Ismail Kadare feston 77 vjetorin e lindjes

28 Janar 2013 - 18:58      

Ismail Kadare, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe, disa herë kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai është autor i disa romaneve të konsideruara si legjendë në letërsinë shqipe si "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i përkthyer të paktën në tetë gjuhë të botës, "Muzgu i perendive të stepës", "Koncert në fund të

Tiranë, 28 janar -  Ismail Kadare, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe, disa herë kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai është autor i disa romaneve të konsideruara si legjendë në letërsinë shqipe si "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i përkthyer të paktën në tetë gjuhë të botës, "Muzgu i perendive të stepës", "Koncert në fund të dimrit", por edhe i një serie poezish, përmbledhjesh, novelash, esesh, etj. Kadare është nderuar me titullin e larte "Nderi i Kombit", ndërsa bën pjesë në Akademinë Franceze, ndër 12 anëtarë-shok të huaj të kësaj Akademie dhe Akademinë e Berlinit.

Ai e kaloi fëmijërinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe jeta mitike që ofron ky qytet duket se la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", e më pas drejtoi revistën "Les letres albanaises".

Është fakt që Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve '60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Ai është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë, është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.

Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.

Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 40 gjuhë të huaja, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar, raporton ATSH. Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë, i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975).

E veçanta e Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t'i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani "Dimri i madh" (1977).

Por edhe poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve '60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.

"Frymëzime djaloshare" (1954), "Ëndërrimet" (1957), "Endërr industriale" (1960), "Shekulli im" (1961), "Poemë e blinduar" (1962), "Përse mendohen këto male" (1964), "Shqiponjat fluturojnë lart" (1966), "Motive me diell" (1968), "Koha" (1976), "Shqipëria dhe tri Romat", përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.

Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me "motin e madh", të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar.

Përgjithësisht vepra e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj.

Ismail Kadare në vitin 2005 ka fituar çmimin "The Booker Prize Man", është dekoruar nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2009 u nderua me Çmimin e madh spanjoll "Princi i Asturias për Letërsi".



Vepra të Kadaresë

Frymëzime djaloshare - 1954

Shekulli im - 1961

Gjenerali i ushtrisë së vdekur - roman- 1963

Përse mendohen këto male - 1964

Dasma - 1968

Motive me diell - 1968

Kështjella - roman - 1970

Kronikë në gur - roman - 1971

Koha 1976

Dimri i madh - roman - 1977

Ura me tri harqe - 1978

Prilli i thyer - 1980

Gjakftohtësia - përmbledhje novelash - 1980

Koha e shkrimeve - 1986

Koncert në fund të dimrit - 1988

Vepra Letrare - 1981-1989

Dosja H - 1990

Piramida - 1992

Shqipëri - 1995

Pallati i ëndrrave - 1996

Dialog me Alain Bosquet - 1996

Spiritus - roman- 1996

Kushëriri i engjëjve - ese- 1997

Poezi - 1997

Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë - ese- 1998

Tri këngë zie për Kosovën - triptik - 1998

Ikja e shtërgut - tregim - 1999

Qorrfermani - roman - 1999

Vjedhja e gjumit mbretëror - tregime - 1999

Ra ky mort e u pamë - ditar për Kosovën, artikuj, letra - 2000

Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) - biseda - 2000

Breznitë e Hankonatëve - 2000

Bisedë përmes hekurash - 2000

Elegji për Kosovën - 2000

Lulet e ftohta të marsit - roman - 2000

Unaza në kthetra - 2001

Eskili, ky humbës i madh - 2001 (ribotim)

Qyteti pa reklama - roman - 2001

Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut - roman - 2002

Pasardhësi - roman - 2004

Identiteti evropian i shqiptarëve - 2006

Hamleti, princi i vështirë - Sprovë – 2006

Mosmarrëveshja- 2010

Çlirimi i Serbisë prej Kosovës - 2012.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...