Lëreni Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!

16 Janar 2013 - 19:33      


Në Shqipëri tashmë ka filluar fushata zgjedhore. Për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet e mëdha, nga krimi e korrupsioni, qeveria e kryeministrit Sali Berisha po përdor kartën e popullizmit dhe nacionalizimit të nëntokës, duke trumbetuar “bashkim me Kosovën”. Kjo politikë i bën dëm Kosovës dhe nuk i zgjidh problemet e Shqipërisë.

Në prag të pesëvjetorit të realizimit të ëndrrës së madhe, pavarësisë së saj, Republika e Kosovës gjendet në fokus të politikës së brendshme të një shteti fqinj - Shqipërisë. I frikësuar se mund të humb pushtetin (gjë që në një vend demokratik do të ishte një zhvillim krejt normal) Sali Berisha, kryeministër i një shteti me skenë politike jonormale, po përpiqet me ngulm që Kosovën ta bëjë temë debati në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Nganjëherë tentohet që të krijohet përshtypja se më 23 qershor jo vetëm që do të fitojë Berisha me kamarillën e tij, por me një harxh do të bashkohen Shqipëria e Kosova dhe më 24 qershor Hashim Thaçi do të shkojë në ekzil si kryetar i një qeverie të një vendi të aneksuar.

Para se të piskasin kreshnikët e torishtës politike dhe patriotët me mentalitet opingash duhet thënë shumë qartë: po, përkundër përkatësisë së njëjtë etnike të shumicës së qytetarëve të tyre, Shqipëria dhe Kosova janë - vende fqinje. Shqipëria e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Madje që në fillim të epokës së Ibrahim Rugovës para dy dekadave, pastaj - për herë të dytë - Tirana e ka pranuar pavarësinë e Kosovës menjëherë pas 17 shkurtit 2008. Edhe Kosova e njeh Shqipërinë si vend të pavarur. Udhëheqjet e të dy shteteve së paku në mënyrë deklarative kanë shpallur si synim integrimin në Bashkimin Evropian, duke respektuar kufijtë aktualë në Evropë. Shqipëria është pranuar në NATO pasi ka garantuar se respekton kufijtë rajonalë dhe rregullat e Aleancës Veriatlantike. Kosova ka fituar pavarësinë pasi me Kushtetutë ka garantuar se nuk ka ambicie t’i bashkohet ndonjë shteti tjetër. As Sali Berisha, as Hashim Thaçi, as Albin Kurti, as popullisti me bateri të dobëta Kreshnik Spahiu nuk patën protestuar, kur ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 27 gusht 2010 deklaroi: “Pavarësia e Kosovës e ka përmbyllur kapitullin e vendosjes së kufijve dhe copëtimeve në territorin e ish-Jugosllavisë. Harta e Ballkanit Perëndimor është përcaktuar përfundimisht. Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial janë fakte”.

Pas këtyre fjalëve të qarta si kristali Lëvizja Vetëvendosje nuk doli në rrugë. Pothuaj të njëjtat fjalë Westerwelle i kishte thënë më parë në Beograd, para atyre politikanëve serbë që me zjarr e vrull retorik e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është realitet, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i qartë, harta e shteteve pasardhëse të ish-Jugosllavisë është përcaktuar. Para se të bërtasë “bashkim, bashkim” Sali Berisha duhet të kërkojë takim me kancelaren Angela Merkel për të diskutuar këtë çështje, sepse, siç dihet, pa gjermanët sot dhe në dekadat e ardhshme në Evropë askush nuk mund të marrë një vendim të rëndësishëm. E vërteta e hidhur është se as Berishën, as Thaçin tani për tani nuk i pret askush i rangut të lartë në Berlin. Edhe sikur t’i priste dikush, atëherë ata do të dëgjonin apele të tharta për të luftuar krimin e korrupsionin, për të ndërtuar shtetin ku sundon ligji dhe ku shporren klanet nepostiste dhe mafioze, të cilat kontrollojnë resurset kryesore të shtetit, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë. Për përralla që lidhen me “bashkimin e trojeve shqiptare” nuk ka veshë askush as në Berlin, as në Bruksel.

