VV-ja: Muja, kreu i katërt komunal (nga PDK) i akuzuar për korrupsion

27 Shkurt 2013 - 19:29      

Sot u ngrit aktakuzë kundër kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë për korrupsion, keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit, për përfitim personal.

Prizren, 27 shkurt - Sot u ngrit aktakuzë kundër kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë për korrupsion, keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit, për përfitim personal. Ky është kryetari i katërt nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ndaj të cilit organet e rendit kanë ngritur aktakuzë për krime të rënda. Me këtë ritëm mund të konkludojmë se as të tjerët nuk mbeten prapa, me gjasë është vetëm çështje kohe se kur do të ngrihen aktakuza edhe ndaj tyre, thuhet në një komunikatë për medie të qendrës së Vetëvendosjes në Prizren.

Sipas VV-së, “ky nivel i krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës nuk është vetëm dukuri e nivelit komunal. Në fakt niveli komunal është zgjatim i korrupsionit në nivelin qendror. Korrupsioni i cili tashmë është dëshmuar në prokurimin publik, përmes ryshfetit e nepotizmit, ka rezultuar në kapjen e shtetit tonë nga ana e kriminelëve dhe mafiozëve. Kosova nuk do të zhvillohet as politikisht e as ekonomikisht përderisa në pushtet të qëndrojnë rrjete të tilla mafioze”.

Kësaj radhe, si edhe më herët, partia të cilës i takon z. Muja, pra PDK-ja nuk mund të shfajësohet nga kjo aktakuzë e radhës, duke u thirrur në përgjegjësi personale të njerëzve, vijon komunikata. Në fakt, thotë VV, kryeministri këtë nuk e ka bërë as më herët.  Përkundrazi në rastin e të dënuarit që më pas u  arratis, Xhabir Zharkut, kryeministri Thaçi e lavdëroi për punën e bërë gjatë fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kaçanik. 

“Për këtë aktakuzë të radhës, PDK bart përgjegjësinë politike e morale për vjedhjen e qytetarëve të Prizrenit. Posaçërisht duke ditur përkrahjen që kryeministri ka ofruar për Mujën, përkundër dëshmive të shumta nga qytetarët dhe Qendra e Vetëvendosjes në Prizren”, thuhet në reagim.

VV ripërsërit qëndrimin e saj për çrrënjosjen e korrupsionit si parakusht për zhvillim politik, social e ekonomik të Kosovës, duke shtuar se si tani, ashtu edhe pas rrëzimit të kësaj qeverie, Vetëvendosje do të punojë pa ndalur në zbulimin e hajnisë në të gjitha nivelet deri në largimin e kësaj dukurie nga çdo institucion në vendin tonë. 

“Edhe njëherë ju bëjmë ftesë të gjitha organizatave politike, shoqërore e ekonomike për bashkërendim të aktiviteteve për të shpejtuar fundin e kësaj qeverisje të dëmshme, duke theksuar se tanimë dorëheqja nuk mjafton!”, përfundon komunikata e qendrës së Vetëvendosjes në Prizren.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...