Mbipopullimi me studentë sfidon Universitetin “Hasan Prishtina”

25 Shkurt 2013 - 11:15      

Agjencia e Akreditimit e Kosovës i ka rekomanduar Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që ta shtojë numrin e stafit akademik në të gjitha njësitë akademike ku ka mbipopullim me studentë. Këtë e ka pohuar të dielën kryetarja e Këshillit Kombëtar për Cilësi në kuadër të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AAK), Ferdije Zhushi-Etemi. Ajo ka theksuar se meqë mbipopullimi tashmë ka ndodhur dhe studentët kanë marrë

Prishtinë, 25 shkurt – Agjencia e Akreditimit e Kosovës  i ka rekomanduar Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”  që ta shtojë numrin e stafit akademik në të gjitha njësitë akademike ku ka mbipopullim me studentë. Këtë e ka pohuar të dielën kryetarja e Këshillit Kombëtar për Cilësi në kuadër të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AAK), Ferdije Zhushi-Etemi.

Ajo ka theksuar se meqë mbipopullimi tashmë ka ndodhur dhe studentët kanë marrë indekse, duke kontraktuar me UP-në për studime, atëherë zgjidhja më e lehtë e problemit bëhet nëpërmjet shtimit të stafit akademik, në njësitë ku numri i studentëve është shtuar.

Mirëpo derisa në favor të shtimit të stafit akademik janë shprehur edhe krerët e Universitetit, të cilët kanë thënë se për këtë çështje brenda dy muajsh do të shpallet konkurs, shoqëria civile vlerëson se një qasje e tillë është e gabuar dhe se çon në drejtim të legalizimit të shpërdorimit të detyrës së bërë deri tashti.

Prorektori për çështje mësimore në UP, Nuri Bexheti, të dielën ka thënë se UP-ja është në fazën e procedimit të konkursit të rregullt i cili, sipas tij, pritet të shpallet në prill.

“Në secilin fakultet ku ka nevojë, numri i mësimdhënësve do të shtohet”, ka theksuar Buxheti. Sipas tij, nevojat për staf të ri janë edhe më të mëdha.

“Universiteti i Prishtinës ka nevojë edhe për 500 mësimdhënës, porse për këtë mundësitë buxhetore janë të vogla. Prandaj, jemi të interesuar dhe po i bëjmë përpjekjet që të shtohet buxheti”, është shprehur Buxheti. Ai ka thënë se në kuadër të pranimit të stafit të ri akademik janë të interesuar për staf të rregullt dhe jo për staf të angazhuar.

 “Pranimi i stafit të rregullt ka më shumë procedura, kërkohen më shumë kushte për t’u plotësuar, kërkohet nota më e madhe mesatare e të ngjashme. Tjetër është nëse drejtuesit e njësive akademike e shpërdorin pozitën dhe i zgjedhin për mësimdhënës personat që më pak i plotësojnë kushtet”, është shprehur ai.

I pyetur pse ka ndodhur mbipopullimi në fakultete, prorektori Bexheti është përgjigjur se “kjo (mbipopullimi v.j) nuk paraqet problem.

“Jo dyfishimi e trefishimi, por le të ndodhë edhe pesëfishimi i studentëve”, ka thënë ai, duke vlerësuar se me këtë nuk rrezikohet Universiteti, por shtohen mundësitë për shtim të cilësisë. Mirëpo, ai thotë se për këtë duhet shtuar transparencën maksimale. “Mundësia duhet t’u jepet të gjithë atyre që i plotësojnë kushtet dhe që dëshirojnë të regjistrohen.

Dhënia e indeksit nuk e nënkupton automatikisht edhe diplomimin”, ka pohuar Bexheti, sipas të cilit me liberalizimin e shkencës dhe të transparencës ata që nuk janë për shkencë vetë do të largohen, pasi që i nxjerr konkurrenca jashtë loje. Ndryshe, ka thënë Bexheti, një qasje e këtillë pamundëson futjen e studentëve rrugëve të jashtëligjshme nëpër fakultete.

Por drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare për  edukimin shëndetësor “KISCOM”, Xheladin Ujkani, rekomandimin e AAK-së dhe qëndrimin e prorektorit të UP-së i ka cilësuar si të paarsyeshme.

“Me këtë propozim Agjencia e Akreditimit edhe zyrtarisht del në shërbim të klaneve të ndryshme që veprojnë brendapërbrenda njësive akademike dhe të vetë Universitetit të Prishtinës,  të cilët për arsye të përfitimeve financiare, klanore e politike rrisin numrin e studentëve, shpeshherë edhe deri në 300 për qind”, ka thënë Ujkani.

Ai ka shtuar se AAK-ja do të duhej të reagonte në drejtim të kundërt.  “Në drejtimin e Stomatologjisë zyrtarisht konkursi është shpallur për të pranuar 70 studentë në vitin akademik 2012/2013, ndërsa tashti kur ka filluar semestri i dytë i vitit akademik aty janë deri në 250 studentë”, ka thënë Ujkani.

Sipas tij, ky drejtim nuk mund të përballojë këtë numër kaq të madh të studentëve, sepse ka vetëm një amfiteatër me kapacitet prej 55 ulësesh, sallat për realizim të pjesës profesionale praktike kanë kapacitet për 12 studentë në grupe, ndërsa vetëm në vitin e parë janë mbi 25 grupe.

“Kjo e bën të pamundur realizimin e planit mësimor teorik e praktik edhe po të punohet 24 orë në ditë.

Prandaj programi do të jetë i parealizuar”, është shprehur Ujkani, duke i sugjeruar AAK-së se është dashur të reagonte dhe të kërcënonte me anulim të akreditimit të programit në drejtimin e Stomatologjisë dhe të drejtimeve të tjera, e jo të kërkojë shtimin e numrit të mësimdhënësve e të stafit akademik.

Kjo sepse, sipas tij, njësitë akademike kur i përcjellin kërkesat  në Rektorat për pranimin e studentëve i paraqesin mundësitë:  stafin, hapësirat, kushtet e punës, planifikimin etj.

Burimet nga UP-ja theksojnë se ndër fakultetet më të mbipopulluara në këtë universitet janë Juridiku, Ekonomiku dhe Mjekësia. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...