Faktet nuk mund të mohohen, as ekzistenca e shtetit të Kosovës: Prishtina ka ambasador në Tiranë, policë dhe doganierë në kufi me Shqipërinë, targa të veta për automjete, sistem të veçantë politik, gati 100 shtete e kanë njohur Kosovën si të pavarur, Kosova është anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, madje edhe ambasadorët e atyre vendeve që s’e kanë njohur Kosovën i ftojnë diplomatët e Kosovës në organizime të ndryshme.

Edhe Shqipëria e ka ambasador në Prishtinë, i cili pothuaj për çdo ditë i mban leksione pseudopatriotike qytetarëve shqiptarë të Kosovës. T’i mbash leksione shqiptarëve të Kosovës për shqiptarizëm e patriotizëm, për sakrificë, për atdhe e për vetëmohim është njëjtë sikur t’i tregosh Steve Jobsit në botën e përtejme se çfarë merita ka pasur për suksesin e markës Apple. Para pak ditësh ambasadori i Tiranës në Kosovë u shfaq në televizion i rrethuar me disa të ashtuquajtur “veteranë të UÇK-së” dhe tha se “UÇK nuk ka bërë krime”. Së pari: një vlerësim i tillë nuk është në kompetencën e asnjë ambasadori. Së dyti: fakti që UÇK ka luftuar për lirinë e Kosovës assesi nuk i amniston disa pjesëtarë të saj, të cilët gjerë e gjatë kanë torturuar dhe vrarë shqiptarë, jo pse ata ishin kundërshtarë të çlirimit apo bashkëpunëtorë të Beogradit, por pse ishin rivalë politikë dhe më të popullarizuar në popull. Së treti: para se ambasadori i Tiranës në Prishtinë të na tregojë broçkulla për patriotizëm e për UÇK-në do të ishte mirë që ai ta bindte qeverinë e tij të ndihmojë në zbulimin e personave që themeluan dhe “mirë”mbajtën burgun në Cahan (Shqipëri veriore), ku, mes tjerësh, u torturuan edhe patriotë të mirëfilltë të Kosovës. Faji i tyre i vetëm ishte se mbështesnin Lidhjen Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugovën apo qeverinë në mërgim të drejtuar nga Bujar Bukoshi. Aq skandaloz është bërë ambasadori i Tiranës në Prishtinë, saqë politikanë të nivelit të lartë në Prishtinë thonë: “Ky i ka shkelur të gjitha rregullat diplomatike”. “Është bërë i padurueshëm”. “Do të ishte mirë që dikush t’i thoshte Sali Berishës: ‘Largoje se nuk po sillet si diplomat, por si aktivist mitingjesh’”.

Kosovës i duhet mbështetje jo vetëm nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia, Turqia etj., por i duhet përkrahje edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, në mënyrë që të gjejë vendin në mesin e shteteve stabile të rajonit. Më së paku, ndërkaq, Kosovës i duhet përkrahja nga politikanët mesjetarë të tipit të Dashamir Shehit, i cili flamurin e Kosovës e quan leckë. Aq më pak Kosova është e gatshme të dëgjojë përralla patriotike nga tipa si Aleksandër Frangaj, i cili në vitet 90-të ka qenë njëri nga flamurtarët e shumtë të fushatës mediatike në Tiranë kundër shqiptarëve të Kosovës. Gazeta e tij “Koha jonë” i quante sulmet e UÇK-së aksione terroriste si në Korsikë. Frangaj sulmonte presidentin e atëhershëm Sali Berisha se duke dërguar tanke drejt veriut po provokuaka konflikt me Serbinë. Për këtë shpifje ai qe dënuar nga një gjykatë e Tiranës. Sot, në vitin 2013, Frangaj dhe disa gazetarë të gjirizit politik të Tiranës për interesa të ngushta biznesi propagandojnë “bashkim”, madje kërcënohen se brenda pak orësh mund ta mbulojnë Kosovën me sinjalet e televizioneve të tyre rozë, të cilat shquhen jo për gazetari profesionale, por për tifozllëk politik tejet primitiv.

