Reforma zgjedhore e kushtetuese, atje ku nisi para dy vjetësh

30 Janar 2013 - 11:17      

Në prill mbushen dy vjet nga fillimi i reformës zgjedhore dhe kushtetuese, ndërsa nuk ka asnjë lëvizje drejtë zhbllokimit të këtij procesi. Çelësi i zgjidhjes së këtij problemi mbetet tek liderët politikë, të cilët ishte dashur të merren vesh për tejkalimin e këtij ngërçi politik dhe amendamentet kushtetuese të kalojnë në Kuvend për procedim të mëtejmë.

Prishtinë, 30 janar -  Në prill mbushen dy vjet nga fillimi i reformës zgjedhore dhe kushtetuese, ndërsa nuk ka asnjë lëvizje drejtë zhbllokimit të këtij procesi. Çelësi i zgjidhjes së këtij problemi mbetet tek liderët politikë, të cilët ishte dashur të merren vesh për tejkalimin e këtij ngërçi politik dhe amendamentet kushtetuese të kalojnë në Kuvend për procedim të mëtejmë.

Komisioni për reformë kushtetuese tashmë ka përfunduar punën e vet dhe pret që çështja të kalojë në Kuvend për t’u votuar. Kryetari i këtij komisioni Arsim Bajrami thotë se amendamentet kushtetuese janë tashmë në Kuvend, por për të pasur sukses votimi i tyre duhet të arrihet marrëveshje politike, ngase kërkohet vota e dy të tretave të deputetëve.



“Çështja e reformës kushtetuese dhe zgjedhore, praktikisht është duke vendnumëruar, sepse ende nuk ka një vullnet të fuqishëm politik që të shtyhet përpara ky proces. Praktikisht reforma kushtetuese është e kryer, është në zyrën e kryetarit të Kuvendit, mirëpo para se të dalë në votim duhet të sigurohet një konsensus politik sepse kërkohen dy të tretat dhe është krejt logjike që paraprakisht të sigurohet që do të ketë sukses votimi”, tha Bajrami për Radio Kosovën.



Anëtarja e Komisionit për reformën kushtetuese nga LDK-ja Vjosa Osmani, nuk dëshiron ta quaj ngërç politik, bllokimin e reformës kushtetuese dhe zgjedhore, por gjithçka, sipas saj lidhet me dorëheqjen e presidentes Atifete Jahjaga.



“Nuk ka kurrfarë ngërçi. Liderët janë marrë vesh që në momentin kur të përfundojnë amendamentet kushtetuese të shpallen zgjedhjet presidenciale. Amendamentet kushtetuese kanë përfunduar tani për t’u shpallur zgjedhjet presidenciale, e vetmja mënyrë është nëse shpallen zgjedhjet e hershme përmes dorëheqjes së presidentes së tanishme”, tha Osmani.



Zvarritjen e reformës kushtetuese dhe zgjedhore, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, e sheh më shumë si një gjë që i shkon në favor klasës politike që është në pushtet. Ai druan se me mënyrën se si po zhvillohen ngjarjet, vendi do të shkojë në zgjedhje pa përfunduar reforma zgjedhore dhe kushtetuese.



“Besoj që ditët e ardhshme në një afat shumë të shkurtër do të sqarohen shumë gjëra. Nëse do të riformatizohet Qeveria dhe do të kemi koalicion tjetër qeverisës, unë dyshoj që kjo çështje do të prolongohet edhe më tutje. Nëse nuk kemi një marrëveshje politike për riformatizimin e Qeverisë, unë konsideroj që nuk ka zgjidhje tjetër, përpos për t’u futur në një proces të ri elektoral. Druaj që mund të futemi në një proces pa reformë, dhe kjo do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme për qytetarët e Kosovës”, tha Selmanaj për Radio Kosovën.



Përderisa reforma kushtetuese, sikurse edhe ajo zgjedhore, kanë mbetur në vendnumërim, dy subjekte opozitare Vetëvendosja dhe LDK-ja kërkojnë zgjedhje të parakohshme.



Hapa përpara për zhbllokimin e reformës kushtetuese nuk janë bërë as pas takimit të liderëve partiak një muaj më parë, me presionin e ambasadorëve të vendeve të Quint-it. Në këtë takim u mor vendimi që të ketë sërish takim pas dhjetë ditësh dhe të vazhdohet më tutje me reformat. Por gjithçka ka mbetur vetëm zotim, e asgjë konkrete.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...