Rënie apo ngritje e cilësisë së arsimit

31 Janar 2013 - 17:17      

Cilësia e ulët e arsimit, si në institucionet parauniversitare, ashtu edhe në ato universitare, mbetet një ndër shqetësimet kryesore për njohësit e kësaj fushe dhe prindërit e nxënëseve të cilët ndjekin mësimet në shkollat publike të Kosovës.

Prishtinë, 31 janar - Cilësia e ulët e arsimit, si në institucionet parauniversitare, ashtu edhe në ato universitare, mbetet një ndër shqetësimet kryesore për njohësit e kësaj fushe dhe prindërit e nxënëseve të cilët ndjekin mësimet në shkollat publike të Kosovës.

Ata thonë se cilësia e dobët në arsim po rrezikon të ardhmen e Kosovës.

Reformat e bëra përgjatë viteve në sistemin arsimor kanë dështuar në tërësi, për arsye të  mos përgatitjeve paraprake për të aftësuar njerëzit që të zbatojnë ato reformave, vlerësoi eksperti i çështjeve të arsimit Halim Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

“Ata të cilët janë marrë me reforma nuk kanë qenë njerëz që kanë pasur njohuri të mjaftueshme të teorisë së ndryshimeve në arsim dhe janë udhëhequr nga mendja e pashkolluar, nuk kanë marrë pjesë persona të shumtë të cilët do të duhej të merrnin pjesë në ndryshime”.

Problem tjetër që ka bërë që Kosova të ketë nivel të ultë të cilësisë në arsim, sipas Halimit, është edhe politizimi i arsimit, infrastruktura e dobët, e cila nuk krijon mundësi që të dilet nga ky kaos.

Çështja e cilësisë së arsimit, thotë Hyseni, duhet të shtrohet si çështje edhe në Kuvendin e Kosovës, si dhe formimi i një komision nacional për ndryshime në arsim.

Në anën tjetër, reformat në sistemin arsimor, nga prindërit e nxënësve shihen si të dështuara. Sipas tyre, cilësia e arsimit ka mbetur nën nivelin e dëshirueshëm.

Albana Nikqi, nënë e një nxënësi që ndjek mësimet në një shkollë publike në Kosovë, tregon për REL se nuk është aspak e kënaqur me nivelin arsimor.

“Sa i përket cilësisë së arsimit në vendin tonë, unë si prind mendoj se nuk jemi në nivelin e duhur. Ndoshta kemi kërkesa të mëdha edhe ndaj mësimdhënësve edhe ndaj fëmijëve tonë”.

Reformat ë bëra gjatë këtyre viteve, thotë ajo, nuk kanë ndikuar në ngritjen e nivelit të  cilësisë në arsim. Megjithatë, Nikqi shpreson se me disa ndryshime, që pritet të ndodhin gjatë këtij viti, në sistemin arsimor do të ketë përmirësime.

“Po, shpresoj që me planprogramin e ri, i cili ende nuk ka filluar të zbatohet në shkollat tona, do të eliminohen disa gjëra të tepërta, që janë në librat e fëmijëve, dhe disa lëndë që janë të tepërta për moshën e fëmijëve”, shprehet ajo.

Mirëpo, zyrtarë të Agjencisë për Akreditim, e cila vlerëson cilësinë në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë mendojnë ndryshe.

Basri Muja, nga kjo agjenci, tregon se që nga paslufta arsimi i lartë në Kosovë ka kaluar nëpër disa faza. Kosova, tregon ai, është ndër vendet e para që ka filluar të zbatojë reformën që ka dalë nga Deklarata e Bolonjës.

Sipas tij, në fillim të zbatimit të reformave në arsim ka pasur probleme dhe defekte, por me kalimin e kohës janë bërë ndryshime në të mirë të arsimit.

“Nga viti 2008 është vërejtur një përmirësim përmbajtësor, si tek institucionet private ashtu edhe ato publike. Kjo ka pasur të bëjë me përmirësimin e vazhdueshëm të planprogrameve të tyre. Mund të them të se të gjithë planprogramet që janë në aplikim janë të krahasueshme me ato të institucioneve arsimore më prestigjioze evropiane”, tha  Muja.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...