Në këto valë po noton edhe Sali Berisha. Duke e ditur se një pjesë e madhe e kosovarëve kanë një ndjeshmëri të veçantë për shtetin shqiptar, Berisha pothuaj për çdo ditë gjuan në opinion “propozime atdhetare”: pasaporta për të gjithë shqiptarët, kampionat të përbashkët futbolli, “hapësirë unike të valëve” të transmetimit për mediet e Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas etj. Të gjitha këto britma atdhetare do të harrohen pas 23 qershorit. Shqipëria mund t’u japë pasaporta shqiptarëve përtej kufijve të saj, por kështu ajo do të rrezikojë liberalizimin e vizave për hapësirën e Schengenit. Asnjë qytetar i Shqipërisë nuk do të ishte i gatshëm të pranojë izolimin për hir të disa kosovarëve mendjelehtë, të cilët pasaportën e Shqipërisë e shohin si “dëftesë patriotizmi”. Mund të bëhet edhe një ligë e përbashkët futbolli, por jo brenda rregullave të institucioneve ndërkombëtare të këtij sporti. Me metoda të anarkisë mund të krijohet edhe një “hapësirë unike e valëve” të transmetimit medial, por jo një hapësirë valësh profesionale e të balancuara, që te publiku bartin informacione të paanshme.

Me deklarimet e tij të fundit Berisha po e trajton Kosovën si diasporë, por Kosova nuk është diasporë e Shqipërisë: Kosova është shtet. I keq, i mirë, është shtet në pronësi të gati dy milionë banorëve të saj. Dhe i së paku gjysmë milionë shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë (Evropë, Amerikë, Australi e gjetiu). Për të gjithë tiranët e Tiranës vlen thirrja: lëreni Kosovën rehat dhe jashtë betejave tuaja politike dhe jashtë moçalit tuaj politik! Punoni për vendin tuaj, mos u përpiqni që dështimet tuaja t’i maskoni duke lozur popullizëm mbi supet e shqiptarëve të Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të shërbejë si terren për allishverishe të politikës së brendshme të Shqipërisë. As nuk duhet të shërbejë si monedhë kusuresh në luftën e pamëshirshme për pushtet mes të ashtuquajturës Parti Demokratike dhe të ashtuquajturës Parti Socialiste. Kosova nuk ka asnjë faj për dështimet e Shqipërisë. Kosova nuk është përgjegjëse për mijëra viktimat e 1997-ës, për 26 të vrarët në Gërdec, as për të vrarët e 21 janarit 2011 para kryeministrisë, as për pazaret e Ilir Metës me tenderë, as për kryeneçësinë shumëvjeçare të opozitës socialiste, as për bizneset e familjes Berisha, as për marrëveshjen detare me Greqinë, as për stoqet me drogë në Shqipëri dhe “bastionet” si Lazarati ku nuk hyn dot shteti shqiptar, as për shkatërrimin e ambientit në bregdet, as për dështimin kolosal të qeverisë së Tiranës në rrugën e integrimeve evropiane, as për faktin se Shqipëria në 20 vitet e fundit nuk ka arritur të organizojë asnjë palë zgjedhje të pakontestuara nga gjelat e kotecit politik. Është shumë e qartë se debati i falsifikuar për bashkim me Kosovën është nisur në pamundësi për të zhvilluar debatin më të domosdoshëm sot në Shqipëri: si të çlirohet Shqipëria nga prangat e politikanëve mesjetarë, të cilët prioritet e kanë eliminimin e rivalit politik dhe jo përparimin e vendit.

