“Mbas zonjushës Julie” për luftën midis klasave

27 Shkurt 2013 - 09:48      

Është nata e 26 korrikut e vitit 1945. Partia Laburiste Britanike sapo është mposhtur nga konservatorët, të udhëhequr nga Winston Churchill. Në njërën nga dhomat e shtëpisë së një pasaniku britanik zhvillohet një “luftë” e ngjashme me atë politike. Por lufta për aty ka mjete të tjera dhe bëhet për të mposhtur ndarjet mes klasave shoqërore. Christine (Xhejlane Godanci) dhe John (Astrit Kabashi) i shërbejnë babait të Zonjushës Julie (Gresa Pallaska). Dy të parët janë në prag të martesës. Por gjit

Prishtinë, 27 shkurt - Është nata e 26 korrikut e vitit 1945. Partia Laburiste Britanike sapo është mposhtur nga konservatorët, të udhëhequr nga Winston Churchill. Në njërën nga dhomat e shtëpisë së një pasaniku britanik zhvillohet një “luftë” e ngjashme me atë politike. Por lufta për aty ka mjete të tjera dhe bëhet për të mposhtur ndarjet mes klasave shoqërore. Christine (Xhejlane Godanci) dhe John (Astrit Kabashi) i shërbejnë babait të Zonjushës Julie (Gresa Pallaska). Dy të parët janë në prag të martesës. Por gjithçka komplikohet brenda natës. Zonjusha Julie, e dehur tej mase, nis të flirtojë me John. Duke qenë “thjesht një mashkull” (siç përmendet disa herë brenda shfaqjes), John nuk arrin t’i rezistojë joshjes nga Julie, së cilës ia humb virgjërinë. Por kur sfidohet realiteti dhe njerëzit bien pre e pasionit, pa kujtuar dallimet klasore, duhet paguar një çmim. Të dy protagonistët e paguajnë atë. Bashkë me ta gabimin e vuan edhe Christine. Julie, e cila vuan nga kujtimet e fëmijërisë së trishtë për shkak të raporteve të prindërve të saj, ka përparësi ndaj kësaj të fundit. Julie është e pasur, prandaj edhe urdhëron. Nga ana tjetër, Christine është ajo që duhet të zbatojë urdhrat. Edhe atëherë kur e zonja e shtëpisë i kërkon t’ia huazojë burrin me të cilin ka bërë plane të martohet. Rregulli është i qartë: paraja determinon pushtetin.

Një rrëfim në të cilin përplasen skenat “e nxehta”, me ato të trishta dhe komike, bashkë me tingujt e pianos - që interpretohen ‘live’ në skenë nga Jeta Dida - u shpalos në Teatrit Kombëtar të Kosovës. Shfaqja me titull “Mbas zonjushës Julie”, me tekst të Patrick Marber, e realizuar nën regji të Kushtrim Koliqit, iu nënshtrua vlerësimit të publikut, të hënën mbrëma. Kjo është premiera e dytë për këtë vit pas shfaqjes “Përplasjet” të Ekrem Kryeziut. Për më shumë se një orë, publiku, i cili në mungesë të ulëseve u “akomodua” edhe në dysheme, u kthye prapa në kohë, për të përjetuar shkurt ethet e jetesës nën regjimin klasor, kur paraja është gjithçka për njerëzit. Shfaqja u prit mirë në premierë.

“Një punë shumë e saktë, e pastër e regjisorit. Lojë shumë e mirë e tre aktorëve. Shfaqje e mrekullueshme dhe shpresoj që edhe publiku do të vijë ta shohë si sonte në premierë”, ka thënë aktori Kushtrim Sheremeti, pas premierës së “Mbas zonjushës Julie”.

“Ka skena shumë të bukura, komike, të trishta. Thjesht, shfaqje komplete”, ka shtuar ai.

Për kolegun e tij, Adrian Morina, “Mbas zonjushës Julie” është një shfaqje e kompletuar.

“Një shfaqje shumë e veçantë. Një dramë shumë e natyrshme, njerëzore. Ekip komplet, duke nisur nga teksti, regjia, një lojë e shkëlqyer e aktorëve, konkretisht Xhejlanja që s’kemi pasur rast ta shohim në role të mëdha. Ndërsa Gresa e Astriti janë aktorë që po e shtyjnë përpara këtë gjeneratë të aktorëve”, ka thënë Morina.

Dramaturgu Naser Shatrolli ka thënë se e ka përjetuar në mënyrë shumë të veçantë premierën e shfaqjes “Mbas zonjushës Julie”.

“Kjo shfaqje shënon një ngjarje kapitale për Teatrin Kombëtar të Kosovës. Regjia e Kushtrim Koliqit do ta tejkalonte mbase dhe mendësinë autoriale. Aktrimi i plasuar fort, gjesti, mimika brenda një plastike të theksuar. Gresa dhe Astriti janë tregim i veçantë për rrjedhën e artit dhe teatrit vendor. Xhejlane Godanci ka një shpërthim që rrallëherë e takon”, ka vlerësuar Shatrolli.

Sipas tij, në përgjithësi e gjithë shfaqja është dinamike dhe ngërthen dramaticitet të fuqishëm.

“Edhe pse e përshkon dhuna, situatat e ndurarduarta, gjuha, diksioni, marrëdhëniet, atakimet e forta erotike deri në shfrenim, kostumet, rekuizita, efekte, skenografi, mizanskena e paparë, të gjitha këto e bëjnë shfaqjen të veçantë”, ka shtuar ai.

Ekipi i “Mbas zonjushës Julie”, pas premierës ka qenë fjalë pak.

“Emocionet ende janë me ne. Mirë shkoi. Shpresoj që iu ka pëlqyer”, ka thënë aktorja Xhejlane Godanci.

Për Gresa Pallaskën, roli i zonjushës Julie ka kërkuar kondicion.

“Jam lodhur shumë. Shpresoj që gjithë kjo lojë i ka pëlqyer publikut”, ka thënë Pallaska.

Regjisori Kushtrim Koliqi, ka thënë se pritja që iu bë shfaqjes e kompenson punën që është bërë.

“Duke marrë parasysh punën e madhe dhe energjinë që kemi shpenzuar, më vjen mirë që publiku e priti mirë”, ka thënë Koliqi.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...