Telefonat “e mençur” ndikojnë në relacionet martesore

18 Janar 2013 - 09:59      

A preferoni që mbrëmjet t’i kaloni duke shkëmbyer porosi me të huajt, në vend se të bisedoni me bashkëshortin?

Londër, 18 janar – A preferoni që mbrëmjet t’i kaloni duke shkëmbyer porosi me të huajt, në vend se të bisedoni me bashkëshortin?

Nëse është ashtu, mund të keni infomanian – një varësi të pazakonshme me telefonin tuaj – dhe ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë pasoja serioze për marrëdhënien tuaj.

Këtë gjë Julie Marlow (31) e di shumë mirë. “E marr iPhonin tim me mua kudo”, thotë ajo. “E mbaj pranë shtratit dhe madje edhe e përdor kur jam në banjë apo duke ngrënë darkë”.

Julie po ashtu e pranon se nganjëherë refuzon të flasë me bashkëshortin e saj, Frankien (32), për shkak se parapëlqen telefonin. Prandaj, nuk është për t’u befasuar se varësia e saj me teknologjinë e lartë është duke i shkaktuar probleme në martesë.

“’Twitteri’ është problemi më i madh”, thotë ajo. “Kam dërguar porosi me ‘Twitter’ 32.000 herë gjatë 18 muajve të kaluar – pra mesatarisht 60 porosi në ditë. Porositë kryesisht kanë të bëjnë me gjëra të thjeshta. Frankie shpesh ankohet se më me dëshirë flas me botën, sesa me të”.

Julie, që jeton në Gloucester ka dy fëmijë, Jensonin katërvjeçar dhe Damonin dhjetëvjeçar.

Janë 33 milionë britanikë që kanë llogari në “Facebook” dhe 11 milionë përdorues të “Twitterit”. Klinika “Tavistock and Portman” në Londër ka një njësit të veçantë për të varurit nga teknologjia.

Infomania – preokupimi me informata, i shkaktuar nga nevoja që ndien një njeri për ta kontrolluar telefonin – është bërë problem i madh, i cili, po qe se nuk trajtohet, mund të shkatërrojë martesat dhe të bëjë që njerëzit të shkëputen nga bota reale.

Psikologu Thomas Stewart thotë se derisa telefonat e avancuar bëjnë një punë të mirë për të na lidhur me njerëzit e tjerë, kur përdoren në mënyrë të tepruar, ata mund të shkaktojnë probleme të mëdha në marrëdhëniet personale.

“Nëse je i varur nga telefoni, atëherë nuk je duke i kushtuar vëmendje partnerit”, thotë ai.

Kjo varësi ndaj teknologjisë po ashtu është duke u nxitur nga frika e njerëzve se janë duke e humbur lajmin, derisa ai po ndodh.

Obsesioni i Aimee Bradley me telefonin e saj ishte një nga arsyet përse ajo dhe bashkëshorti i saj i patën punët pisk, një vit më parë. “Kemi pasur grindje të panumërta për shkak të telefonit tim”, ka thënë ajo.

Këshilltari i tyre u sugjeroi që ata të ndërmerrnin aksion radikal për ta përmirësuar lidhjen.

“U pajtuam që unë ta lë telefonin çdo mbrëmje. Ne po ashtu jemi duke dalë një herë në muaj dhe jemi marrë vesh që të mos e prek fare telefonin”, tregon ajo.

Psikologia dr. Jane McCartney thotë se ndalesat e tilla joformale janë më reale dhe se ka mënyra që telefonat të përdoren për ta forcuar lidhjen me partnerin.

“Flisni për gjërat që shihni apo lexoni në telefon”, thotë ajo.

 

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...