ÇOHU: Sistemi i drejtësisë ka dështuar në sundimin e ligjit

31 Janar 2013 - 15:54      

Sistemi i drejtësisë në vazhdimësi ka qenë në fokus të kritikave dhe akuzave më të rënda për sa i përket rolit të tij në luftimin e korrupsionit. Në realitet, prokuroritë dhe gjykatat, përgjatë tranzicionit të pas luftës, kanë dështuar që të ofrojnë bazën e sistemit funksional të drejtësisë.

Prishtinë, 31 janar  - Sistemi i drejtësisë në vazhdimësi ka qenë në fokus të kritikave dhe akuzave më të rënda për sa i përket rolit të tij në luftimin e korrupsionit. Në realitet, prokuroritë dhe gjykatat, përgjatë tranzicionit të pas luftës, kanë dështuar që të ofrojnë bazën e sistemit funksional të drejtësisë. Veçanërisht, sa i përket luftimit të korrupsionit, ky sistem ka dështuar plotësisht që të sigurojë integritetin e sundimit të ligjit.Raporti monitorues i organizatës ÇOHU! - “Shqyrtimi i veprave të korrupsionit nga organet e drejtësisë”, paraqet trendin e shqyrtimit dhe strukturën e veprave të korrupsionit nga prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës përgjatë viteve 2008-2011. Nga analizimi i të dhënave të prokurorive publike dhe gjykatave mbi shqyrtimin e veprave penale kundër detyrës zyrtare (korrupsionit) nga organet e drejtësisë, përgjatë viteve 2008-2011, pasqyrohet se organet e drejtësisë nuk kanë pasur në prioritet luftën kundër korrupsionit.

Të dhënat e analizuara në këtë raport monitorues tregojnë për një trend shumë të ulët të shqyrtimit të lëndëve kundër korrupsionit. Për më shumë, raporti tregon po ashtu edhe numër shumë të ulët të lëndëve që kanë përfunduar me aktakuzë (tek prokuroritë) dhe atyre që kanë përfunduar me dënim me burg (tek gjykatat). Raporti, përmes statistikave të ofruara ka dëshmuar që lufta kundër korrupsionit nuk përbën prioritet për sistemin e drejtësisë, të shpallur aq shumë përmes dokumenteve të ndryshme strategjike. Përkundrazi, luftimi i korrupsionit mbetet ende në nivele rudimentare dhe me intensitet të ulët.

Nuk ka dyshim që sistemi i drejtësisë në Kosovë ka qenë i ballafaquar me vështirësi të tilla si mungesa e stafit të specializuar dhe e numrit të domosdoshëm të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Për më shumë, mungesa e buxhetit të duhur në mënyrë të vazhdueshme ka penguar funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.

Megjithëkëtë, organizata a ÇOHU!, thekson se niveli i ulët i shqyrtimit të lëndëve të korrupsionit, por edhe i veprave të tjera penale si dhe dënimet shumë të buta për kryerësit e këtyre veprave, dëshmojnë qartazi se sistemi i drejtësisë ka dështuar në vendosjen e një standardit të fuqishëm të sundimit të ligjit në Kosovë.

Ky raport monitorues nxjerr në pah tri veçori mjaft shqetësuese mbi trendin e shqyrtimit dhe strukturën e veprave të korrupsionit nga organet e drejtësisë.

E para, raporti tregon se prokuroritë si dhe gjykatat përgjatë viteve 2008-2011, kanë arritur që t’i shqyrtojnë rreth 46 % (prokuroritë), dhe më pak se 30 % (gjykatat) e të gjitha lëndëve kundër korrupsionit që kanë qenë në punë.

E dyta, për sa i përket natyrës së dënimeve, raporti tregon që si tek prokuroritë, por edhe te gjykatat, vendimet që kanë përfunduar me aktakuzë, ose aktgjykime dënuese, janë po ashtu shumë të ulëta.

E treta, nga ky raport vërehet se gjykatat shqyrtojnë si në përqindje po ashtu edhe në numër, nivel më të ulët të lëndëve të korrupsionit për dallim nga prokuroritë publike. Nga 46 % e totalit të lëndëve të shqyrtuara nga prokuroritë del se vetëm 11.7 % e tyre kanë përfunduar me aktakuzë, si dhe 33.8 % e tyre janë hedhur poshtë ose kanë përfunduara me urdhër ndëshkimor ose janë zgjidhur në mënyrë tjetër. Përderisa tek gjykatat vërejmë po ashtu trend të njëjtë të karakterit të gjykimeve ku nga 29.7 % e rasteve, që janë zgjidhur, 18.3 % e tyre kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ku prej tyre 8.6 % kanë përfunduara me gjobë.

Lidhur me prokuroritë publike, raporti thekson se që nga viti 2008 deri më 2011, rezulton që prokuroritë publike në Kosovë kanë pasur në punë 4024 raste që kanë të bëjnë me vepra penale kundër detyrës zyrtare, të klasifikuara si vepra të korrupsionit. Nga kjo shifër del se janë zgjidhur 1836 raste, përderisa kanë mbetur pa u zgjidhur 2188 raste kundër korrupsionit.

Në përgjithësi, vëren raporti, del se vetëm 46 % e lëndëve kundër detyrës zyrtare janë shqyrtuar nga prokuroritë në këto katër vite, ndërsa lëndët kundër ekonomisë janë shqyrtuar me 63 %. Përderisa, mesatarja e shqyrtimit të lëndëve penale në përgjithësi është 75.2 %.



Po të shikohen vendimet e rasteve të shqyrtuara nga prokuroritë publike del se nga gjithsej 46 % (1836), e lëndëve të shqyrtuara, vetëm 11.7 % (473) e tyre kanë përfunduar me aktakuzë dhe 33.8 % e tyre janë hedhur poshtë ose kanë përfunduara me urdhër ndëshkimore ose janë zgjidhur në mënyrë tjetër.

Ndërsa sa i përket gjykatave komunale dhe të qarkut, shihet se në to gjatë viteve 2008-2011, në punë kanë qenë 1548 raste të dyshuara për korrupsion, nga të cilat 460 (29.7 %), raste janë zgjidhur, ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur edhe 1088 raste të dyshuara për korrupsion (vepër penale kundër detyrës zyrtare). Nga gjithsej 460 raste sa janë zgjidhur nga gjykata në periudhën raportuese, 33 raste ju përkasin gjyqtarëve të EULEX-it.

Nga 29.7 % e lëndëve të gjykuara nga gjykata komunale dhe të qarkut për vitet 2008-11, vetëm 18.3 % e tyre kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ku prej tyre 8.6 % kanë përfunduara me gjobë. Ndërsa 11.3 % e lëndëve të gjykuara kanë përfunduara me aktgjykim lirues.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...