Lugina e Preshevës dhe veriu i Kosovës

22 Janar 2013 - 20:19      

Për bashkësinë ndërkombëtare Lugina e Preshevës është „çështje e brendshme e Serbisë“, ndërsa për veriun e Kosovës nuk kanë thënë asnjëherë se është „çështje e brendshme e Kosovës“. Prandaj, pushteti i Serbisë bën atë që do vetë, pa e pyetur askënd në Luginën e Preshevës, ndërsa Kosova duhet për situatën në veri të vendit të merret vesh me Qeverinë e Serbisë

Një ndjenjë e indinjatës dhe e pafuqisë na ka kapluar të dielën herët në mëngjes, kur forcat e xhandarmerisë serbe hoqën lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë. Kemi menduar se nuk do t’i shohim më skenat e policëve të armatosur deri në dhëmbë me veshje speciale. Dhe kësaj radhe ajo polici veproi sipas urdhrave të ish-zëdhënësit të Milosheviqit, Ivica Daçiq, tash edhe kryetar i Qeverisë së Serbisë, por edhe ministër i Brendshëm, me të cilin kryeministri i Kosovës në Bruksel ha e pi dhe bisedon për të normalizuar raportet.Pafuqia jonë duhet të kuptohet. Kosova, e edhe më pak Shqipëria, nuk kanë mundësi të ndihmojnë shumë. Nuk ka ndonjë kapacitet Kosova për të vepruar, ndërsa Shqipëria as nuk e kupton situatën e as që ka kohë të merret me ndonjë gjë tjetër pos zgjedhjeve. Pra, nuk ka hapësirë për të kritikuar qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë pse nuk kanë dërguar forca të armatosura në Luginën e Preshevës për ta mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve. Ajo që është e papranueshme janë deklarimet boshe me patriotizëm të rrejshëm dhe kërcënimet e politikanëve nga Prishtina dhe Tirana. Ato as nuk e frikësuan Serbinë e në anën tjetër i nxorën politikanët shqiptarë si joseriozë. Madje, edhe mentorit kryesor të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë filluar t’i shkojnë në nerva retorikat nacionaliste, sidomos të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Dhe këtë nuk e fshehin më dhe amerikanët e thonë publikisht. Nuk është hera e parë që liderët shqiptarë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, japin fjalë të mëdha, të cilat vetë e dinë se nuk mund t’i mbajnë. Madje, duket naive se si në bashkësinë ndërkombëtare shqetësohen për këtë fjalor, sepse retorika nacionaliste nga ta nuk është e sinqertë dhe në të njëjtën kohë është e dëmshme. I nxjerr edhe më joseriozë liderët politikë shqiptarë. 

E liderët e Serbisë e bënë atë që thanë. Asnjë befasi nuk pati në veprimet e Serbisë. Ndërkohë, në Bruksel për këtë qeveri të Serbisë thonë se „është serioze dhe nuk ka dallim në mes të asaj që thotë dhe asaj që bën“.  

Tash u mbetet qytetarëve të Serbisë dhe opinionbërësve që të vendosin se cili prej politikanëve në Beograd ka më shumë merita për heqjen e lapidarit të „terroristëve shqiptarë në Serbi“, a ka më shumë merita kryeministri Ivica Daçiq ( i cili UÇPMB-në e krahasoi me “Al Qaidan”, duke thënë se „nëse në Amerikë nuk mund të ketë përmendore të ‘Al Qaidas’, nuk mund të ketë as në Serbi të terroristëve“, apo ministri i Mbrojtjes dhe „zëvendëskryeministri i parë“ Vuçiq, i cili gjatë vizitës kësaj zone u zotua se do të hiqet përmendorja e UÇPMB-së. Tash në Serbi, së paku përkohësisht, mund të mburren se si atje „funksionon shteti“ dhe se „në tërë territorin e vendit sundon dhe respektohet ligji“.

