Hashim Thaçi zgjohet në krahun e djathtë!

29 Janar 2013 - 22:57      

PDK-ja pa dyshim ka bërë një evolucion të madh për 13 vjet prej krijimit të saj. Por për suksesin e saj dhe marrjen e pushtetit më shumë duhet falënderuar shkathtësisë kosovare për “me sjellë dhe pështjellë”, sesa ndonjë politikë për “Kosovën evropiane”, siç thotë slogani i kësaj partie. Sa u përket orientimeve ideologjike, prej të dielës në Kosovë është bërë “shumë ngushtë në krahun e djathtë”

Sa e çuditshme është skena politike në Kosovë pamë të dielën, kur presidenti i rizgjedhur i PDK-së, partisë në pushtet, Hashim Thaçi, propozoi që kjo parti “të profilizohet si parti e qendrës së djathtë”. Ky propozim i mbështetur pothuajse nga të gjithë pjesëmarrësit në konventën partiake (me vetëm dy vota kundër) ka një kontradiktë më vete dhe nxjerr disa pyetje. Si bën që rruga e deritashme 13- vjeçare  aq e suksesshme e PDK-së të ketë qenë në anën e gabuar. Pse tash duhet të profilizohet si e “qendrës së djathtë”. Në cilën anë të spektrit politik ka qenë fare e profilizuar kjo parti deri më tash. Apo thjesht, siç thonë në Kosovë, Hashim Thaçi të dielën është “zgjuar në krahun e djathtë” dhe ka vendosur të orientojë edhe partinë në atë krah.

Skena politike në Kosovë është shumë pluraliste sa i përket numrit të subjekteve të regjistruara. Por tash është bërë shumë ngushtë në krahun e djathtë. LDK-ja, partia e dytë për nga numri i votave në zgjedhjet e fundit dhe partia më e madhe opozitare, është e vetmja që deri më tash e ka pasur të qartë profilizimin e saj. Si parti e qendrës së djathtë ajo edhe është pranuar në familjen e partive të qendrës së djathtë në Evropë, grupimit më të madh politik në kontinentin e vjetër.

Por parti të qendrës së djathtë veten e konsideron edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - AAK. Kjo parti kryesisht rajonale, me bazë në rrafsh të Dukagjinit, nuk ka arritur që popullaritetin e liderit të saj, Ramush Haradinaj, ta shndërroj në vota për partinë e tij.  Janë edhe partitë demokristiane, është edhe Partia e Drejtësisë, që mund të konsiderohen si „të djathta“.

E kush mbetet në „qendrën e majtë“ në Kosovë. Agim Çeku, pas bredhjes „majtas, djathtas, para, prapa“ në AAK, PSDK, KKR  u bë tash anëtar i PDK-së, që tash mund të thuhet se i takon një partie të qendrës së djathtë. Deri dje ishte hiç më pak se kryetar i Partisë Socialdemokrate. Por se marrjen e udhëheqjes së asaj partie nuk e kishte mbi bazat ideologjike dëshmoi kur pranoi të hynte në koalicionin liberalo-islamik me AKR-në dhe Partinë e Drejtësisë në KKR.

Kosova është „sui generis“ për shumë gjëra në Evropë. Tash mund të konsiderohet si e tillë edhe për nga profilizimi i partive të saja politike, pa asnjë parti serioze e cila veten haptas e konsideron si parti të qendrës së majtë. E ky orientim është ndër kryesorët në Evropën e sotme. Në shumë vende anëtare të BE-së dhe NATO-s partitë e qendrës së majtë janë në pushtet. Janë grupimi i dytë më i madh në Parlamentin Evropian dhe nganjëherë edhe grupimi i parë. Ishin partitë e qendrës së majtë ato që në fund të viteve nëntëdhjeta bënë luftën e NATO-s për çlirimin e Kosovës (laburistët e Tony Blairit në Britani dhe socialdemokratët në Gjermani). Si u bë që sot në Kosovë asnjë parti të mos nxitojë të profilizohet si parti e qendrës së majtë. Rezervën e vetme duhet mbajtur ndaj lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila kohëve të fundit me sukses ka arritur të fitojë simpati edhe në strukturat e BE-së në Bruksel, ani pse nuk ka pajtim me qëllimet e tyre.

