Halimi: Jemi mësuar të na quajnë ‘ekstremistë islamikë’

31 Janar 2013 - 15:53      

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi nuk ka arritur të enjten që të kërkojë përgjegjësi nga kryeministri Ivica Dacic për çështjen e përmendores së policëve të vrarë serbë në fshatin Luçan të Bujanocit. Halimi kishte planifikuar të shfrytëzonte një paraqitje të qeveritarëve

Preshevë, 31 janar - Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi nuk ka arritur të enjten që të kërkojë përgjegjësi nga kryeministri Ivica Dacic për çështjen e përmendores së policëve të vrarë serbë në fshatin Luçan të Bujanocit. Halimi kishte planifikuar të shfrytëzonte një paraqitje të qeveritarëve serbë në një seancë të Kuvendit, por kjo u shty për një seancë tjetër.Në një bisedë për Telegrafin, Halimi ka deklaruar se para dy muajsh kishte kërkuar nga kreu i Ekzekutivit serb shpjegime për përmendoren në Luçan, por Dacic nuk kishte kthyer përgjigje, edhe pse ligjërisht ishte i obliguar që të përgjigjej brenda një periudhe njëmujore.

“Unë jam deputet i pavarur, edhe kam të drejtë që vetëm një herë në muaj të kërkojë sqarime nga qeveritarët, ndërsa tash duket se do të kalojë edhe një muaj tjetër. Është e qartë se nuk ka vullnet për këtë çështje”, ka thënë Halimi.

Shqiptarët kanë paralajmëruar nesër një protestë në Bujanoc për këtë çështje.

Deputeti shqiptar ka deklaruar se janë ndier shumë keq kur Dacic kishte krahasuar çështjen e lapidarit të UÇPMB-së me Al-Qaeden.

“Ky identifikimi i shqiptarëve me ‘ekstremizmin islamik’ është politikë e vjetër serbe. Ata tash sigurisht e keqpërdoren edhe një performancë që e patëm ne gjatë një proteste, kur në shenjë solidarizimi me dhjetë ish-luftëtarët e UÇPMB-së të akuzuar për terrorizëm, patëm veshur fanella me mbishkrimin: Edhe ne jemi terroristë. Por, tash zyrtarët serbë krejt shqiptarët kanë nisur t’i identifikojnë me terrorizmin”, ka thënë Halimi.

Krerët politikë shqiptarë i kanë kërkuar emisarit special të OSBE-së, Knut Vollebaek që çështja e përmendores në Luçan dhe shqetësimet e tjera t’i adresohen kreut shtetëror serb, ndërsa kanë marrë premtimin nga zyrtari ndërkombëtar se kjo do t’i bëhet e qartë zyrtarëve qeveritarë serbë.

Halimi deklaroi se është i zhgënjyer nga presioni i pakët ndërkombëtar ndaj Serbisë, që zë fill prej majit të vitit 2001, kur NATO pati vendosur që të relaksojë zonën prej 5 kilometrash midis kufirit të Kosovës dhe Serbisë.

“Asokohe i pata shkruar ish-sekretarit Robertson, por përgjigja e tij ka qenë se qëllimi ishte që autoritetet e sigurisë dhe ato ushtarake të vendosnin raporte mirëbesimi me banorët në këtë zonë. Por, asnjëherë kjo nuk u bë. Bile po ndodh e kundërta, duke shtuar presionin ndaj shqiptarëve për braktisjen e trojeve”, ka thënë Halimi.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...