për modernizmin e transportit publik. Kryeshefi ekzekutiv i “Trafikut Urban”, Bekim Gashi, ka pohuar se menjëherë pas përfundimit të procedurave të tenderimit do t’i fusin në funksion autobusët e rinj. “Ne implementojmë çdo projekt që vjen prej Komunës dhe këta 2 milionë euro do të shfrytëzohen për blerjen e autobusëve të rinj. Në pjesën e parë të këtij viti pritet futja në përdorim e autobusëve të rinj, për të pritur pastaj edhe ndihmën e japonezëve”, ka thënë Gashi. Gjithë këto investime, sipas tij, do të ndikojnë që “Trafiku Urban” ta bëjë një ristrukturim të brendshëm, me një plan afatgjatë zhvillimor të transportit publik, i cili do t’u ngjajë vendeve të Bashkimit Evropian. Sa u përket linjave, menaxhmenti i “Trafikut Urban” pret që ta mbulojë pjesën kryesore të qytetit. Autobusët e rinj do ta ndryshojnë edhe mënyrën e pagesës së biletave dhe ato do të paguhen në automate që pritet të instalohen në qytet, nëpërmjet bankave ose pagesa te shoferi i autobusit. Ndërkaq konduktorët që kanë kryer deri më tani punën e faturimit të udhëtarëve do të sistemohen në ndonjë pozitë tjetër në kuadër të “Trafikut Urban”.

Edhe përfaqësues të opozitës në Kuvend mirëpresin investimet në transportin publik, pasi, siç thonë ata, me autobusët që posedon aktualisht trafiku urban rrezikohet edhe jeta e qytetarëve. “Ne jemi për largimin e të gjithë autobusëve të cilëve shpeshherë e shohim se u bie edhe gipsi. Megjithatë si kancer i trafikut urban ne mendojmë se janë ilegalët të cilët jo vetëm që nuk paguajnë tatim ndaj shtetit, por ia marrin udhëtarët edhe operatorëve legalë”, thotë Aziz Pacolli nga Aleanca Kosova e Re.

“Autobusët që ka aktualisht “Trafiku Urban”, e që janë në gjendje jo të mirë teknike janë rrezik edhe për vetë qytetarët. Kështu që ne si opozitë e kemi pa të arsyeshme dhe e kemi përkrahur ndarjen e këtyre 2 milionë eurove. Edhe pse jo sa duhet, kjo ndihmë sadopak do të plotësojë nevojën e ‘Trafikut Urban’ për mbajtjen e vijave ekzistuese”, thotë Shefqet Sylejmani, shef i grupit parlamentar të AAK-së.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...