Qytetarët ankohen se tokat për autostradën nuk janë vlerësuar njësoj

19 Shkurt 2013 - 21:12      

Qytetarët të cilëve u ka rënë autostrada nëpër tokat e tyre private ankohen se tokat nuk u janë vlerësuar njësoj dhe se ka pasur manipulime gjatë këtij procesi. Ndërsa Ministria e Financave thotë se vlerësimi i tokës është bërë sipas Ligjit për Shpronësimin e Pronës

Prishtinë, 19 shkurt - Qytetarët të cilëve u ka rënë autostrada nëpër tokat e tyre private ankohen se tokat nuk u janë vlerësuar njësoj dhe se ka pasur manipulime gjatë këtij procesi. Ndërsa Ministria e Financave thotë se vlerësimi i tokës është bërë sipas Ligjit për Shpronësimin e Pronës dhe të pakënaqurit mund të bëjnë ankesë edhe në gjykatë, raporton KTV.Toka e Mehmet Isufit nga Obiliqi pa miratimin e pronarit është bërë gati për fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës, gjë që e ka mllefosur pronarin shumë.

Krejt problemi, sipas tij, ka dalë nga vlerësimi i ulët i tokës së tij. Mehmet Isufi thotë se toka e nivelit të njëjtë fqinjëve të tij u është paguar 4 mijë e 500 euro për një arë, ndërsa atij i janë ofruar vetëm 800 euro për arë. Ai shton se nuk është kundër ndërtimit të autostradës, por vlerësimi i tokës së tij është bërë shumë ulët.

Mehmet Isufi, pronar i tokës, thotë se “të tjerëve 180 m lartësi që është në një vijë me tokën time i kanë paguar 4 500 euro por për pasurinë në emër timin më janë caktuar 800 euro. E lëshoj menjëherë nëse mi kishin dhënë paret dhe nuk jam asgjë kundër autostradës, nëse vjen puna edhe shpinë e shes”.

Ndërsa për tokën që Mehmet Isufi tha se e ka ndërruar me një tokë në Llazarevë, për të cilën posedon edhe dokumente, nuk i kanë ofruar fare çmim, e po ashtu edhe këtë tokë e kanë bërë gati të nisë puna për ndërtimin e autostradës.

Më datën 14 shkurt Policia e Kosovës e ka marrë në pyetje Isufin për gjithsej 6 orë dhe ky i fundit tha se është ndier i maltretuar.

“Me 14 shkurt rreth orës 10 ka ardhur policia me urdhër të Bashkim Bytyçit të cilët i ka dërguar në mënyrë të dhunshme të më arrestojë nuk e di a me urdhër të qeverisë apo në krye në veti me punëtor të Bektel Enka me bager, por me pasurinë që i kam dokumentet në emër timin”, tha Isufi.    

Ai u kërkon zyrtarëve të lartë të shtetit t’i japin një përgjigje për atë që po i ndodh.

 “U boj apel për torturat që po mi bon kjo qeveri dhe përgjigjen ka me marr Hashim Thaçi, Fehmi Mujota dhe Pllum Haxhiu si dhe Agron Beka”, thotë Mehmet Isufi..

Shkëlzen Morina, drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, ka thënë se vlerësimi i pronës është bërë i  njëjtë për të gjithë. Sipas tij, është normale të ndryshojë çmimi sipas kategorisë, sepse toka më afër rrugës ka çmim më të lartë.

Derisa qeveria thotë se toka po u shpronësohet të gjithëve njësoj dhe se është e drejtë e qeverisë të vazhdojë punët edhe pa miratimin e pronarit, ngase projekti është në interesin nacional, Mehmet Isufi beson se është mashtruar rëndë dhe është maltretuar nga policia.

Ai për këtë gjë u ka shkruar letër dhe ka kërkuar ndihmë nga liderët e opozitës dhe nga EULEX-i.



 





 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...