Kolegët përkujtuan gazetarin Hamdi Sopa

30 Janar 2013 - 11:45      

(E plotësuar) Kolegët nga RTK-ja, RTV21, “Bota sot” dhe Zyra për komunikim me publikun e Kryeministrisë përkujtuan sot gazetarin Hamdi Sopa, i cili vdiq dje në rrethana ende të pasqaruara. Përfaqësues të këtyre institucioneve thanë fjalë lavdëruese për shëmbëlltyrën profesionale e njerëzore të të ndjerit. Ai filloi punën e gazetari më 1976 në RTP-në e atëhershme.

Prishtinë, 30 janar – (E plotësuar) Kolegët nga RTK-ja, RTV21, “Bota sot”  dhe Zyra për komunikim me publikun e Kryeministrisë përkujtuan sot gazetarin Hamdi Sopa, i cili vdiq dje në rrethana ende të pasqaruara. Përfaqësues të këtyre institucioneve thanë fjalë lavdëruese për shëmbëlltyrën profesionale e njerëzore të të ndjerit. Ai filloi punën e gazetari më 1976 në RTP-në e atëhershme. 
Hamdi Sopa varroset sot.

Vetëvrasje e dyshimtë e zyrtarit të Qeverisë 

Prishtinë, 30 janar - 09:30 - Hamdi Sopa, 59-vjeçar, zyrtar për informim në Zyrën e kryeministrit të Kosovës, dyshohet të ketë bërë vetëvrasje të martën pasdite, duke u hedhur nga kati i nëntë i banesës së tij në lagjen “Aktash” në Prishtinë. Policia e Kosovës ka bërë me dije se informatën për rastin e kishte pranuar rreth orës katër të pasdites dhe menjëherë kishte dalë në vendin e ngjarjes.

“Në orën 15 e 50 kemi marrë një informatë për vdekje të një qytetari dhe menjëherë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka hapur rastin si vdekje e dyshimtë”, ka treguar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës. Gazeta ka provuar të vërë kontakt me drejtorin e Zyrës për informim të kryeministrit, Arianit Bytyçi, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të shumta të gazetës, ndërkohë që për gazetën “Jeta” në Kosovë, Bytyçi ka konfirmuar se bëhet fjalë për Hamdi Sopën.

“Jemi të tmerruar nga ky lajm”, citohet të ketë thënë Bytyçi, derisa ka shtuar se “ai dje ka qenë në zyrë dhe gjendja e tij emocionale ka qenë e mirë”. Ndërkohë që një nga bashkëpunëtorët e Sopës, duke mos dëshiruar t’i përmendej emri në gazetë, ka treguar se Sopa të martën nuk kishte shkuar fare në punë dhe as që kishte lajmëruar se do të mungonte. “Nuk ka ardhur të martën në punë hiç, edhe nuk e kemi ditë arsyen pse. E kemi thirrur disa herë dhe telefonin e ka pasur të ndalur dhe nuk kemi pasur mundësi me vu kontakt me të”, ka treguar një nga bashkëpunëtorët e tij. Kurse të hënën ai kishte kërkuar pushim, pasi që ishte duke i bërë disa analiza mjekësore për sy. “Të hënën e kërkoi pushim se ishte duke i bërë disa kontrolle për sy. Por nuk kishte ndonjë problem shëndetësor që e ka manifestuar. Ishte shumë i qetë, shumë rrallë bëhej nervoz”, tregon bashkëpunëtori i tij. Duke e kujtuar si një punonjës që nuk iu kishte shmangur kurrë punës, i njëjti tregon se Sopa kishte pasur një jetë të qetë familjare dhe kishte jetuar me gruan, që është profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë, ku studente e ka edhe vajzën. Zyra e kryeministrit të Kosovës i ka shprehur “ngushëllimet më të sinqerta familjes Sopa për humbjen e familjarit të tyre dhe zyrtarit të devotshëm të ZKM-së”. Nëpërmjet një komunikate, ZKM-ja ka thënë se të martën është njoftuar nga Policia e Kosovës se në rrethana të pasqaruara ka humbur jetën Hamdi Sopa, zyrtar për komunikim me publikun në Zyrën e kryeministrit.“Sipas informacioneve të marra nga policia, njësitet përgjegjëse janë duke zhvilluar të gjitha hetimet e domosdoshme për rastin”, thuhet në kumtesën për media të ZKM-së.

Hamdi Sopa është qytetari i dytë që brenda 48 orësh dyshohet se është vetëvrarë në kryeqytet. Të hënën një pjesëtar i Policisë së Kosovës kishte  kërcyer nga kati i tetë i banesës së tij në Lagjen “Dardania” të kryeqytetit, shkruan sot Koha Ditore. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...