Ajo që duhet thënë për tensionet në Luginën e Preshevës është se, siç duket, Serbia ka pasur edhe bekimin e bashkësisë ndërkombëtare për të hequr lapidarin e UÇPMB-së. Në BE për këtë problem kanë thënë se „është çështje e brendshme e Serbisë, e cila duhet të zgjidhet sipas ligjeve të Serbisë, duke pasur parasysh që të mos nxiten tensione të reja të panevojshme“. E pasi që Serbia heqjen e lapidarit e ka quajtur si „respektim të ligjit“, deklaratat e tilla mund të konsiderohen edhe si mbështetje për veprimet që i ndërmori Serbia vetëm dy ditë pas dialogut më të gjatë deri më tash në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij nga Serbia, Ivica Daçiq.

Keqardhje më të madhe megjithatë duhet pasur për shqiptarët në Luginën e  Preshevës. Ata i shohin nëpër rrugët e tyre policët serbë të armatosur deri në dhëmbë. Ndërsa deklaratat guximtare të politikanëve shqiptarë i shohin në televizor, por kur dalin në rrugë e shohin se realiteti  është ndryshe. As Tirana e as Prishtina nuk mund t’u ndihmojnë shumë. Për fat të keq nuk mund të ndihmojnë as në aspektin diplomatik e politik. Kjo për shkak se strukturat e korruptuara, të lidhura me krimin e organizuar, të akuzuara për një gjë të tillë edhe nga vendet mike të shqiptarëve, e kanë hall se si ta mbrojnë veten dhe nuk kanë as kohë e as mundësi të kujdesen për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë apo Kosovës.

Kur është fjala për Luginën e Preshevës është menduar se Kosova do të mund ta shfrytëzonte si vegël për reciprocitet ndaj Serbisë. Në rast se do të vinte deri tek ndarja e Kosovës, atëherë do të mund të flitej për shkëmbim territoresh, sipas së cilit veriu i Kosovës do t’i bashkohej Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës Kosovës. Edhe gjeopolitikologu i njohur kroat, prof. dr. Radovan Paviq, në një analizë të gjatë e kishte përmendur këtë si zgjidhje për të cilën duhet menduar, duke mbrojtur edhe idenë për bashkimin e trojeve shqiptare në një „Shqipëri normale“. Mendohej se në rast se serbët në veri do të kenë një status special në Kosovë dhe lidhje të veçanta me Serbinë, e gjithçka po shkon në atë drejtim, atëherë do të kërkohej e njëjta gjë për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Por kjo nuk po kalon dhe Serbia ka arritur të bindë bashkësinë ndërkombëtare se Lugina e Preshevës është çështje e brendshme e Serbisë dhe se nuk mund të bëhen paralele me Kosovën. Kjo për shkak të „realitetit në terren“.  Kosova nuk ka policë dhe institucione të veta në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka institucione të veta në veriun e Kosovës. Beogradi me institucionet e veta, me policinë dhe ushtrinë, mund të bëjë çfarë të dojë në Luginën e Preshevës, ndërsa Kosova policët dhe doganierët e vet në pikëkalimet kufitare me Serbinë mund t’i dërgojë vetëm me helikopterë të EULEX-it dhe nuk ka qasje fare në veri.  

Edhe për bashkësinë ndërkombëtare Lugina e Preshevës është „çështje e brendshme e Serbisë“, ndërsa për veriun e Kosovës nuk kanë thënë asnjëherë se është „çështje e brendshme e Kosovës“. Prandaj pushteti i Serbisë bën atë që do vetë, pa e pyetur askënd në Luginën e Preshevës, ndërsa Kosova duhet për situatën në veri të vendit të merret vesh me Qeverinë e Serbisë. Në delegacionin e Kosovës në Bruksel, në atë dialogun në nivele teknike dhe të ekspertëve, nuk marrin pjesë pjesëtarët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa në delegacionin e Beogradit marrin pjesë përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës. Dhe këtë e kanë pranuar përfaqësuesit e Kosovës në këta dialogë, si kryeministri Thaçi në dialogun e nivelit të lartë politik, ashtu edhe Edita Tahiri në dialogun teknik. Në këtë dialog nuk flitet për çështjet e brendshme të Serbisë, por flitet për çështjet e brendshme të Kosovës.

Duke pasur parasysh pafuqinë e politikanëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, ajo që më së shumti mund të bëjnë këto dy shtete për vëllezërit në Luginën e Preshevës është solidariteti i qytetarëve me ta.

 



 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...