Platini u frikësohet kurdisjeve të ndeshjeve

23 Janar 2013 - 15:59      

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, insiston se kurdisja e ndeshjeve është kërcënimi më i madh për të ardhmen e futbollit. Platini po ashtu ka përgëzuar mesfushorin e Milanit, Kevin-Prince Boateng, i cili javë më parë u largua nga fusha në shenjë proteste për fyerjet raciste.

Londër, 23 janar - Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, insiston se kurdisja e ndeshjeve është kërcënimi më i madh për të ardhmen e futbollit. Platini po ashtu ka përgëzuar mesfushorin e Milanit, Kevin-Prince Boateng, i cili javë më parë u largua nga fusha në shenjë proteste për fyerjet raciste.

"Nëse shkojmë në një ndeshje, të cilës ia dimë fituesin, do të ishte vdekje për futbollin", tha Platini 57-vjeçar. "Racizmi, dhuna nuk e dëmtojnë vetëm futbollin, por edhe publikun në tërësi. Jemi shumë të shqetësuar për kurdisjen e ndeshjeve dhe për mua, e gjithë kjo situatë është një marri e madhe".

Platini, në intervistën e tij, ka folur edhe për Kampionatin Botëror të vitit 2022, video teknologjinë dhe rregullat e ferplejit financiar. Megjithatë, ai nuk ka harruar të urojë ekipin e Milanit që lëshoi fushën në ndeshjen miqësore kundër Pro Patrias për shkak të fyerjeve raciste.

"Ishte diçka e mrekullueshme", tha ai. "Më ka pëlqyer shumë ai gjest i Boatengut dhe ekipit të Milanit. Madje, personalisht i kam thirrur në telefon krerët e Milanit për t'i përgëzuar për reagimin e tyre ndaj racizmit".

Këto deklarata të Platinit, vijnë pas paralajmërimeve të presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, që ekipet mund të përballen me heqjen e pikëve apo me largim nga liga nëse shpallen fajtore për diskriminim.

"Nëse klubet dëgjojnë fyerje raciste, atëherë është ankesa që dërgohet me anë të sistemit publik dhe ndeshja ndalet për një minutë", tha ai. "Nëse fyerjet vazhdojnë, atëherë ndeshja shtyhet për dy minuta dhe bëhet paralajmërimi i fundit. Nëse ndodh për herë të tretë, arbitri e anulon ndeshjen, pasi ai është shefi".

Platini që është në krye të UEFA-s, prej vitit 2007, insiston se do të luftojë në të gjitha mënyrat që Botërori i vitit 2022 në Katar të mbahet gjatë dimrit dhe jo në verë. Këtë qëndrim Platini ka kohë që e ka shpalosur, por deri më tani nuk është përkrahur shumë. Ai thotë se ka frikë që lojtarët mund të kenë telashe për ta përballuar nxehtësinë gjatë botërorit nëse mbahet në verë, meqë gjatë kësaj periudhe në Katar temperaturat janë shumë të larta.

"Gjatë verës në Katar, temperaturat arrijnë deri në 50 gradë. Dhe nëse nuk ndryshojmë datat, atëherë do të ketë shtete që kurrë nuk do ta fitojnë të drejtën për të organizuar Botërorin", shtoi Platini. "Unë kam qëndrimin tim dhe do të luftoj për ta realizuar. Botërori në Katar duhet të luhet në dimër për të mirën e lojtarëve".

E sa për videoteknologjisë, Platini ka thënë se në vend që të shpenzohen para të majme në këto pajisje, do të ishte më mirë që fondet të përdoren për të investuar në futbollin e vendeve që kanë nevojë. FIFA ka filluar përdorimin e kësaj teknologjie për t'i shmangur kritikat kur gabojnë arbitrat.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...