Para rrafsh 100 vjetësh shqiptarët e Kosovës kanë dhënë kontribut vendimtar për themelimin e Shqipërisë. Në këtë përfundim ka arritur në bazë të dokumenteve arkivore studiuesja e re britanike Nicola Guy në librin e saj të sapobotuar “Lindja e Shqipërisë”. Si duket situata në anën tjetër? Në 100 vitet e fundit dy diktatorët e Shqipërisë (Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha) hoqën dorë nga bashkimi me Kosovën për të mos zemëruar Beogradin, me ndihmën e të cilit që të dy kishin ardhur në pushtet në Tiranë. Në 100 vitet e fundit Shqipëria vetëm njëherë, më 1999, kur u detyrua nga NATO-ja, i doli pak në ndihmë Kosovës. Në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë Sali Berisha në revistën gjermane “Der Spiegel” thoshte se prapa sulmeve kundër policëve serbë në Kosovë qëndron Arkani, prijësi i paramilitarëve serbë. Në prag të fazës vendimtare për çlirimin e Kosovës, në vjeshtë 1998, Berisha dhe vartësit e tij e panë të udhës të bëjnë një përpjekje për puç në Tiranë. Nëse shikojmë pak më herët, do të vërejmë se në prag të shkatërrimit të piramidave financiare Sali Berisha u përpoq ta bart krizën në Kosovë, duke i bërë presion presidentit të atëhershëm të Kosovës Ibrahim Rugova që të nxjerrë në rrugë qindra-mijëra shqiptarë për të përkrahur opozitën serbe, e cila protestonte kundër Slobodan Milosheviqit, i cili kishte vjedhur votat në zgjedhjet lokale. Thua se shqiptarët e shtypur nga çizmja serbe nuk kishin problem tjetër veçse të demokratizonin Serbinë! Sot kur kosovarët e dëgjojnë Reis Çiçon duke recituar lajme për prijësin e lavdishëm Sali Berisha u kujtohet ai Reis Çiçoja i TVSH-së, i cili me ton agresiv lavdëronte studentët serbë, të cilët “do të fitojnë” dhe me urdhër të pushtetit bënte thirrje për mbështetjen e tyre nga Kosova. Në atë kohë Berisha deklaronte publikisht se për Kosovën mjafton një “hapësirë demokratike brenda Jugosllavisë”, një “Modus vivendi”, siç thoshte ai. Duhet thënë hapur se popullizmi dhe aventurat politike të Sali Berishës e kishin zemëruar aq shumë Ibrahim Rugovën, saqë ky i fundit me vite nuk pranoi ta takonte.

Manipulimi me Kosovën në fushatën parazgjedhore në Shqipëri është i dëmshëm. Sot meritat më të mëdha mund t’i marrin ata politikanë të Tiranës që duan t’i emancipojnë shqiptarët dhe t’i integrojnë në Evropën e përparuar. Nga një zhvillim i tillë mund të përfitojë edhe Kosova. As Kosova, as Shqipëria nuk kanë asnjë përfitim nëse politikanët vazhdojnë të kopjojnë njëri-tjetrin në disa fusha që i njohin mirë, siç është, ta zëmë, manipulimi i zgjedhjeve, kurdisja e tenderëve, vjedhja e pasurisë publike, instalimi i sistemit nepotist, papërgjegjësia për hapësirën publike, manipulimet nacionaliste. Këtu, vërtet, “jemi një”, por s’jemi të mbarë.

Një bëhemi kur nuk çirremi “bashkim, bashkim”, sepse bashkimi u bë, s’ka asnjë pengesë për askënd nëse dëshiron të bëjë ndonjë punë të hairit sot në Prishtinë e Pejë, Tiranë e Berat. Një bëhemi kur të bëhet realitet ëndrra e një Shqipërie dhe një Kosove evropiane, kur mirëqenia të jetë më e rëndësishme se sa nacionalizmi parak dhe pa asnjë bazë, kur krijimi i vendeve të punës do të jetë prioritet dhe jo përzënia e investitorëve të huaj, pasi ministrat “tanë” t’u kenë kërkuar ryshfet, siç është praktika aktuale. Një bëhemi kur çdokush vetëdijesohet se ekzistenca e dy shteteve me shumicë shqiptare në Ballkan s’është kurrfarë pengese për zhvillim. Një bëhemi kur kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë në Bruksel priten jo si “raste problematike” apo “si banditë të cilët duhet t’i durojmë e shfrytëzojmë”, por si politikanë të përgjegjshëm dhe punëtorë në shërbim të popujve të tyre. Një trung etnik, dy kombe politike, dy shtete moderne, një Evropë e bashkuar në mirëqenie dhe paqe. Kjo është formula e suksesit shqiptar në Ballkan. Të tjerat janë prononcime budallallëku, të cilat u dashka t’i durojmë në shekullin 21. Për fatin tonë të zi. Mashtrohen lehtë të gjithë ata që mendojnë se pas aq shumë sakrificash shqiptarët e Kosovës do të jenë të gatshëm që shtetin e tyre ta dorëzojnë në tabaka argjendi në Tiranë.



robelli@bluewin.ch 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...