Rrëfimet nga vendet e Jugosllavisë së dikurshme me tre autorë nga Kosova

30 Janar 2013 - 10:05      

Tre autorë kosovarë janë bërë pjesë e “Antologjisë së prozës së shkurtër të vendeve të Jugosllavisë së dikurshme”. Ragip Sylaj, Gjergj Filipaj e Idro Seferi kanë nga dy tregime, krahas tregimeve të autorëve të tjerë nga vendet e një shteti që nuk është më. “Antologjia..” është projekt i shtëpisë botuese “Scriptio” nga Lubjana, e cila po përgatit botimin e kësaj proze në një format të veçantë. Janë 25 autorë dhe “Antologjia...” del në formatin elektronik.

Prishtinë, 30 janar - Tre autorë kosovarë janë bërë pjesë e “Antologjisë së prozës së shkurtër të vendeve të Jugosllavisë së dikurshme”. Ragip Sylaj, Gjergj Filipaj e Idro Seferi kanë nga dy tregime, krahas tregimeve të autorëve të tjerë nga vendet e një shteti që nuk është më. “Antologjia..” është projekt i shtëpisë botuese “Scriptio” nga Lubjana, e cila po përgatit botimin e kësaj proze në një format të veçantë. Janë 25 autorë dhe “Antologjia...” del në formatin elektronik.

“Rekuiem për plakun e verbër” dhe “S’kam kohë të jetoj me vdekjen” janë dy tregimet e Sylajt, që përthekohen në “Antologji..”.

Sylaj prek tema ekzistenciale. Tregimi i parë përfshin një temë të një situate të paraluftës dhe shpërfaqjen e vizionit për liri.

“Më konkretisht, etjen e një plaku që është duke dhënë frymën e fundit dhe vdes, siç thuhet, me sy çelë për ta parë Kosovën e lirë”, ka thënë Sylaj, teksa për të dytin ka treguar se paraqet fatet e njeriut të pasluftës. “Nëpërmjet retrospektivës jepet historiku i narratorit, i rravgimeve dhe  i melankolisë në kërkim të kuptimit të jetës e të lirisë dhe përsosmërisë së saj”, ka thënë Sylaj.

Sylaj ka thënë se rëndësia e këtij prezantimi është se tregimet, përveç në gjuhët amtare të autorëve, botohen edhe në anglisht dhe krijojnë një mundësi më të madhe të komunikimit me lexuesin joshqipfolës.

Gjergj Filipaj thotë se në tregimet e tij mundohet të qëndisë disa tema sipas ideve universale, duke pasqyruar personazhe dhe ngjarje që mbase çdokush i ka takuar dhe i ka përjetuar në një mënyrë personale.

“Me pak fjalë unë jam i interesuar që në këto tregime të shkruaj për ngjarjen, jo fort për të dhënë ndonjë mesazh - nuk shoh nevojë për të dhënë mesazh, sepse nëse dua të jap mesazh e bëj një shkrim të tillë dhe e botoj në gazeta - por vetëm të shkruaj dhe pse jo t’i zbavis në mënyrë cilësore lexuesit”, ka thënë Filipaj.

Këtë punë Filipaj thotë ta ketë nisur që nga fundi i vitit 2010, pas një përvoje më se njëdekadëshe në gazetari.

Tregimi “Pesë shkronjat (B-C-D-Gj-M)” me të cilin Filipaj përfaqësohet në “Antologji..” rrëfen se si e përfundojnë ditën - në fakt e presin natën 5 meshkuj të rritur duke ndenjur në shkallët mes katit të 5-të dhe atij të 6-të diku në një ndërtesë banimi në Lagjen MAT-1. “Tregimi bazohet në kotësinë e ngjarjeve të fundit të ditës”, thotë Filipaj. Kurse tregimi tjetër, “Jeta e luksit” pasqyron dilemat mes idesë së krijimit të familjes dhe dëshirës për të bërë jetë beqari/beqareje.

Idro Seferi thotë se kur i takon një kombi, në të cilin sipas statistikave të botuesve vetëm 300 veta blejnë libra rregullisht dhe lexojnë letërsi, është mirë ta kesh një mundësi për të treguar se ende ka një gjeneratë të re krijuesish.

“Është me rëndësi matja, krahasimi dhe vlerësimi në tregun më të madh të mendimeve dhe krijimeve e sidomos për shkak se në Kosovë ky trend është i limituar”, ka thënë Seferi. Tregimet e Seferit në “Antologji..” janë më të hershme.

“I pari ka një rrëfim për jugonostalgjinë dhe gjithnjë një përplasje e gjeneratave për këtë çështje, ku flitet për marrëzitë e kufijve ballkanikë, por e gjithë kjo gërshetohet me idenë e një nostalgjie për një kohë iluzionare”, tregon Seferi. “Rrëfimi i dytë është personal dhe quhet ‘Letër tim ati’, ku përmes ngjarjeve abstrakte, por reale, jam munduar të transmetoj atë për çfarë ka luftuar në atë betejën e tij këto dy dekada, në çfarë është kthyer dhe çfarë nuk është bërë për ata për të cilët është luftuar, por që mbeten një gjeneratë tjetër ‘lufte’”, shton ai.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...