Ndahet buxheti i shtetit për institucionet e kulturës

30 Janar 2013 - 10:11      

Ministria e Kulturës ka ndarë më në fund buxhetin për institucionet kulturore nën varësi të saj. Rritja që këtë vit kanë marrë institucionet nga kuleta e shtetit sillet rreth 20 për qind, në krahasim me vitin e kaluar.

Prishtinë,30 janar - Ministria e Kulturës ka ndarë më në fund buxhetin për institucionet kulturore nën varësi të saj. Rritja që këtë vit kanë marrë institucionet nga kuleta e shtetit sillet rreth 20 për qind, në krahasim me vitin e kaluar.

Më e përkrahura në mesin e atyre që prodhojnë kulturë mbetet Qendra Kinematografike e Kosovës. Buxheti i institucionet që shpërndan mjetet për prodhimtarinë e filmit, për vitin 2013 është 600 mijë euro. Për gjysmë më pak se aq, ka marrë këtë vit Teatri Kombëtar i Kosovës (300 mijë euro). Për projektet e Filarmonisë së Kosovës, Ministria e Kulturës ka ndarë 240 mijë euro. Tri institucione mbesin të mbështetura me mjete të barabarta, konkretisht me nga 120 mijë euro. Baleti Kombëtar, Galeria Kombëtare dhe Ansambli “Shota” do të kenë në dispozicion nga aq para në konton e tyre. Me 20 mijë euro galeria “Qafa” do të organizojë ekspozitat e parapara për 2013, e “Kosovafilmi” mbetet institucioni më pak i mbështetur me vetëm 10 mijë euro.

“Synimi i MKRS-së është që përmes rritjes së buxhetit të krijojë sa më shumë hapësirë për promovimin e krijimtarisë së mirëfilltë artistike”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Kulturës. “MKRS-ja tashmë po siguron një pavarësi edhe më të madhe të institucioneve. Synim yni është që, përveç pavarësisë në aspektin artistik, që është shumë domethënëse, të sigurohet edhe pavarësi financiare, që nënkupton që institucionet e kulturës të menaxhojnë vetë buxhetin e tyre”, citohet të ketë thënë ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.

Buxheti i MKRS-së për këtë vit është më shumë se 19 milionë euro. Prej tyre, katër milionë MKRS-ja i ka për përkrahje të kulturës. Gati krejt institucionet kulturore kanë kërkuar edhe një herë më shumë buxhet sesa kanë pasur vitin e kaluar. Drejtues të këtyre institucione thonë se këtë e kanë bërë për t’ia bërë me dije Ministrisë së Kulturës se sa buxhet u duhet realisht, ani pse e dinë se nuk mund të përmbushet e plotë kërkesa e tyre.

“Ministria ka ndarë rreth 1,5 milionë euro në kuadër të linjës Subvencione dhe Transfere, ndërsa për këtë vit ka edhe 730 mijë euro për mbështetje të kulturës përmes konkursit publik”, ka thënë për gazetën Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit Krasniqi.

Ndryshe, Muzeu i Kosovës, Instituti Arkeologjik e Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, si objekte të trashëgimisë kulturore, sipas Dragajt, përveç pagave që marrin nga linja e pagave në këtë resor, mbështeten edhe përmes projekteve gjatë gjithë vitit, varësisht nga plani dhe nevojat, e që në buxhet është tek linja “Ruajtja dhe Mbrojtja e Trashëgimisë”, ku për këtë vit janë ndarë rreth 2,5 milionë euro.

“Vlen të përmendet se Instituti Arkeologjik mbështetet, krahas kësaj, edhe direkt nga buxheti përmes projekteve kapitale, që përfshijnë gërmimet e ndryshme”, ka thënë Dragaj.

Ekspertë të kulturës një ditë më parë kishin akuzuar MKRS-në se është vonuar me ndarjen e buxhetit. Këtë e kishin parë si njërin ndër veprimet e papërgjegjshme të kabinetit të ministrit Memli Krasniqi në menaxhimin kulturor.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...