Policia e cilëson djegien e veturave ‘rrezik të përgjithshëm’

18 Janar 2013 - 15:56      

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për medie bëri të ditur se mbrëmë rreth orës 24:00 kishte marrë informatën lidhur me tri raste të ndara të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Prishtinë, 18 janar - (E plotësuar) - Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për medie bëri të ditur se mbrëmë rreth orës 24:00 kishte marrë informatën lidhur me tri raste të ndara të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.
Rasti i parë ishte raportuar në orën 23:45, kur sipas informatës ishte djegur tërësisht vetura e tipit Land Rover, ngjyrë e gjelbër me targa zyrtare të Qeverisë, e cila në atë moment ishte e parkuar në rrugën “Bajram Bahtiri”; rasti i dytë, ndërkaq, ishte raportuar të njëjtën natë, në orën 23:50, ku gjithashtu ishte djegur tërësisht një veturë e tipit
Toyota, me targa zyrtare të Qeverisë, e cila ishte e parkuar në rrugën “Sali Nivica”, dhe rasti i tretë, ku gjithashtu nga zjarri ishte djegur tërësisht një veturë, është raportuar sot në orën 00:03. Bëhet fjalë për një veturë të tipit Toyota, ngjyrë e zezë, me targa zyrtare të Qeverisë, e cila ka qenë e parkuar në rrugën “Henry Dynan”, që të tri rastet në kryeqytet.
Menjëherë pas marrjes së këtyre informatave në vendet e ngjarjeve dolën njësitet përkatëse policore, të përkrahur edhe nga njësitet e tjera rajonale të specializuara për ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe hetimin e rasteve të tilla si dhe zjarrfikësit.
Veprimet policore të ndërmarra në vendet e ngjarjeve kanë çuar në grumbullimin dhe  marrjen e të gjitha të gjeturave dhe evidencave, të cilat mund të ndërlidhen me rastet. Është me interes të theksojmë se nuk ka asnjë person të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale.
Aktualisht policia po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit të personave të dyshuar, përderisa po pret rezultatet përfundimtare nga ekspertimi i evidencave të marra nga vendi i ngjarjes me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin, ashtu që të ngrihet një version lidhur me hetimin.
“Të pakënaqurit” marrin përgjegjësinë për tri shpërthimet në Prishtinë
Prishtinë, 18 janar  - 12:15 - (E plotësuar) Duke iu përgjigjur interesimit të medieve rreth grupit  “Të pakënaqurit”, i cili mori përsipër aktin e shpërthimit të tri veturave zyrtare në kryeqytet, Agron Borovci, zëdhënës  i Policisë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, tha vetëm se policia është duke punuar për ndriçimin e motiveve dhe rrethanave të këtij rasti.
Prishtinë, 18 janar  - 11:15 - (E plotësuar) Një organizatë, ose grup, i cili e identifikon veten me “Të pakënaqurit”, përmes një porosie elektronike, që i arriti redaksisë pak çaste më parë,  mori përgjegjësinë për djegien e tri veturave zyrtare në disa rrugë të Prishtinës.
Në njoftimin, të cilin  po e publikojmë pa asnjë ndërhyrje gjuhësore a tjetër, thuhet:  “mbram ne ora 11:45 i kemi kall 3 kerre te qeveris caku i sulmit nuk u kan naj ministri por qeverija e kosoves kerret me 3z jan sulmu per qita. mesazhin e sulmit e gjani ne nje paroll qi u shkru te minisrija e kultures (nmuri) tradhtart e qeveris po e dhajn veriun na jemi kunder dhe t'mllefosun”
Kjo organizatë në murin e MKRS-së ka shkruar edhe këtë tekst: “Për tradhtarët plumbi është obligim”, duke u nënshkruar me Avni Rrustemi.
Në histori, Avni Rustemi është i njohur për atë që në vitin 1920, në Konferencën e Paqes në Paris ka vrarë negociatorin Esat Pashë Toptani, të cilin shqiptarët e konsiderojnë për tradhtarin më të madh të popullit.
Tri shpërthime në Prishtinë, një në Mitrovicë
 - 03:04 - Tri shpërthime të ndara kanë ndodhur rreth mesnate në vetura zyrtare institucionale në  Prishtinë. Njëri shpërthim ka ndodhur në lagje "Ulpiana", tjetri te Xhamia e Llapit dhe shpërthimi i tretë ka ndodhur në Bregun e Diellit. Të tria shpërthimet kanë ndodhur pothuaj në të njëjtën kohë, ka konfirmuar për KTV-në zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ende nuk dihen detajet por targat janë të gjitha 3Z. Mësohet se nuk ka të lënduar. Ndërsa një shpërthim tjetër ka ndodhur rreth orës 1 pas mesnate në veri të Mitrovicës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës Besim Hoti ka thënë për KTV-në se nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale. Në mëngjes pritet të bëhet verifikimi dhe hetimet e mëtejme ka thënë ai.
comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...