“Franca e Gjermania do t'i luten në ‘gjunjë’ Turqisë për në BE”

22 Shkurt 2013 - 21:33      

Në fundjavë kancelarja gjermane Angela Merkel fillon një udhëtim dyditor në Turqi. A ekziston mundësia e hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet gjermano-turke si "shenjë e vullnetit të mirë"?

Berlin, 22 shkurt - Në fundjavë kancelarja  gjermane Angela  Merkel fillon një udhëtim dyditor në Turqi. A ekziston mundësia e hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet gjermano-turke si "shenjë e vullnetit të mirë"?

"E sëmura" e Bosforit prej kohësh është shëruar. Më shumë se kaq, për shkak të sukseseve ekonomike dhe prestigjit gjithnjë e më të madh ndërkombëtar të Turqisë, kancelaren gjermane e pret një kryeministër me shumë vetëbesim. Këtë qëndrim duket se e ka forcuar profecia e fundit e komisionarit të BE-së për energjinë, Günther Oettinger, sipas të cilit duket se Gjermania dhe Franca do t'i luten ‘në gjunjë’ Ankarasë të anëtarësohet në BE, shkruan DW.

Me më pak patetikë, por në të njëjtin drejtim shkojnë edhe deklaratat e politikanit kristiandemokrat, Ruprecht Polenz. Kryetari i Komisionit të Bundestagut për Marrëdhëniet me Jashtë, kërkoi hapjen e një kapitulli të ri në negociatat e anëtarësimit me Turqinë, pavarësisht bllokadës së Qipros, “me qëllim që të dyja palëve t'ju mundësohet një diskutim sistematik”.

Turqia refuzon me këmbëngulje që unioni doganor me 10 anëtarët më të rinj të BE-së ta zgjerojë edhe me një vend tjetër, me Republikën Qipriote. Kjo do të nënkuptonte që anijet qipriote dhe avionët të futeshin pa problem në portet dhe aeroportet turke. Turqit janë shumë të pakënaqur që deri më tani nga negociatat e hapura me BE-në, vetëm 13 nga 35 kapituj janë hapur, dhe vetëm një prej tyre, ai për shkencën dhe hulumtimet është përmbyllur.

Ndonëse nuk pritet që Merkel të ndryshojë pozicion nga ideja e një partneriteti të privilegjuar me Turqinë, si alternativë ndaj anëtarësimit, mediat turke dhe ato gjermane  i shohin si të mundshme "sinjalet pozitive", pasi edhe presidenti francez Hollande e vlerësoi si të mundur hapjen e një kapitulli të ri negociimi për politikën rajonale.

Por më shumë se procedurat e anëtarësimit, turqit janë më të interesuar për tema më delikate, si detyrimi i vizës dhe pasaporta e dyfishtë. Deklaratat e Merkelit në këtë pikë priten me shumë interes. Ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich ka përjashtuar para dy javësh mundësinë e heqjes së vizave për qytetarët turq që duan të hyjnë në Gjermani.

Edhe çështja e pajisjes me dy pasaporta për turqit që jetojnë në Gjermani nuk duket se do të gjejë zgjidhje. Vëzhguesit thonë se këto nuk bëjnë pjesë në agjendën e Merkelit në Ankara. Erdogani i habiti turqit në tetorin e shkuar në Berlin, kur tha se ata duhet të përpiqen për më shumë integrim dhe të pranojnë kulturën gjermane, duke njohur Göthen dhe Kantin. Më parë kryeministri turk kishte kritikuar ashpër politikën e integrimit gjerman dhe kishte paralajmëruar nga asimilimi, që për të "ishte krim kundër njerëzimit".

Në debatin për vizat Turqia do të kritikojë procedurat e gjata burokratike edhe për vetë njerëzit e biznesit që duan të investojnë në Gjermani. Ahmet Davutoglu, ministri i Jashtëm turk ka bërë fjalë për "një trajtim të turpshëm" të vendit të tij" si kandidat anëtarësimi. Merkel, sipas vëzhguesve do t'i referohet negociatave në zhvillim mes BE-së dhe Ankarasë dhe do të përjashtojë një qëndrim të veçuar të Gjermanisë. Por edhe Turqia nuk do të bëjë premtime zyrtare për ripranimin e refugjatëve të kthyer nga Greqia, pa marrë në këmbim diçka për vizat.

Një pikë e rëndësishme e bashkëpunimit gjermano-turk është angazhimi i përbashkët kundër ekstremizimit fetar ose politik si edhe kundër terrorizmit ndërkombëtar. Nga qarqet gjermane të sigurisë thuhet se bashkëpunimi funksionon, por ka nevojë për përmirësime. Për koordinimin më të mirë në luftën kundër terrorit pritet që të arrihet një marrëveshje, sipas së cilës ministrat e Brendshëm të të dy vendeve të takohen dy herë në vit për konsultime.

Bashkëpunimi në sektorin e energjisë dhe zgjerimi i tregtisë dhe transferimit të teknologjisë do të shtrohen për diskutim në Këshillin Ekonomik Gjermano-Turk në Ankara, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit nga ekonomia gjermane që shoqërojnë kancelaren. Por edhe Siria, Irani dhe Lindja e Mesme do të jenë tema diskutimi të Merkelit në Ankara. Vizita e kancelares gjermane Merkel fillon me një qëndrim të shkurtër tek trupat gjermane, që shërbejnë në kufirin siriano-turk, pas dislokimit të raketave Patriot.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...