Shkolla “Ali Kelmendi” e Vushtrrisë prej një muaji pa ujë të pijshëm

1 Mars 2013 - 11:38      

Shkolla fillore “Ali Kelmendi” e Vushtrrisë prej një muaji është pa ujë të pijshëm. Arsyeja pse uji është i papërdorshëm është se dyshohet se ai është përzier me ujëra të zeza.

Vushtrri, 1 mars - Shkolla fillore “Ali Kelmendi” e Vushtrrisë prej një muaji është pa ujë të pijshëm. Arsyeja pse uji është i papërdorshëm  është se dyshohet se ai është përzier me ujëra të zeza.

Sipas drejtoreshës Kadrie Miniqi, Inspektorati komunal edhe Inspektorati rajonal kanë konstatuar që nga mostrat marra të ujit në shkollë, në bufenë e shkollës dhe në lokalet afër saj, mostrat e marra në shkollë konstatojnë se uji ka erë dhe nuk bën të përdoret për shkak të shfaqjes së ndonjë epidemie apo verdhëzës.  “Kjo gjë së pari është vënë re nga personeli i shkollës dhe nxënësit. E kemi ndaluar pirjen e këtij ujit dhe i kemi njoftuar nxënësit. Mirëpo për ta rregulluar këtë duhet të ndërrohen të gjithë gypat, sepse janë të vjetër që nga viti 1973, kur edhe janë instaluar, me siguri nëpër gypa ka vrima dhe aty uji ndotet nga ujërat e zeza”, ka thënë ajo.

Miniqi e ka arsyetuar mosintervenimin e Drejtorisë komunale të Arsimit, duke thënë: “Është një shumë e madhe e parave që duhet të investohet, sepse me qenë një shumë e vogël ndoshta do të kishin intervenuar”.

Ndërkaq drejtori i Arsimit komunal, Qerim Selimi, thotë se nuk është ndërmarrë  asgjë për arsye se kjo shkollë është paraparë në një projekt  ku do të bëhet një renovim i tërësishëm. “Shkolla ka ujë të nevojshëm për mbajtjen e pastërtisë, por për ujë të pijshëm është një çështje që duhet të zgjidhet pasi që duhet të ndërrohet i gjithë sistemi i furnizimit me ujë. Pra, duhet të ndërrohen gypat”, ka thënë ai.

Sipas tij, Ministria e Pushtetit Lokal nëpërmjet një projekti ka alokuar 250 mijë euro për izolim tubash, ngrohje, energji, ujë dhe  nyja sanitare. “Edhe rinovimi i gypave është i përfshirë në këtë shumë, mjetet janë të Komisionit Evropian edhe nëse nuk e realizojnë ata e realizojmë ne si komunë”, ka thënë Selimi. 

Që nga paslufta e deri tashti shkolla është ndihmuar vetëm me mjete të pakta dhe nga një shoqatë franceze. Shkolla ka 936 nxënës të rregullt, 11 me aftësi të kufizuara dhe 99 parashkollorë.

Nga ana tjetër, disa nga nxënësit thonë se ujin e marrin në çanta nga shtëpia. Edin Osmani, nxënës i klasës së pestë, thotë se uji në shkollë  s’pihet. “Ujin e marr çdo ditë nga shtëpia”, thotë ai.

Edhe Elona Zuka, po ashtu nxënëse, thotë se gjatë kohës që janë në shkollë shkojnë nëpër lokale afër për të pirë ujë.  “Uji në shkollë nuk pihet, kështu që ne gjatë pushimit shkojmë nëpër qebaptore për të pirë ujë, ose e blejmë”, ka thënë ajo.



 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...