Universiteti i Prishtinës, promotor i pavarësisë

15 Shkurt 2013 - 15:39      

Nuk ka ndonjë universitet në botë që mund të krahasohet me rolin promotor të Universitetit të Prishtinës për kontributin e tij në lëvizjen kombëtare, që nga themelimi deri në pavarësimin e Kosovës, kështu është thënë gjatë Akademisë solemne “Pesë vjetori i pavarësisë së Republikës të Kosovës dhe 43 vjetori i Universitetit të Prishtinës”. Gjatë kësaj akademie është folur gjithashtu për sfidat që ka kaluar Universiteti i Prishtinës gjatë këtyre viteve, si dhe Kosova në shtet ndërtimin e saj.

Prishtinë, 15 shkurt - Nuk ka ndonjë universitet në botë që mund të krahasohet me rolin promotor të Universitetit të Prishtinës për kontributin e tij në lëvizjen kombëtare, që nga themelimi deri në pavarësimin e Kosovës, kështu është thënë gjatë Akademisë solemne “Pesë vjetori i pavarësisë së Republikës të Kosovës dhe 43 vjetori i Universitetit të Prishtinës”. Gjatë kësaj akademie është folur gjithashtu për sfidat që ka kaluar Universiteti i Prishtinës gjatë këtyre viteve, si dhe Kosova në shtet ndërtimin e saj.
Duke folur për Universitetin e Prishtinës, ai ka thënë se nuk ka ndonjë universitet në botë që ka kontribuar për çlirimin e vendit, sa ka bërë Universiteti i Prishtinës.
“Nuk është rastësi fillimi i shënimit të përvjetorit të pestë të shtetit të Kosovës pikërisht në këtë akademi. Ashtu si shpallja e pavarësisë së Kosovës është akt unikat dhe origjinal edhe historia e Universitetit të Prishtinës është e papërsëritshme dhe origjinale. Nuk ka ndonjë universitet në botë që mund të krahasohet me rolin promotor të Universitetit të Prishtinës për kontributin e tij në lëvizjen kombëtare që nga themelimi deri në pavarësimin e Kosovës. Në pak universitete të botës kanë ndodhur ngjashëm që në Universitetin e Prishtinës që lidershipi dhe idetë shtetformuese të jenë të lidhura aq ngushtë si në këtë tempull akademik”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Për më tepër, ai ka shtuar se nga ky universitet kanë dalë ide, projekte dhe lidership që vunë themelet e shtetësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj, ndërkohë nuk ka harruar që në këtë pesë vjetor të pavarësisë t’i kujtoj të gjithë ata për këtë kontribut.
Po ashtu, kryeministri ka thënë se të gjithë sot ndihen krenar që universiteti mban emrin e arkitektit të mendimit politik dhe ideatorit të pavarësisë së Shqipërisë, figurës emblematike dhe madhështore të lëvizjes kombëtare, Hasan Prishtina.
Ndërkohë duke folur për pesë vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës, ai ka thënë se 17 shkurti i vitit 2008 ka qenë një kryevepër e synimeve dhe idealeve të vazhdueshme ndër breza.
“Para pesë vjetësh institucionalizoi ëndrrën e saj shekullore. Më 17 shkurt 2008 Kosova u shpall shteti i pavarur, i lirë dhe demokratik. Ky akt madhështor ishte shprehje e respektimit të vullnetit të qytetarëve të vet. Pavarësia e Kosovës është kryevepër e synimeve, idealeve, sakrificave e përpjekjeve të vazhdueshme ndër breza. Më 17 shkurt 2008 Kosova arriti atributin më të lartë të organizimit politik, krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran. Kosova institucionalizoj organizimin më të lartë shoqëror, shtetësinë e saj”, ka theksuar ai.
Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se shteti i Kosovës në këtë pesëvjetor po konsolidohet dhe forcohet gjithnjë e më tepër, gjithashtu po forcohet subjektiviteti ndërkombëtar, duke arritur afër 100 njohje ndërkombëtare.
Gjithashtu, ai ka thënë se Kosova është anëtarësuar në Bankën Botërore, Fondin monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke premtuar anëtarësime të tjera edhe në mekanizmat tjerë rajonal. Si sukses ka vlerësuar edhe përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
I pari i Qeverisë ka thënë se Kosova me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë me besim se së shpejti pavarësia e Kosovës do të njihet edhe nga ky shtet fqinj.
Ndërkohë rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, ka thënë se jubiletë e rëndësishme të një kombi kur puçen si data nuk duhet pasur zbrazësi.
Sipas tij, sot kur Kosova po shënon pesë vjetorin e pavarësisë institucioni që vuri themelet e lirisë dhe të rezistencës për liri dhe shtet, Universiteti i Prishtinës po shënon 43 vjetorin e themelimit të tij.
Edhe Gashi ka thënë se ky institucion vuri vulën e lëvizjes për emancipimin e këtij populli dhe të lirisë kombëtare.
“Përvjetorët janë momente kur vlerësohen meritat, kontributet dhe vlerat individuale dhe kolektive të një pjesëtarëve të një populli dhe të institucioneve të një shteti. Universiteti i Prishtinës po thuajse gjysmë shekulli më shumë se secili institucion tjetër i ka vënë vulën lëvizjes për emancipim për dije dhe liri kombëtare. Është krejtësisht e pamundur të mbash historinë e lëvizjes kombëtare politike dhe çlirimtare për liri të popullit të Kosovës në Jugosllavi nga rrugëtimi i Universiteti i Prishtinës. Ai është një histori e vetme e mishëruar aq shumë sa mund të themi se aty ku ishte Kosova ishte edhe Universiteti i Prishtinës”, ka theksuar Gashi.
Ai ka shtuar se Universiteti i Prishtinës një decenie të plotë të punës së tij funksionoi jashtë godinave shkollore dhe në rrethana okupimi, por siç ka thënë Gashi jo vetëm që mbijetoj, por arriti që në fusha të caktuara akademike të promovoj vlera të mirëfillta shkencore.
Edhe Rektori ka shprehur konsideratën më të lartë për të gjithë ata pedagogë dhe studentë, por mbi të gjitha për gjithë qytetarët patriot që i hapën dyert e shtëpive të tyre, duke i bërë ato të Universitetit të Prishtinës.
Gashi ka theksuar se 43 vjetori i Universitetit të Prishtinës duhet të shërbejë si moment që duke shikuar të kaluarën të projektohet e ardhmja edhe si institucion.
Sipas tij, nëse dje Universiteti i Prishtinës ishte jo vetëm vatër e dijes, por edhe shtet ndërtimit të Kosovës, tani e ka para vetës misionin e tij paqësor rrugëtimin e qëndrueshëm dhe cilësor të gjeneratës së re të forcimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës.
Aktualisht, Universiteti i Prishtinës është institucioni më i madh në Republikën e Kosovës, duke arritur numrin prej 52 457 studentësh, rreth 2 mijë mësimdhënës të rregullt dhe bashkëpunëtorë të jashtëm dhe 350 staf administrativ dhe staf teknik të angazhuar në 16 fakultete dhe 72 departamente që veprojnë në Prishtinë dhe në 4 qendra të Kosovës.
comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...