Wenger: Japonia më shumë talente se Franca

5 Janar 2013 - 12:51      

Duke parë se "pusi" i talenteve në Francë po shteret, trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger tash ka identifikuar Japoninë si një treg të ri ku mund të gjejë lojtarë për skuadrën e tij të Premier Leagues së Anglisë në futboll.

Tokio, 5 janar - Duke parë se "pusi" i talenteve në Francë po shteret, trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger tash ka identifikuar Japoninë si një treg të ri ku mund të gjejë lojtarë për skuadrën e tij të Premier Leagues së Anglisë në futboll.

Francezi ka reputacion për blerjen e lojtarëve si Nicolas Anelka, Robert Pires e Emmanuel Petit nga klubet në vendlindjen e tij dhe ngritjen e tyre në lojtarë të klasit botëror. Por Wenger, në stinorin e tij të 17-të te Arsenali, ka pasur vështirësi të përsëriste sukseset e tij në blerje të lojtarëve. Arsenali trofeun e fundit e ka fituar në vitin 2005, FA Cup të Anglisë.

Sulmuesi maroken, Marouane Chamakh do të kalojë te West Hami pasi është kthyer në dështim te Arsenali që nga transferimi i tij nga Bordeaux, në vitin 2010, ndërsa edhe mbrojtësi francez Sebastian Squillaci pritet të largohet.

"Gara është e madhe në frontin e skautimit. Vendi ku ishim vërtet shumë konkurrent, ishte Franca. Por Franca tash po nxjerr më pak lojtarë se që kishte nxjerrë 10, 15 vjet më parë", ka thënë Wenger për agjencinë britanike të lajmeve Reuters.

"Vendet e reja që po prodhojnë lojtarë janë Gjermania e Spanja, që kanë shumë lojtarë të mirë të rinj. Ata kanë marrë këtë front. Ne po mundohemi të shikojmë vende të tjera për lojtarë. Në Angli je pak i limituar. Unë vlerësoj se një market i ri që është mjaft interesant dhe konkurrent është tregu japonez. Vetëm shikoni numrin e lojtarëve japonezë që luajnë tash për shembull në Gjermani".

Japonia që është kampione e Azisë kishte mposhtur Francën në një miqësore në tetor me rezultatin 1:0. Nëntë nga 24 anëtarët e skuadrës që grumbullohet rregullisht, luajnë në Gjermani.

Japonia ka edhe yje të tjera si Keisuke Honda i CSKA Moskës, Yuto Nagatomo i Interit dhe Shinji Kagawa i Manchester Unitedit.

Wenger kishte drejtuar skuadrën e J-Leagues së Japonisë, Nagoya Grampus Eight para se të kalonte te Arsenali, në vitin 1996, mirëpo ai nuk ka pasur aq shumë sukses në transferimin e lojtarëve aziatikë.

Ish-mesfushori Junichi Inamoto bëri vetëm pak paraqitje në një stinor sa luajti te Arsenali para se të transferohej te Fulhami, ndërsa mesfushori Ryo Miyaichi që ka kontratë me Arsenalin aktualisht po luan për Wigan Athleticun.

Wenger thotë se kërkesat për lojtarët që ishin pak të njohur në Angli para se t'i bashkoheshin një skuadre angleze, janë vërtet të mëdha.

"Është shumë e vështirë pasi niveli i pritshmërisë është shumë i lartë. Njerëzit duan të shohin një Lionel Messi. Nuk duan të shohin një lojtar që premton në të ardhmen. Së pari emri jep shpresë. Kur një lojtar që marrim nuk është i njohur, atëherë njerëzit janë pak skeptik. Kështu që është dukshëm më e vështirë për ne", ka thënë Wenger.

Arsenali zë pozitën e gjashtë në Premier League, ndërsa të martën barazoi 1:1 me Southamptonin. Mbrojtjen e Southamptonit e udhëhiqte reprezentuesi i Japonisë, Maya Yoshida. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...