Kundërshtohet zhvendosja e lapidarit të UÇPBMS-së afër xhamisë

18 Janar 2013 - 09:45      

Liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës e kundërshtojnë idenë e zhvendosjes së lapidarit të UÇPMB-së nga hapësira e Komunës së Preshevës në oborrin e xhamisë, afër 50 metra më larg, ashtu siç kishin kërkuar autoritetet serbe.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se dëshmorët i përkasin kombit dhe jo një religjioni të caktuar, prandaj nuk ka nevojë që të bëhet një veprim i tillë.

Preshevë, 18 janar - Liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës e kundërshtojnë idenë e zhvendosjes së lapidarit të UÇPMB-së nga hapësira e Komunës së Preshevës në oborrin e xhamisë, afër 50 metra më larg, ashtu siç kishin kërkuar autoritetet serbe.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se dëshmorët i përkasin kombit dhe jo një religjioni të caktuar, prandaj nuk ka nevojë që të bëhet një veprim i tillë.

“Kjo ide daton qe dhjetë vjet dhe ne e kemi hedhur përfundimisht atë”, ka thënë ai. “Por nuk është lapidari as i xhamisë e nuk është as i kishës ortodokse, pra dëshmorët janë të kombit dhe nuk i takojnë një konfesioni fetar dhe lapidari nuk ka të bëjë me përfaqësim fetar”.

Liderët e partive politike shqiptare që veprojnë në Luginë të Preshevës kanë mbajtur të enjten një mbledhje të përbashkët e të jashtëzakonshme për të diskutuar për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Luginë.

Mustafa e ka përshkruar gjendjen të qetë. Ai është shprehur se takimet e partive politike shqiptare do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Kryetari i Preshevës ka thënë se dokumentacioni për legalizimin e lapidarit me emrat e dëshmorëve të kombit është tani  në rregull dhe i legalizuar.

Që gjendja është e qetë e ka thënë edhe aktivisti për të drejtat e njeriut në Preshevë, Belgzim Kamberi, raportoi sot “Koha Ditore”.

“Vërehet një ulje e tensioneve, sigurisht si rezultat i 'skadimit' të ultimatumit pa 'pasoja". Është gjendje vendnumërimi ku këta (liderët politikë shqiptarë v.j.) thonë se po e legalizojnë lapidarin e ata (autoritetet serbe v.j.) thonë se duhet të largohet”, ka thënë ai. “Të shohim si po rrjedhin gjërat”.

Mbetet e njëjtë gjendja në Luginë të Preshevës.  Liderët politikë shqiptarë nuk ndryshojnë qëndrimet, raportoi KTV. Thonë se janë unikë dhe zotohen se asnjë marrëveshje nuk ekziston për largimin, apo zhvendosjen e lapidarit të dëshmorëve.

Kryetari i Kuvendit të Bujanocit, njëherësh lider i Lëvizjes për Progres Demokratik, Jonuz Musliu, përjashton mundësinë e ndonjë konflikti të armatosur në Luginë të Preshevës. Ai thotë se spektri politik i këtushëm, është unik dhe kërkon që zgjidhja e këtij problemi të gjendet me mjete politike e assesi me forma të tjera.

Nga ana tjetër shtypi serb shkruan se përfaqësuesit politikë shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë të gatshëm që ta zhvendosin përmendoren në ndonjë vend tjetër, me kusht që të largohet edhe përmendorja që është ngritur në fshatin Lluçan për policët serbë, shkruajnë mediet serbe.

Përmendorja e vendosur në Preshevë do të rrënohet brenda një deri dy ditësh, edhe pse qeverisja lokale ka kërkuar legalizimin e saj.

Nënkryetari i parë i Qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se përmendorja e ngritur për policët që humbën jetën nuk do të largohet me asnjë kusht, shkruajnë mediet e Beogradit.

Ndërkohë në mbrojtje të Luginës së Preshevës të enjten është organizuar një protestë në Gjilan.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...