Si e bëri këtë konvertim Hashim Thaçi dhe PDK-ja. Kur u krijua para 13 vjetësh PDK-ja, një gjë e tillë u bë në kuadër të strategjisë për demilitarizimin e UÇK-së. NATO-ja dhe shtetet perëndimore kishin një strategji që ushtarëve të UÇK-së t’u merren armët, por atyre që kishin kontribuuar me luftë për Kosovën t’u jepet mundësi që të kontribuojnë “me mjete të tjera” në rindërtimin e vendit. Dikush shkoi në politikë si Hashim Thaçi me “shokët e tij” që themeluan PDK-në apo Ramush Haradinaj AAK-në, të tjerët iu bashkëngjitën Trupave Mbrojtëse të Kosovës.  Një numër iu bashkua, apo ishte edhe më parë, në përbërje të LDK-së.

PDK-ja perceptohej si parti e majtë. Kjo jo vetëm për shkak se shumë “udhëheqës politikë“ apo “veprimtarë” vinin nga radhët e ish-lëvizjes marksiste leniniste, apo pse kishin lidhje me Partinë Socialiste të Fatos Nanos në Shqipëri, por për shkak se vetë lideri politik i partisë, Hashim Thaçi, me mburrje mbante kontakte edhe në linjën partiake me laburistët e Tony Blairit në Britani të Madhe, ndërkohë që mendohej në anëtarësimin e saj në grupimin e partive socialiste evropiane.

Në veprimet e ardhshme të PDK-së do të shohim se sa do të ndikojë ky orientim në punën e partisë dhe me këtë edhe të qeverisë, përderisa ajo të jetë në pushtet. Mund të ndodhë që „profilizimi në qendrën e djathtë“ të jetë vetëm një nga taktikat e radhës të Hashim Thaçit, i cili e di se me apo pa arsye në Kosovë „e majta“ lidhet më shumë me komunizëm sesa me socialdemokracinë e mirëfilltë evropiane.   

PDK-ja pa dyshim se ka bërë një evolucion të madh për 13 vjet prej krijimit të saj. Por për suksesin e saj dhe marrjen e pushtetit më shumë duhet falënderuar shkathtësisë kosovare për “me sjellë dhe pështjellë”, sesa ndonjë politikë për “Kosovën evropiane”, siç thotë slogani i kësaj partie. Disa nga emrat e të propozuarve për Këshill drejtues të PDK-së nuk japin shumë shpresë se kjo parti vërtet do të veprojë sipas vlerave evropiane. Në mes asaj që flasin dhe veprojnë një numër i konsiderueshëm i udhëheqësve të kësaj partie ka një hendek të madh. Në këta gjashtë vjet sa PDK-ja është në pushtet, pak standarde evropiane janë parë të zbatohen në Kosovë. Këtë e konstatojnë edhe miqtë më të mëdhenj të Kosovës duke na thënë  para syve se Kosova vazhdon të jetë oazë e krimit të organizuar dhe korrupsionit, mossundimit të ligjit dhe skandaleve të shumta.

Veprimi i një partie është para së gjithash çështje e anëtarëve të saj. Por duke pasur parasysh se sistemet moderne demokratike bazohen pikërisht në parti politike, atëherë situata brenda një partie bëhet çështje e interesit legjitim për të gjithë qytetarët. Prandaj për Kosovën dhe të ardhmen e saj është shumë e rëndësishme që sa më parë dhe sa më mirë të profilizohen edhe partitë politike.

Nëse vazhdohet kështu, atëherë në Kosovë më nuk do të ketë „votues“ por më shumë „klientë“ të partive politike. Qytetarët nuk do të votojnë në bazë të programeve, ideologjisë partiake apo filozofisë politike, por më shumë në bazë të asaj se nga cila parti i varet vendi i tij i punës, cilin kushëri, dajë apo mik e ka në cilën parti.   

Sa u përket orientimeve ideologjike, prej të dielës në Kosovë është bërë “shumë ngushtë në krahun e djathtë”.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...